Shqipëri – Malësi e Madhe, vërshojnë përrenjtë

Situata në zonën e Mbishkodrës, pas bllokimit të rrugës nacionale që e lidh me Hanin e Hotit dhe Dukagjinin, vazhdon të jetë shqetësuese dhe me segmentet të pakalueshme për shkak të prurjeve të furishme të përrenjve.

Gjendja vazhdon të mbetet kritike, sidomos në Malësi të Madhe në fshatrat Kamicë dhe Flakë, ku përroi i thatë po rrezikon të dalë jashtë kontrollit.

Dhjetra familje gjatë pasdites nisën të evakuohen vullnetarisht, ndërsa me pjesën tjetër të tyre policia po negocion për të lënë shtëpitë e tyre.

Banorët thonë se përroi i thatë në Malësi të Madhe, si në dimër dhe në verë qendron pothuajse i tharë, por kur fryhet bëhet tepër i rrezikshëm.

Aktualisht përroi ka përmbytur rreth 150 hektarë tokë, ndërsa me dhjetra shtëpi rrezikojnë të shemben nga forca e rrjedhës së tij.

Banorët e zonës ndihen të revoltuar me mungesën e investimeve në argjinaturat mbrojtëse. “Sonte nuk do të flemë pasi do ruhemi nga uji. Kemi merak për fëmijët”, ka deklaruar një banor.

“Duhet të evakuohemi, të gjithë njerëzit e mi kanë ikur. Njerëzit nëse kanë mend duhet të ikin”, ka thënë një tjetër.

“Vetëm kur duan votat vijnë këtu. Ne s’kemi besim tek asnjë qeveri”, është shprehur më tej një tjetër.

Nënprefekti i Malsisë së Madhe, Sytki Ndrecaj thotë se në këtë zonë janë përfshirë nga përmbytjet e përrenjve 250 shtëpi në pesë komuna, Kastrat, Shkrel, Kelmed dhe Qendër, ndërsa vazhdojnë të jenë të pakalueshme rruga nacionale Shkodër-Hani i Hotit dhe ajo që e lidh me tre komunat e Dukagjinit. /TCH/

KOMENTOJE