Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, takohet me Ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve të Malit të Zi, z. Ferhat Dinosha

Ministri i Punëve të Jashtme (të Shqipërisë), z. Edmond Haxhinasto, u takua sot me Ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve të Malit të Zi, z.Ferhat Dinosha, për të diskutuar mbi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi si dhe për të eksploruar mundësi të reja për intensifikimin e tyre.

Pas takimit, Ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Haxhinasto u shpreh :

Ishte një kënaqësi e veçantë për mua që takohem me Ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve të Malit të Zi, z. Ferhat Dinosha, kryetarin e komunës së Ulqinit, z. Gëzim Hajdinaga dhe ambasadorin e Malit të Zi në Tiranë, z. Zeljko Perovic.

Gjatë këtij takimi vlerësuam se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi janë të shkëlqyera dhe një model për të gjithë vendet e rajonit.

Ne identifikuam disa çështje ku mund të bëjmë progres dhe hapa konkretë, veçanërisht në drejtim të projekteve të përbashkëta të infrastrukturës, të njohjes reciproke të diplomave dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit, duke përdorur vetëm dokumenta identifikimi.

Gjithashtu folëm për rolin e shqiptarëve në rajon dhe ndajmë të njëjtin vlerësim se shqiptarët do të bashkohen mes tyre në Bruksel. Me këtë vizion ne arrijmë të krijojmë një shpejtësi të re në proceset integruese në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Sigurisht që unë vlerësova në mënyrë të veçantë kontributin që jep zoti Dinosha dhe partia e tij në proceset reformuese në Malin e Zi dhe reformat që zhvillohen atje për integrimin europian.

Në përfundim i urova ata për marrjen e statusit të vendit kandidat që na gëzon pa masë, pasi dëshirojmë që fqinjët tanë të jenë sa më shpejt anëtar të BE-së.

Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve të Malit të Zi, z. Ferhat Dinosha, tha:

Falenderoj zotin Haxhinasto për takimin e përzemërt dhe miqësor, në të cilin kemi këmbyer mendime dhe kemi shprehur vullnetin e mirë për të vazhduar bashkëpunimin mes Podgoricës dhe Tiranës.

Shpreh kënaqësinë time për gadishmërinë e rikonfirmuar nga Ministri Haxhinasto, për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me Malin e Zi. Për këtë gjë më vjen mirë si Ministër i Qeverisë së Malit te Zi, si shqiptar, edhe si kryetar i partisë më të fortë të shqiptarëve atje, që është Unioni Demokratik i Shqiptarëve.

Shqiptarët, në të gjithë shtetet ku jetojnë janë të angazhuar për integrimin europian dhe euroatlantik të rajonit. Shtetet tona tashmë tregojnë gadishmëri për të vazhduar këtë rrugë për integrimin e shqiptarëve mes tyre dhe në Evropë. / MPJ /

KOMENTOJE