Liderët e dy partive shqiptare në Malin e Zi kanë mohuar të kenë pasur ndonjë përfaqësues të vetin në themelimin e Listës për Shqipërinë Natyrale së Koço Danajt.
Në një prononcim të shtunën, për KosovaLive kryetari i Forcës së Re Demokratike, partisë më të madhe të shqiptarëve në Ulqin, Nazif Cungu, ka deklaruar se askush nga përfaqësuesit tanë nuk ka qenë në Tiranë në aktin e themelimit të Listës për Shqipërinë Natyrale, që e përfaqëson Koço Danajn, të cilin ai thot se nuk e njeh.
“A ka shkuar dikush me vetëiniciativë, kjo është çështje tjetër, por e di se askush nga përfaqësuesit tanë nuk ka qenë atje, pohon Cungu.
Edhe Ferhat Dinosha, kryetar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve,aktualisht ministër mbi të drejtat e njeriut dhe të pakicave në qeverinë malazeze, citohet të ketë deklaruar ngjashëm.
Pohimet e kryetarit të Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj se, gjoja në kuvendin themelues në Tiranë kanë marrë pjesë 45 shqiptarë nga Mali i Zi, nga Ulqini,Tuzi, Podgorica, Plava dhe Gucia “dhe ndonjëri prej tyre është i angazhuar në UDSH dhe në Forca”, Dinosha i quan “diletantizëm politik”, ndërsa lideri i Forcës, Nazif Cungu “spekulim politik”.
Koço Danaj nga mediat e Podgoricës citohet të shtunën të ketë thënë se sa i përket legalizimit të tyre në Mlain e Zi, shumë shpejt ithtarët e tyre do të themelojnë shoqatën kulturore “Shqipëria natyrale”.
Siç është kumtuar, Lista për Shqipërinë Natyrale angazhohet për themelimin e shtetit të përbashkët shqiptar, të cilin do ta përbënin përveç Shqipërisë dhe Kosovës, edhe trojet shqiptare në Malin e Zi, Serbi, Maqedoni dhe Greqi.
Në kuvendin themelues të Listës së Shqipërisë Natyrale pohohet të jetë dëgjuar që çështja shqiptare në Ballkan do të duhej të zgjidhej deri në fund të vitit 2013 me formimin e shtetit të përbashkët, ku do të përfshiheshin të gjitha trojet në të cilat jetojnë shqiptarët.
Çështjen e Listës së Shqipërisë Natyrale mediat malazeze po e trajtojnë dukshëm.
Presidentët e Malit të Zi dhe Maqedonisë, Filip Vujanovic dhe George Ivanov, janë dakorduar ditë më parë në Podgoricë se ideja e Shqipërisë natyrale nuk është reale dhe nuk mund të ketë përkrahje, dhe se përdoret vetëm për retorikën zgjedhore si dhe për mobilizimin politik. /Koha Net/