Blunt thotë ta ketë shmangur nisjen e Luftës së Tretë Botërore në Kosovë

Ndonëse nuk preferon të flasë për eksperiencën e tij ushtarake, këngëtari britanik James Blunt ka deklaruar se gjatë kohës që ka shërbyer në Kosovë ka shmangur luftën e tretë botërore.

Deklaratën e tij këngëtari i hit-it “You are beautiful” e ka bërë në një intervistë për gazetën prestigjoze britanike “The Indipendent”.

Blunt ka treguar se kishte qenë komandant i njësisë së NATO-s që duhet të merrte nën kontroll aeroportin e Prishtinës, ku ndodheshin njëkohësisht edhe 200 trupa ruse.

“Mora urdhër nga gjenerali Wesley Clark që të shkatërroja trupat ruse. Por urdhërin e vura në dyshim”, citon gazeta Blunt.

Sipas gazetës, këngëtari, atëherë kapiten, ka kërkuar sqarime tek gjenerali britanik Mike Jackson, i cili e kundërshtoi urdhërin e Clark.

“Për fat të mirë në radio u lidh edhe gjenerali Jackson, i cili tha se nuk do t’u lejojë ushtarëve të tij që të fillojnë luftën e tretë botërore dhe dha urdhër që aeroporti të rrethohej”, ka treguar këngëtari.

Blunt shton se edhe pa këtë ndërhyrje, kishte refuzuar ta zbatonte urdhërin e gjeneralit Clark, i cili më vonë u shkarkua para kohe nga posti i komandantit të NATO-s në Evropë. /TCH/

KOMENTOJE