Maturantët e gjimnazit 25 Maj – Tuz, protestojnë ndaj largimit nga puna e prof. Mark Lucgjonaj /foto+video/

Maturantët e shkollës së mesme “25 Maj” në Tuz, të hënën e kaluar (15 nëntor) protestuan në shenjë mosknaqësie për largimin nga puna e prof. Mark Lucgjonaj, profesor i gjuhës shqipe.
Ata (maturantet) së pari ju drejtuan drejtorisë së shkollës me një kërkese dhe peticion të nënshkruar nga 81 nxënës, ku paralajmëruan drejtorin, se ne rast se nuk kthehet profesori i tyre, protestat do të fillojnë.
Maturantët bojkotuan për një javë lëndën e gjuhës shqipe, por pasi përgjigja nuk erdhi nga drejtoria e shkollës ata të hënën bojkotuan të gjitha orët e mësimit. Bojkotimi i lëndës së gjuhës shqipe vazhdon.
Mësojmë se maturantët e tri paraleleve janë të vendosur që protestat të vazhdojnë deri në kthimin e profesorit të tyre në punë dhe se kjo çështje do të shkojë në të gjitha instancat dhe organet ligjore në Mal të Zi, sepse sipas tyre, i është shkelur e drejta e punës prof. Mark Lucgjonaj.

Jo-zyrtarisht mësojmë se prof. Mark Lucgjonaj, si profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Tuzit punon që 1 vit e gjysmë, dhe se sipas ligjit ai do të duhej të kishte dalë në provimin shtetërorë mbas 1 viti nga dita e parë e punës. Gjithashtu mësojmë se atij i ishte premtuar provimi shtetërorë që nga fillimi i Shtatorit 2010, pasi Lucgjonaj e kishte gati punimin profesional dhe të gjithë dokumentacionin, por megjithatë kërkesa e tij drejtuar sekretarit dhe drejtorit të Gjimnazit i refuzohet dhe me 8 Nëntorë përjashtohet nga puna.
Sipas informatave që morëm nga maturantët, në vend të Lucgjonajt, profesor i gjuhës shqipe pranohet prof. Dimitrov Popovic, i cili sipas tyre nuk ka shtetësi malazeze dhe sipas ligjit përparësi ka Lucgjonaj që është shtetas.
Maturantët sqarojnë “Nuk kemi asgjë kundër prof. Popovic, por jemi kundër padrejtësisë që i është bërë profesorit tonë, dhe duam që ai të kthehet në punë”, ata poashtu shtrojnë pyetje “Nesër ne do të diplomojmë, valle a do të jetë edhe për ne i njëjti fat?”
Bojkoti i lëndës së gjuhës shqipe vazhdon nga maturantët e tri paraleleve të gjuhës shqipe. /Malesia.Org/

VIDEO: http://youtu.be/hxxZpfnLbL8

KOMENTOJE