Përfaqësuesit e pakicave në Mal të Zi ankohen për kujdesin e paktë të vendeve amë

Përfaqësuesit e pakicave në Malin e Zi ankohen se shtetet e tyre amë nuk shfaqin asnjë përkujdesje për gjendjen e bashkëkombasve të tyre në Malin e Zi, njofton KosovaLive.

Në këtë frymë, politikani i njohur shqiptar nga Koalicioni “Perspektiva”, Vasel Sinishtaj thotë se në bisedat që ka pasur me krerët e shtetit shqiptar t’i kenë thënë se ata nuk mund të përzihen në punët e brendshme të Malit të Zi.

Ai thotë se viteve të fundit ka takuar presidentin shqiptar, kryeministrin, ministrin e jashtëm, por nuk ka rezultuar asnjë ndihmë konkrete politike shqiptarëve në Malin e Zi.

”(Kjo) është vështirë të kuptohet nëse merret parasysh se problemi i shqiptarëve këtu është shumë i theksuar, duke e ditur se me propozimligjin e ri zgjedhor mund të na merren edhe të drejtat tona të arritura,” thotë Snishtaj.

Ai thotë se me Kushtetutën e re të Malit të Zi janë definuar disa formulime, por ato nuk përfillen: nuk ekziston përfaqësimi proporcional, nuk ekzistojnë kushtet normale për zhvillimin e institucioneve të arsimit, ndërsa procesi i integrimeve evropiane kalon, por ne nuk jemi të përfshirë fare.

Sinishtaj ka deklaruar se autoritetet shqiptare i kanë thënë se ekzistojnë disa kufizime formale, se ata nuk mund të përzihen në punët e shtetit të pavarur të Malit të Zi.

“Në rregull, atë duhet respektuar, por duhet insistuar edhe në respektimin e të drejtave të shqiptarëve. Mbase kjo nuk mund të shikohet si përzierje në punët e shtetit fqinj”,- shprehet Sinishtaj.

Sipas përfaqësuesit të subjektit politik parlamentar “Perspektiva”, nëse Shqipëria nuk interesohet se si jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, “atëherë nuk e di se për çfarë interesohet”.

Po të njëjtën përgjigje thotë se e ka marë nga Zagrebi liderja e Iniciativës qytetare kroate në Mal të Zi, Maria Vucinovic.

Ajo ka theksuar se autoritetet në Zagreb i kanë thënë se kroatët në Malin e Zi, të drejtat e tyre politike duhet t i kërkojnë në Podgoricë.

Kritika dëgjohen edhe ndaj Sarajevës zyrtare, e cila “nuk interesohet mbi statusin e boshnjakëve në Malin e Zi” /Koha.Net/

KOMENTOJE