Kelmend, 2000 banorë të bllokuar nga Lumi Cem

Malësi e Madhe (Sh) – Në Kelmend vazhdon të jetë e renduar gjendja e krijuar nga reshjet e ditëve të fundit. Prurjet e lumit Cem kanë shkatërruar shumë rrugë që lidhin fshatrat e kësaj komunë, më e thella malore në vendin tonë.

Së paku 2000 banorë të fshatrave Vukël, Kozhnjë, Nikç dhe Muriq, prej më shumë se një javë nuk mund të komunikojnë me qendrën e zonës, Tamarën, për shkak të shkatërrimit të rrugës. Për riparimin e saj po punojnë mjetet e ushtrisë, por reshjet që vazhdojnë të bien e kanë vështiruar tej mase punën.

Prurje të rrëmbyera të Cemin kanë shkaktuar dëme edhe në shumë shtëpi, ndërkohe që dyqani i vetëm i kësaj zonë është dëmtuar krejtësisht me gjithë mallrat artikujt ushqimor që kishte brenda. Nënprefekti i Malësisë së Madhe, Syti Ndrecaj, thotë se po bëhen te gjitha përpjekjet për normalizimin e gjendjes ku për ketë janë përqendruar në zonë shumë mjete.

Ky dimër duket se do të jetë i vështire për banorët e komunës së Kelmendit. Vështirësitë filluan me reshjet e shiut, por së shpejti në ketë zonë fillon të bjerë dëbora, trashësia e të cilës e kalon një metër. /TV1CH/

KOMENTOJE