Tuz, Malësi – Një sërë aktivitetesh shënuan 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë edhe në Malësi.
Të shtunën, me 27 Nëntor nën organizimin e udhëheqësisë së Komunës Urbane të Tuzit, në objektin e komunës, krahas atij shtetërorë u vendos flamuri Shqiptarë.
Të dielën, me 28 Nëntor festimi qendrorë u zhvillua në QIK Malësia në Tuz, salla e cila ishte tepër e vogël për ti nxënë të gjithë ata që shkuan për ta festuar 28 Nëntorin.
Po të njëjtën ditë edhe subjektet politike shqiptare në Malësi festuan 28 Nëntorin me anëtarë, aktivistë dhe mysafirë.
Si vazhdim i traditës së nisur disa vite më parë edhe ne, stafi i portalit Malesia.Org në bashkëpunim me Caffeterin Martini në Tuz, festuam së bashku me “Konjak Skënderbeu për Flamurin e Skënderbeut”. /Malesia.Org/
Në ndërtesën e KU të Tuzit, u vendos edhe flamuri shqiptar
Tuz, 27 Nëntor – Kryetari i Komunës Urbane të Tuzit Nikollë Gegaj vendosi që me rastin e ditës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, para objektit të Komunës Urbane të Tuzit, krahas flamurit shtetëror, të vendosin edhe flamurin nacional shqiptar. Kjo, për herë të parë u bë në mënyrë publike, çka sipas kryetarit Gegaj, shënon një ngjarje historike për shqiptarët në Mal të Zi, pasi që nesër është një ditë e madhe, një ditë madhështore për popullin tonë 28 Nëntori, Dita e Flamurit tonë Kombëtarë, dita kur Ismail Qemali , ngriti Flamurin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në Vlorë, në vitin 1912. Po ashtu këtë tubim e përshëndeti edhe Ministri Ferhat Dinosha, i cili edhe ishte iniciatori për vendosjen e këtij flamurit.
Dinosha tha se është rast që sot të kemi gëzim të veçantë, për arsye se në këtë ndërtesë, do të jetë dhe do të mbes flamuri ynë, i cili do të valëvitet, natyrisht krahas atij shtetëror. Është bërë kjo me nismën e Ministrisë në krye të cilës jam unë, pas një konsulte që kam pasur me kryeministrin Millo Gjukanoviq dhe zëvendës kryeministrit Svetozar Maroviq, tha nder te tjerat Dinosha. Kjo vendosje e flamurit është ne pajtim me ndryshim-propozimet që do ti mbaj ligji i ri për përdorimin e simboleve kombëtare, dhe këto ndryshime shkojnë në këtë drejtim, atje ku pakica bën shumicën, ose përqindje të mirë të popullsisë, do të jetë i lirë përdorimi i flamurit të asaj pakice.
Flamurin e vendosen bashkërisht kreu i Komunës dhe Ministri Pakicave, e ky gjest solemn u përcoll me urime por jo edhe me duartrokitje, të asnjërit nga pjesëmarrësit e ceremonisë.
Duhet të ceket se pjesëmarrës ishin edhe përfaqësuesit e të gjithë subjekteve politike të përbërjes së Kuvendit të Komunës Urbane, të cilët e përshëndeten këtë hap që kanë ndërmarrë, por duke thënë se një gjë e tillë nuk është e rregulluar me ligj dhe sipas kësaj ky flamuri sot do të duhej të ishte vendosë edhe para disa qendrave tjera publike në trevën e Malësisë, si në shtëpinë e kulturës, stacionin e policisë, shtëpinë së shëndetit, dhe institucionet shkollore. Vlen të përkujtojmë se jo shumë më parë, në kërkesën e kryesisë së Komunës Urbane, në bazë të pyetjes së këshilltarit të Lidhjes Demokratike, Nikollë Camaj, me datën 6 tetor 2010, përgjigjet se në ligjin për përdorimin e simboleve kombëtare, nuk është i lejuar përdorimi i simbolit të asnjë pakice kombëtare. Edhe kryebashkiaku, Miomir Mugosha, me datën 26 nëntor 2007, i përgjigjet negativisht kërkesës së Alternativës Shqiptare për vendosjen e flamurit kombëtar. Nga kjo del se pushteti aktual, gjen dhe posedon forcën që para 3 vitesh, por edhe para 1 muajit të përgjigjet negativisht në këto kërkesa, për derisa sot gjen vullnet të mirë të përgjigjet pozitivisht. Vlen të përmendet se edhe përkundër këtij realiteti, pra kundërshtimeve paraprake të Podgoricës zyrtare, edhe pushteti i mëparshëm vendoste Flamurin Kombëtar për festat tona kombëtare, por pa një ceremoni si këtë te sotmen, kurse në sallën e kuvendit ishte tërë kohën. Bashkëbiseduesit e TV BOIN, i cili ishte prezent në ceremonial, nga radhët opozitës në Tuz, Smail Çunmulaj, Nikollë Camaj, Kolë Lulgjuraj, Muhamed Gjokaj, shprehin dyshimin në lidhje me një vendim të tillë, si vendim të qëndrueshëm, por ata nuk e përmbajti gëzimin dhe fjalët e mira për faktin se Flamuri Shqiptar do të qëndrojë aty ku u vendos dhe se kalimtaret do ta vërejnë, por mund të hetohej edhe dyshimi i tyre se mos kemi të bëjmë vetëm me një marketing të rastit.
Pas ceremonisë, Kryetari i KU, Nikollë Gegaj shtroi një koktej për të pranishmit. /Burimi: Tv Boin/ /Malesia.Org/
Festimi qendrorë i 28 Nëntorit në QIK Malësia
Tuz, 28 Nëntor – Festimi qendrorë i Ditës së Flamurit u zhvillua në sallën e QIK Malësia e cila ishte tepër e vogël për ti nxënë të gjithë ata që erdhën për të festuar. Edhe pse programi ishte caktuar të fillonte në orën 18:00, gati një orë më herët të gjitha ulëset, por edhe hapësira përreth ishte e mbushur dhe shumë qytetarë nuk patën mundësi të hyjnë brenda.
Me pikat e veta para publikut u shfaqen ansamblet: SHKA Rapsha, SHKA Gruda, SHKA Dedë Gjon Luli, SHKA Liria, SHKA Koha, SHKA Besa e Trieshit, SHKA Besa dhe SHKA Shqiponja. Gjithashtu morën pjesë rapsodët: Jonuz Delaj, Gjon Frroku dhe Vëllezërit Lleshi.
Të pranishmëve ju drejtua ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi z. Tonin Beci i cili edhe shtroi një koktej modest. /Malesia.Org/
Lidhja Demokratike – Dega e Malësisë shënoi 28 Nëntorin
Tuz, 28 Nëntor – Në vazhdën e aktiviteteve të veta, edhe sivjet, Lidhja Demokratike në Mal të Zi-Dega e Malësisë, shënoi 28 Nëntorit, Ditën e flamurit, duke vazhduar kështu traditën e filluar para plot 20 viteve.
Pra, ky manifestim u përputh edhe me 20 vjetorin e themelimit të LDnëMZ, si subjekt i parë që, me programin e vet, mori përsipër shënimin e datave të rëndësishme nga e kaluara jonë, siç janë 28 Nëntori, 6 Prilli, e më vonë, këtyre datave, iu bashkëngjit edhe 17 Shkurti.
Të pranishmëve, afër 60 persona; anëtarë, aktivistë dhe mysafirë, iu drejtua kryetari i Degës z. Nikollë Camaj, i cili duke uruar 28 Nëntorin, Ditën e flamurit dhe festen gjithëkombëtare, potencoi faktin se flamuri, si simbol universal kombëtar, për shqiptarët duhet të ketë funksionin e bashkimit, të unifikimit, sepse që të gjithë krenohemi me të, pa marrë përsyshë bindjet tona politike.
Në fund, Nikollë Camaj i falënderoi të gjithë të pranishmit për nderimin që i bënë Ditës së flamuri dhe subjektit që organizoi këtë takim, me shpresë se në të ardhmen shqiptarët do ti gjejë më të bashkuar. /Malesia.Org/
Festojmë 28 Nëntorin me “Konjak Skënderbeu për Flamurin e Skënderbeut”
Tuz, 28 Nëntor – Edhe stafi i portalit tonë Malesia.Org, tashmë si traditë festuam Ditën e Flamurit me shoqërinë dhe mysafirët tjerë në lokalin e Caffeterisë Martini në Tuz, për të cilët që nga mëngjesi e deri në orët e vona të natës së dielës u shërbye konjak Skënderbeu falas.
Orë historike nga “Historianët e Rinj” pranë gjimnazit “25 Maji” në Tuz
Tuz, 29 Nëntor – Me rastin e 28 Nëntorit,ditës së pavarësisë së Shqipërisë,në lokalet e gjimnazit “25 Maji” në Tuz u organizua një orë historike, me tema të përzgjedhura kushtuar ngjarjeve lidhur me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.
Temat e kumtuara ishin përgatitur nga grupi “Historianët e Rinj”, i cili vepron pranë kësaj shkolle nën udhëheqjen e prof. Mark Junçaj. Ky grup nxënësish të kësaj shkolle organizon në kontinuitet orë të tilla historike me rastin e ngjarjeve të shënuara nga historia jonë kombëtare. Ora historike e realizuar ditën e hënë,më 29 nëntor u përcoll me mjaft interesim nga nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle,në shenjë respekti për këtë ngjarje të lavdishme. Kumtesat e paraqitura ishin përgatitur mjaft mirë,nga nxënësit, anëtarë të këtij grupi :
Kristjan Dukaj – “Shqipëria në prag të pavarësisë”
Liridon Vulaj – “Lufta e parë ballkanike dhe Shqipëria”
Alldina Qetkoviq – “Shpallja e Pavarësisë”
Nikolina Nicaj – “Pranimi i Shqipërisë në arenat ndërkombëtare”
Viktor Ujkaj – “Rëndësia e shpalljes së pavarësisë”
Ndërkaq moderatorja e këtij takimi Envera Lulanaj paralajmëroi nxënëset Afërdita Vulaj, Merita Dedivanaj dhe Donika Lulgjuraj, të cilat recituan vargje të zgjedhura kushtuar kësaj ngjarje të lavdishme historike.