Flamuri shtetëror i Kosovës i padëshirueshëm gjatë fushatës

Flamuri shtetëror i Kosovës nuk është përdorur gati se aspak gjatë fushatës zgjedhore nga ana e partive politike, ndërsa Flamuri Kombëtar shqiptar është përdorur gjerësisht nga simpatizantët e partive politike.

Disa parti kanë vlerësuar se flamuri shtetëror konsiderohet si i imponuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe si i tillë ai nuk prezanton aspak simbolikën e luftës shqiptare për liri dhe pavarësi.

Ndërkaq, edhe Himni Kombëtar kryesisht ka dominuar mbi atë të Kosovës, për të njëjtën arsye.

Vetëm ndonjë parti, krahas Flamurit Kombëtar dhe atyre partiakë, ka përdorur edhe ndonjë flamur shtetëror të Kosovës, ndërsa flamurin shtetëror disa subjekte serbe të Kosovës e kanë futur edhe si pjesë e spoteve të tyre të fushatës zgjedhore.

Në disa tubime partiake, partitë politike si LDD dhe AAK-Lista LDK Rugova kanë përdorur edhe flamurin e presidentit Ibrahim Rugova. /KNN/

Zgjedhjet në Kosovë – Përmbyllet fushata, heshtje zgjedhore

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit, ka përfunduar të premten në orën 24:00, ndërkohë që të shtunën në orën 07:00 do të fillojë heshtja zgjedhore e medieve, e cila do të zgjasë deri në mbylljen zyrtare të vendvotimeve. Zgjedhjet parlamentare të së dielës, të parat në Kosovën e pavarur, shihen edhe si test i rëndësishëm për demokracinë e shtetit më të ri në botë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se janë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve të lira parlamentare. Numri i përgjithshëm i votuesve për zgjedhjet e 12 dhjetorit është 1 milion e 630 mijë e 636 persona. KQZ-ja po ashtu ka bërë të ditur se do të fillojë shpërndarja e materialit të ndjeshëm në të gjitha depot e komisioneve komunale. Ndërsa, të dielën, në orët e hershme të mëngjesit, ky material do të shpërndahet nëpër qendra dhe vendvotime.

Për gjithë procesin parashihet të përkujdeset Policia e Kosovës, e cila ka angazhuar rreth 6 mijë zyrtarë policorë. Për mbarëvajtjen e procesit, KQZ-ja ka paraparë që të ketë edhe listën alternative prej 75 vendvotimesh, kryesisht për viset e banuara me serbë. Kurse, 114 ekipe mobile janë lënë në dispozicion për votimet në veri të Kosovës. Zgjedhjet e së dielës do t’i monitorojnë mbi 32 mijë vëzhgues, prej tyre, mbi 26 mijë u përkasin partive politike, 493 organizatave ndërkombëtare, 351 ambasadave si dhe mbi 5 mijë vëzhgues nga organizatat joqeveritare.

Komisioni i Pavarur për Media, për të ndihmuar të licencuarit që të veprojnë në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet, ka nxjerrë tre udhëzues, sipas të cilit “asnjë person ose medium nuk transmeton ose publikon çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës gjatë periudhës që fillon njëzetekatër (24) orë para hapjes së vendvotimeve deri në mbylljen zyrtare të vendvotimeve”. Kjo ndalesë përfshinë transmetimin e deklaratave të kandidatëve që garojnë për zgjedhjet e përgjithshme, transmetimin e çdo aktiviteti të subjektit politik të certifikuar dhe deklaratat e pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.

Në zgjedhjet e së dielës, zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pavarur, do të marrin pjesë 29 subjekte politike, me gjithsej 1.265 kandidatë për deputetë në Kuvendit të Kosovës. Gara do të zhvillohet për 100 ulëse në Parlament, pasi që 20 ulëse të tjera janë paraprakisht të rezervuara: 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera pakicë. /Telegrafi/

KOMENTOJE