Duke ndarë shqetësimin me Shqipërinë pas përmbytjeve që kanë përfshirë Shkodrën me rrethinë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë një shumë prej 1 milion euro ndihmë për qytetarët e Shkodrës që ta përballojnë situatën emergjente. Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje edhe qytetarëve të Kosovës që të solidarizohen me qytetarët e Shqipërisë dhe të mbajnë dyert hapur për të krijuar strehë për ato familje që kanë pësuar nga vërshimet.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi ka ndarë po ashtu edhe 500 mijë euro për sanimin e dëmeve që kanë shkaktuar vërshimet në Kosovë, përderisa ka shtuar se vendimi tjetër do të vijë pas vlerësimit të dëmeve.
Kam vendosur që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për vëllezërit nga Shqipëria, nga Shkodra dhe rrethina, të ndajë 1 milion euro, ndërsa është në dispozicion i gjithë potenciali shtetëror dhe human për të lehtësuar pasojat e katastrofës natyrore që ka goditur ata. Sa i përket prezencës në terren, në Shkodër dhe rrethinë, tani kemi marrë masat dhe janë dërguar njerëzit tanë atje dhe unë kam ftuar gjithë qytetarët e Kosovës, gjithë autoritetet komunale që të tregojnë autoritetin e tyre shtetëror, por edhe human e qytetar në shërbim të solidaritetit të plotë me qytetarët në Shkodër dhe rrethinë. Ndërsa për Kosovën në këtë rrethanë që është krijuar kemi ndarë gjysmë milioni euro për ndihma në raste të rënda dhe emergjente, pastaj kur të ndodhë vlerësimi në çdo komunë do të marrim vendimet tjera, ka thënë Thaçi.
Ai ka ftuar edhe njëherë të gjithë qytetarët e Kosovës për solidaritet me qytetarët e Shqipërisë.
Thaçi ka thënë se edhe Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë është në Shkodër dhe sot do të vazhdojë dërgimi i trupave shtesë të FSK-së, por do të ketë ndihma edhe sa u përket aspekteve të tjera logjistike dhe infrastrukturore, por edhe ekipeve mjekësore nga Kosova.
Pavarësisht fushatës zgjedhore, kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë ta kryej punën me përgjegjësi të lartë, duke qenë në shërbim të qytetarëve, ndërkohë nuk ka saktësuar nëse mbledhja e sotme është e fundit për këtë mandate.
“Edhe mund të jetë e fundit, edhe mund të mos jetë e fundit, varësisht nëse ne i kryejmë obligimet tona shtetërore dhe jemi në shërbim të gjithë qytetarëve, pra varësisht nga situate ne do të mbajmë edhe mbledhje, por nuk do të jetë e fundit”, ka thënë Thaçi.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe udhëzimin që Komisioni qendror për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, i cili përbëhet nga stafi civil, përfaqësues nga ICO dhe Komisioni Evropian, nga komuniteti serb dhe komunitetet tjera, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe nga shoqëria civile, të vazhdojë punën e përshpejtuar për këtë proces. /koha.net/