Reportazh nga veriu i Shqipërisë – Shkodra në përpjekje për të shëruar dy plagë të rënda

Anëtarët e Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” mundoheshin të mos tregonin lodhjen e streset nga përmbytjet e mëdha në truallin e tyre. Ata, edhe në këtë atmosferë, nuk kishin mundur ta lenin të shkonte pa bërë gjë Dita Botërore e të Drejtave të Njeriut. Ata bashkë me Shkodrën e molisur po mundoheshin të shëronin plagët e përmbytjeve dhe plagën e madhe të gjakmarrjes

Shkodër, 11 dhjetor – Edhe më 11 dhjetor rrugëtimi drejt Shkodrës ishte tepër i vështirë. Gjendja në autostradën e kombit e qetë dhe normale, por me t’u afruar te fshati Bushat pamjet ndryshoheshin dhe njeriu nuk kishte si të mos e ndjente gjithë atë stres e gjithë atë ngarkesë përballë pamjeve të vendbanimeve të mbuluara nga uji. Policia shqiptare qëndronte në udhëkryqin e Bushatit dhe udhëzonte drejtuesit e makinave që të merrnin rrugët dytësore përmes fshatit Mjedë nëse kanë mendjen të shkojnë në Shkodër. Kjo rrugë ishte e vjetër dhe tani edhe mjaft e ngarkuar. Anash pamjet tregonin se uji ende po mundohej të shtonte problemet, por banorët atje nuk ishin ligur. Në një rrugëtim të tillë ishin në këtë 11 dhjetor edhe delegacioni i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” e me ta edhe dy vëllëzër nga Medvegja e Kosovës Lindore, veprimtarët Rexhep Abazi e Shefki Halimi. Me të parë se je nga Kosova ndaleshin e kuvendonin si vëllai me vëlla dhe nuk harronin të shprehnin mirënjohje të thella për humanizmin e treguar nga shteti dhe populli i shtetit vëlla. Shkodra dukej e lodhur nga furtunat e ujit dhe nga përballja me të. Ky qytet i krenarisë shqiptare më 11 dhjetor ishte në përpjekje për të shëruare dy plagë të rënda. Anëtarët e Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” mundoheshin të mos tregonin lodhjen e streset nga përmbytjet e mëdha në truallin e tyre. Ata ,edhe në këtë atmosferë, nuk kishin mundur ta lenin të shkonte pa bërë gjë Dita Botërore e të Drejtave të Njeriut. Ata bashkë me Shkodrën e molisur po mundoheshin të shëronin plagët e përmbytjeve dhe plagën e madhe të gjakmarrjes. Këta veprimtarë të prirë nga kryetari i tyre Ndue Sanaj po organizonin Konferencën “Gjakmarrja realitet apo retorikë”.

Dy plagët e rënda

“ Me vërshimet sikur jemi mësuar dhe falë forcës që po na jep Zoti dhe ndihmës vëllazërore nga Kosova e vende të tjera po e përballojmë më lehtë këtë plagë, por është një plagë shumë më e rëndë e që po ia zë frymën fëmijëve e pleqve të kësaj ane me dekada e vite. Gjakmarrja po na shkreton e po na le me lot në sy. Ajo po vret ardhmërinë e shumë fëmijëve dhe ardhmërinë e gjithë kombit tonë në këtë pjesë të Shqipërisë”, shprehet me dhembje kryetari i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” duke u uruar mirëseardhje në emër të organizatorit të Konferencës, vëllezërve nga Shoqata “Martin Dreshaj”, që këtu po merrnin pjesë bashkë me dy veprimtarë nga Medvegja.

“Rrugëtimi ishte shumë i vështirë, por nuk kemi mundur pa ardhur. Me këtë ,edhe një herë, Ju dëshmojmë se në festa e në halle do të jemi sot e gjithmonë bashkë”, ia ktheu Ukshin Jashari, kryetar i Shoqatës nga Kosova. Pas kësaj me fjalën e rastit të Sanajt Konferenca nisi punimet. Arqipeshkvi Shkodër- Pult, z. Angle Messafra ka falënderuar fillimisht vëllezërit nga Kosova dhe gjithë miqtë që i janë gjetur Shkodrës e Shqipërisë në këto ditë të vështira të vërshimeve e pastaj ka shpalosur brengat për plagën e rënd të gjakmarrjes. Ai ka lavdëruar të parët e të dy besimeve fetare për angazhimet në zbutjen e kësaj plage, por shërimin e plotë e ka parë në shtetin dhe respektimin e ligjeve. Pas tij me kumtesa përmbajtjesore para pjesëmarrësve të Konferencës janë prezantuar intelektualë të njour nga Shkodra e gjithë trojet tjera shqiptare. Luigj Shyti, Luigj Mila e Prel Milani në pjesën e parë tematike të Konferencës kanë bërë një shpalosje të fakteve nëpër shekuj lidhur me vrasjet dhe gjakmarrjen te shqiptarët, por edhe të popujt tjerë në Ballkan e Evropë. Ata kanë kundërshtuar e kanë hedhur poshtë, edhe një herë, me fakte deklarimet publike dhe botimet e autorëve nga radhët e popujve me ndjenja armiqësore ndaj shqiptarëve, të cilët, si than ligjëruesit, janë mundur që në Evropë e botë të ngulisin bindjen se shqiptarët janë primitivë dhe se gjakmarrjen e kanë në gjak. Këta ligjërues kanë sjellë fakte e argumente se kjo plagë ka rënduar shumë edhe në jetën e popujve të tjerë, të cilët janë vrarë e nakatosur në emër të hakmarrjes e gjakmarrjes. Autorët e këtyre kumtesave janë angazhuar me argumente që shteti të kryej punën e tij dhe të ndikojë me vënien në jetë të ligjeve kundër gjakmarrjes dhe vrasjeve në përgjithësi. “ Pa e Sharë as edhe herë Kanunin, atë do vënë në vitrinat më të bukura të bibliotekave e muzeve, por jo edhe në përdorim”, kanë apeluar ata dhe pastaj kanë prezantuar edhe shifra të vrasjeve në emër të gjakmarrjeve . Këto jetë po të ishin shuar edhe në ndonjë luftë me shtete e kombe tjera do të ishte shumë”, ishte vlerësim i përgjithshëm i pjesëmarrësve. Pas kësaj në Konferencë është lexuar nga koordinatori për trojet etnike i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” një apel e lutje drejtuar Konferencës dhe gjithë familjeve të hasmëruara.

“Vëllezër e motra , Ju sjellim këtu lutjet e bëra në kishat shqiptare në Kosovë e në xhamitë tona për festa e mëdha, Ju sjellim këtu lutjet e urimet e shkollarëve të Pejës, Dukagjinit, Koosvës, Medvegjës, tërë Kosovës Lindore, të Hotit, Grudës, Kojës, Trieshit, Dacajve, Rozhajës e tërë Malësisë që Zoti të zbres paqe mes njerëzve të një gjaku, që shteti të bëj punën e tij dhe të mbretërojë në zemrat e njerëzve, jo urrejtja e prirja për gjakmarrje, po mirëkuptimi, dashuria e qetësia. Urojmë nga zemrat e shpirti që kjo plagë e rëndë të shërohet dhe që fëmijët e ngujuar të shohin dritën, shkollën dhe bukuritë e jetës”, është thënë në apelin e Shoqatës “Martin Dreshaj”.

Të pranishmit janë ndjerë të emocionuar dhe nuk kanë munguar as lotët, kur atyre dhe Shkodrës i është drejtuar veprimtari nga Medvegja , prof. Rexhep Abazi. Ai pasi është angazhuar në gjetjen e mundësive për shërimin e kësaj plage, ka lexuar fjalët e mësuesit në pension Sadri Sadriu, nga Nedvegja.

“Neve në Kosovën Lindore na vrau me vite e shekuj serbi dhe na e mbuloi diellin me errësirë. Fëmijët tanë kurrë nuk ishin të lirë të ecnin e shkolloheshin pa frikë. JU lus o vëllezër në Shkodër e Malësi të mos ngritni dorë mbi njëri- tjetrin. Shqipërisë e tërë shqiptarisë nuk i duhen kurrë më vrasjet e loti, po dielli dhe buzëqeshja e fëmijëve” , thuhej në mesazhin e mësuesit nga Medvegja.

Pjesëmarrësit e Kësaj Konference kanë përgatitur një Deklaratë të Konferencës me të cilën i janë drejtuar presidentit të Shqipërisë, kryetares së Parlamentit, kryeministrit, Grupit parlamentar të PD-së e PS, Ministrit të Punëve të Brendshme, të Drejtësisë dhe gjithë mediave të shkruara e vizuale në Shqipëri. /Rrahman Jasharaj, koordinator i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin DReshaj”/

KOMENTOJE