Partitë shqiptare në Malin e Zi deponojnë versionin e Kodit zgjedhor

Tri partitë opozitare shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi kanë kërkuar të shtunën që Grupi punues për hartimin e Kodit të ri zgjedhor, që krahas propozimit të qeverisë dhe të opozitës, të shqyrtojë edhe iniciativën e këtyre subjekte nacionale parlamentare shqiptare lidhur me Kodin e ri zgjedhor.

Unioni Demokratik i Shqiptarëve që merr pjesë ne qeverinë malazeze, nuk ka deklaruar se mbështet simotrat shqiptare.

Tre deputetët shqiptarë, në letrën e përbashkët dërguar kryeparlamentarit malazias, Ranko Krivokapic, të nënshkruar nga Mehmet Bardhi i Lidhjes Demokratike, Genci Nimanbegu, deputet i Forcës së Re Demokratike, dhe Amir Hollaj nga Lista shqiptare “Perspektiva” thonë se nuk u përket atyre propozimi i Kodit zgjedhor që ka deponuar e opozita.

“Kërkojmë që Grupi punues në vazhdimin e punës, të marrë në shqyrtim edhe propozimin tonë, përkatësisht edhe propozimet e anëtarëve të Grupit punues që do të inicojnë”, thotë Mehmet Bardhi.

Deputetët shqiptarë nuk heqin dorë nga zona e posaçme zgjedhore shqiptare, as nga 5 mandatet e garantuara të definuar edhe Kushtetutë.

Ky është dokumenti i parë i përbashkët i tri partive parlamentare shqiptare adresuar kreut të Kuvendit të Malit të Zi në këtë mandate. /Koha.Net/

KOMENTOJE