Zgjedhjet në Kosovë – KQZ: PDK 33,5 %, LDK 23.6 %, Vetëvendosje 12, 2 %…

Prishtinë, 13 dhjetor – Me një vonesë prej disa orësh, nga koha kur ishte paralajmëruar ora kur KQZ do të shpallte rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme të Kosovës, më në fund para pak çastesh KQZ ka shpallur këto rezultate. Sipas KQZ-së, në bazë të rezultateve preliminare, në këto zgjedhje ka fituar me një diferencë të theksueshme Partia Demokratike e Kosovës (PDK) më 33, 5 për qind të votave, e dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 23.6 %, pason Vetëvendosja me 12,3 %, AAK me 10, 8 %, ARK me 7,1 për qind.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, LDD dhe FER nuk kanë arritur të fitojnë vota të mjaftueshme për të siguruar pragun zgjedhor, sepse FER ka fituar 2,2 % të votave dhe LDD vetëm 3,3 % të votave .
Valdete Daka, kryetare e KQZ-së në konferencën për shtyp, të organizuar me rastin e shpalljes së rezultateve preliminare tha se në këto zgjedhje kanë votuar gjithsej 712, 526 votues, ose 47,5 për qind nga numri i parashikuar i votuesve.
Sipas KQZ –së në këto rezultatet nuk janë përfshirë 23 vendvotime, 10 nga të cilat janë në Prishtinë. Gjithashtu KQZ-ja në rezultatet preliminare nuk ka përfshirë 28 mijë e 564 votat me kusht. /Koha Net/

Partitë dorëzuan 171 ankesa

Deri në orën 19:00, kur ka qenë afati i fundit për paraqitjen e ankesave të partive politike, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar 171 ankesa, nga të cilat 131 janë paraqitur të hënën.

Lajmin e bëri të ditur Mul Desku, kryeshef i Sekretariatit të PZAP-it, njofton REL.

Desku tha se ankesat lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor të së dielës, kanë ardhur kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje, por edhe nga Aleanca Kosova e Re dhe disa parti të tjera. /Telegrafi/

KOMENTOJE