Shpifjet serbe dëshmojnë racizëm dhe zhgënjim

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka hedhur poshtë shkrimet e “Politikës” së Beogradit për pjesëmarrjen në tregtinë me armë, gjatë luftës në Kosovë 1998/1999. “Pretendimet e ‘Politikës’, që është zëdhënëse e ultranacionalizmit serb dhe avokate e gjenocidit serb në Kosovë, nuk janë asgjë tjetër, pos shpifje raciste”, ka thënë kryeministri Berisha për agjencinë e lajmeve AFP.

Gazeta “Politika” e Beogradit ka shkruar të hënën se “Berisha ka qenë një nga tregtarët kryesorë me armë në kohën e luftës në Kosovë, ndërsa shtëpia e tij në Tropojë ka qenë qendër për blerjen e armatimit”. Siç pohon kjo gazetë, emri i Berishës përmendet nga katër dëshmitarë në dokumentet e Prokurorisë serbe për Krime të Luftës.

Berisha, raportet e “Politikës” i ka lidhur me “histerinë anti-shqiptare të udhëhequr nga Dick Marty”, të cilin e ka quajtur “një racist, që pa asnjë provë, është duke u përpjekur të hedhë baltë në luftën e shqiptarëve të Kosovës”.

“Forma, në të cilën janë bërë akuzat, vetëm mund të më nderojë”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, për të shtuar se “shpifjet që “Politika” e Beogradit dhe Dick Marty janë duke propaganduar sërish … dëshmojnë racizmin, verbërinë e tyre dhe zhgënjimin e madh të tyre me çlirimin e një populli”.

Në intervistën për AFP-në, të cituar nga REL, kryeministri Berisha ka vënë në pah se “Shqipëria do të jetë e hapur për çfarëdo hetimi që ndërlidhet me luftën në Kosovë dhe rastet tjera nga ana e EULEX-it dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës”. /REL/

KOMENTOJE