Dinosha mbetet ministër edhe në qeverinë e ardhshme të Malit të Zi

Kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ditën e hënë ka dekretuar mandatarin e ri, Igor Lukshiq, kandidat i Partisë Demokratikte të Socialistëve /PDS/, pasi lideri i saj dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit.
Luksiq ditën e martë në Parlamentin e Malit të Zi do të paraqesë ekspozeun edhe propozimin e kabinetit të tij, i cili do të ketë dy nënkryetarë dhe 15 ministra.
Sipas Kosovalive, ministri aktual për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Ferhat Dinosha, lider i Unionit Demokratik të Shqiptarëve /UDSH/, do të këtë post edhe në përbërjen e re të qeverisë së ardhshme malazeze. Ai është i vetmi shqiptar në qeverinë malazeze, edhe pse shqiptarët kërkojnë vazhdimisht pjesëmarrje më të madhe, së paku sipas proporcionit të tyre në shkallë vendi.
UDSH që në vitin 1997 kur përkrahu PDS-në e Milo Gjukanoviq-it, udhëheq me Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave.
Partitë opozitare nacionale shqiptare vazhdimisht e kritikojnë punën e kësaj ministrie “për familjarizëm dhe anashkalim të interesave të shqiptarëve, duke filluar nga statusi i plotë i Komunës së Tuzit dhe decentralizimi i pushtetit në Ulqin”.
Liderët e partive opozitare shqiptare, në konsultimet që kanë pasur me kryetarin e shtetit Vujanoviq kanë deklaruar se e përkrahin kandidaturën e mandatarit të ri, por kjo varet edhe nga ekspozeu dhe përbërja e qeverisë.
Andaj ende nuk është e qartë se si do të votojnë deputetët shqiptarë, Genci Nimanbegu nga Forca e Re Demokratike, Amir Hollaj nga Perspektiva dhe Mehmet Bardhi, përfaqësues i Listës shqiptare, i cili përkrahjen e qeverisë së re e ka kushtëzuar me decentralizimin e pushtetit, avancimin e Komunës së Tuzit në komunë të plotë dhe heqjen e maketës së Kishës Ortodokse nga maja e malit të Rumisë.
Ndërkaq, Forca e Re Demokratike ka kërkuar kthimin e pronave dhe hartimin e planeve urbanistike, kurse Amir Hollaj nga Perspektiva më shumë investime në Anën e Malit dhe në viset tjera kufitare në Mal të Zi, sepse katundet etnike shqiptare kanë shkallën më të lartë të papunësisë në vend. /Koha.Net/

KOMENTOJE