Vazhdon të jetojë shpirti i traditës së Shestanit

Me rastin e shënimit të pesëmbëdhjetë vjetorit të themelimit të Shoqatës “Dom Gjon Buzuku” , i cili u mbajt në Pallatin e Kulturës të Ulqinit, më 20 nëntor 2010, shestanasit e rinj të tubuar në Grupin Folklorik “Buzuku” u paraqitën në skenë për herë të parë me veshjen e tyre popullore. Nëntë djem të rinj të veshur me kostumin e harruar me vite të burrave të kësaj krahine të lashtë shqiptare të Krajës dhe tetë vajza (shestanesha) të reja shkëlqyen në skenë si asnjëherë më parë, para syve të prindërve të tyre dhe të publikut të shumtë, që kishin ardhur këtë mbrëmje nga treva të ndryshme shqiptare, për të mbështetur nismën e mbarë dhe dëshirën e madhe të kësaj shoqate kulturore për të prezentuar premierë vallet e bukura popullore të Shestanit. Përfaqësimi i këtij grupi folklorik u prit me shumë interes. Larmia e veshjes popullore e Shestanit dhe performanca e valltarëve në skenën e punuar me shije artistike entuziasmoi jo vetëm pjesëmarrësit e këtij aktiviteti të rëndësishëm kulturor do të thoja për të gjithë komunitetin shqiptar, por edhe të pranishmit, të cilët me ovacione përcollën lëvizjet koreografike të këmbëve, duarve, kokës dhe shtatit në përgjithësi të të gjithë valltarëve, të gërshetuara me melodi të vjetra dhe tekst. Në këtë festë të Shestanit, nëse mund të quhet kështu, u vërtetuan disa vlera. Së pari u ringjall ( rikthye) vesha e burrave të shestanit me tirq, xhamadan dhe qeleshe. Së dyti u faktua origjinaliteti dhe lashtësia e veshjes popullore të trevës. Së treti u dëshmua gatishmëria për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të pakontestueshme të kësaj pjese të populllit tonë. Së katërti u tregua se shestanasit përmes folklorit kanë shprehur gjithmonë emocionet e tyre si në gëzim ashtu edhe në hidhërim. Së pesti kuptuam deri në një masë nivelin e zhvillimit kulturor si dhe psikologjinë e trevës. Së gjashti u tregua se vazhdon të jetojë shpirti i traditës së Shestanit Së shtati u realizua ëndrra e çdo shqiptari për ti parë dhe kërcyer këto valle, me të cilat krenohen të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, sepse ato janë pasuri e mrrekullueshme e populllit tonë. Së teti vallet dhe këngët e Shestanit janë dëshmia më e mirë e ekzistimit në trojet e tyre etnike shekullore dhe janë motiv i jetës dhe ekzistencës së tyre të vështirë ekonomike gjatë regjimeve dhe sunduesve të ndryshëm, të cilët pothuaj gati ia arritën të asimilojnë këtë pjesë të lavdishme të kombit tonë, e cila fatmirësisht është në rrugë të mbarë të rikthehet në rrënjët e veta iliro-arbërore. Nga kjo ditë e shënuar për Shestanin, banorët e kësaj trevë, mendoj se më në fund duhet të nxjerrin edhe këtë mesazh: cilësimi i vetes si shqiptar, me gjuhën e vet, nga më të lashtat e botës, me kulturën dhe artin, ashtu si edhe me historinë e tyre shumëmijëvjeçare. Dua të besoj se brezat e ardhshëm të Shestanit kanë filluar ta kuptojnë një herë e përgjithmonë se e kaluara e të parëve të tyre shqiptarë i obligon dhe i detyron të duan kombin, të ruajnë dhe të flasin gjuhën shqipe, të kultivojnë kulturën dhe traditat, duke i krijuar mundësi vetvetes që të ruajnë kurdoherë identitetin tonë kombëtar si një popull i vjetër i Evropës, krahas popujve të qytetërimit të lashtë të kontinentit plak. Nëse veprojnë kështu ata do të bëhen njerëz fisnik, do të pasurojnë shpirtin dhe mendjen. Unë me të vërtetë jam i lumtur që, me përurimin e tre librave të mi, Njëmendësi shqiptare, Gjurmëve të kohës dhe Shqipet e maleve, isha bashkëpjesëtar, i kësaj ngjarje të madhe kulturore, e cila pati jehonë të paparë te popullata vendase, dhe jo vetëm. /Gjekë Gjonaj, Ulqin/

KOMENTOJE