Kritika në adresë të gabuar – Musa Gjoka

Vendimi mbi ndarjen e mjeteve në konkursin e Fondit të pakicave (publikimi i rezultateve të këtij vendimi) ishte temë kujdestare e para dy javëve në mediet si në gjuhën malazeze ashtu edhe në disa shqipe. U shkrua dhe u fol shumë në këtë temë, u thanë kritika të ashpra por të cilat i konsideroi qëllimmira, sepse kur kritikohet puna e kujtdo qoftë, në këtë rast edhe imja, ndikon që në të ardhmen të përmirësohen gabimet eventuale, dhe rezultatet të jenë më të frytshme. Mirëpo, në disa raste u tejkaluan kufijtë e shijes së mirë dhe u përdoren etiketime të pabaza, shpifje dhe akuza pa fakte të cilat flasin më shumë për ata që i drejtojnë. Për hir të së vërtetës dua të jap disa sqarime në lidhje me punën e Këshillit drejtues të Fondit të pakicave në rastin e vendimit në konkursin për ndarjen e mjeteve për vitin 2010, dhe jo vetë në këtë.

Në konkurs për ndarjen e mjeteve në shumën prej 850.000 euro sa ishin në dispozicion, në zyre të Fondit të pakicave arritën 282 projekte të individëve, institucioneve dhe organizatave të ndryshme. Si projekte që temë kishin ruajtjen e identitetit shqiptarë i identifikuam diku rreth 90 sish. Shuma e përgjithshme e mjeteve që kërkoheshin me projekte të identifikuara si shqiptare ishte diku rreth 550.000 euro. Me vendim mbi ndarjen e mjeteve të Fondit të Pakicave për projektet shqiptare ishin të parapara 85.000 euro. Duke u udhëhequr nga principet në bazë të cilave është formuar ky institucion brenda kësaj shumë mjetesh, mbështetje të pjesshme apo të plot fituan 50 projekte. Në mungesë të mjeteve të mjaftuara u detyruam që prioritet tu japim projekteve që u publikuan në web faqe të Fondit dhe në disa mjete të informimit, duke mos e mohuar vlerën e atyre që kësaj radhe nuk fituan mbështetjen e Fondit. Të gjitha projektet e arritura, në këshillin drejtues u shqyrtuan veç e veç duke u vlerësuar nga çdo anëtarë prezent. Projektet në gjuhën shqipe u përkthyen me qëllim që çdo anëtarë i Këshillit që nuk e zoton këtë gjuhë të ketë mundësi të njoftohet me përmbajtjen dhe të bëjë vlerësimin e tyre. Vërejtja mbi përkthimin e formularit për aplikim dhe të teksteve në gjuhën shqipe në Web faqen e Fondit qëndron (përkthimi është bërë me anë të translate.google), mirëpo kjo mund të arsyetohet me mungesë të njohësit të gjuhës shqipe në stafin e Fondit për çka edhe kemi tërhequr vërejtje dhe presim zgjidhje të shpejt. Të përkujtoi lexuesit e nderuar se Këshillin drejtues të Fondit e përbëjnë 15 anëtar, 6 janë përfaqësues të këshillave nacional, një është përfaqësuesi i ministrisë së Pakicave kurse 8 anëtarë të tjerë janë nga radhët e deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi. Shqiptarë në Fond jemi unë si përfaqësues i KNSH-së dhe Mehmet Bardhi e Halil Dukoviqi nga radhët e deputetëve. Këshilli Nacional i Shqiptarëve në këtë konkurs u paraqit me 13 projekte prej të cilave 5 u hedhën poshtë për shkaqe të përmendura më sipër, kurse 8 u mbështetën pjesërisht. Përgjegjës për realizimin e të gjitha projekteve është kryetari i KNSH-së, i cili pastaj cakton se kush do të punoi në realizimin e tyre, dhe kuptohet të gjitha mjetet janë të deponuara në xhirollogari të tij . Emri dhe shuma e të gjitha projekteve janë të publikuara në web faqen e Fondit www.fzm.me. Kritikat që i drejtohen KNSH-së për ndarjen e mjeteve të Fondit janë në adresë të gabuar sepse i vetmi ndikim që ka ky organizëm është përmes meje si një nga 15 anëtarë të barabartë. Shpresoi se me këtë tekst sadopak kam kontribuar që të sqaroi disa dilema rreth ndarjes së mjeteve të Fondit të Pakicave për vitin 2010.

Musa Gjoka (anëtar i Këshillit drejtues të Fondit të Pakicave)

KOMENTOJE