Lufta e UÇK-së, faqe e ndritur e kombit shqiptar

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, priti të enjten në Tiranë, në një takim, ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, njëherësh ish-komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Berisha dhe Çeku biseduan për zhvillimet në Kosovë, duke u ndalur kryesisht tek zgjedhjet parlamentare, por edhe tek raporti i raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

Kryeministri Berisha theksoi se, Lufta Çlirimtare e popullit të Kosovës është një nga faqet më të ndritura të lirisë së kombit shqiptar, por edhe të Ballkanit, pasi i dha fund kolonisë së fundit në Evropë.

Por, theksoi Kryeministri Berisha, pavarësisht se raporti i Dick Martyt, pa asnjë fakt dhe provë, ripërsërit akuza, shpifje dhe trillime të gatuara në Beograd nga Milloshevici dhe ultra-nacionalistë të tjerë serbë, Shqipëria mirëpret dhe është tërësisht e hapur për çdo hetim nga institucione të njohura ndërkombëtare, për çdo problem që lidhet me krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Në këtë kontekst, autoritetet shqiptare kanë ftuar zyrtarisht Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte dhe EULEX-in që të rimarrë përsëri çdo hetim për të zbardhur çdo të vërtetë që ka të bëjë me krimet e luftës apo me krimet kundër njerëzimit, nga kushdo që t’i ketë kryer ato. Ai tha se autoritetet shqiptare do t’u garantojnë EULEX-it dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm për të përmbushur me sukses çdo hetim.

“Ndërsa histeria antishqiptare, e udhëhequr dhe frymëzuar nga Dick Marty, eksponentë të tjerë të racizmit antishqiptar dhe avokatëve të krimeve të Sllobodan Milloshevicit ndaj shqiptarëve në Kosovë, është thjesht një zgjim i demonëve të urrejtjes antishqiptare, e cila është tërësisht pa të ardhme”, tha kryeministri shqiptar. /Telegrafi/

KOMENTOJE