Regjistrimi i popullsisë në Malin e Zi, në muajin prill

Regjistrimi i banorëve, i shtëpive dhe banesave në Mal të Zi do të zhvillohet prej 1 deri me 15 prill të këtij viti, dhe qytetarët do të deklarohen edhe mbi përkatësinë e tyre kombëtare, përkatësisht etnike, ka konfirmuar të enjten Enti i Statistikës – Monstat, i cili e përgatit edhe e organizon këtë proces shoqëror.
Qytetarët do të deklarohen mbi të dhënat personale, nënshtetësinë, fenë si dhe për gjuhen amëtare, është definuar me ligjin e regjistrimit. Ky është regjistrimi i parë në shtetin e pavarur të Malit të Zi, raporton KosovaLive.
Gjeografi dhe studiuesi, Dr. Nail Draga thotë se regjistrimi i fundit të popullsisë në Malin e Zi është bërë në vitin 2003, edhe sipas rezultateteve të para, shqiptarë ishin deklaruar mbi 41 mijë, ose mbi 7 për qind. Ndërkaq, pas pak kohësh, shton Draga kjo përqindje u “përmirësua” dhe zyrtarisht në këtë shtet thuhet se pjesëmarrja e shqiptarëve në strukturën e përgjithshme të popullsisë është 5,09 për qind.
Deputetët e partive opozitare shqiptare vazhdimisht kanë kërkuar sqarim nga qeveria e Malit të Zi se si ka ndodhur që të zvoglohet numri i përqindjes së shqiptarëve në Mal të Zi, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.
Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi, Tahir Tahiri thotë për KosovaLive se “kjo përqindje e zvogëluar shqiptarët i godet edhe me rastin e ndarjes së mjeteve financiare në Fondin e pakicave”. /Koha.Net/

KOMENTOJE