U zhvillua ceremonia e hapjes së Shkollës Shqipe në Bronx

100 nxënës në Shkollën Shqipe në Bronx, Mishto : “Jemi duke treguar kësisoj përkujdesjen dhe interesimin e madh të qeverisë shqiptare dhe personalisht interesimin e Kryeministrit Berisha për fëmijët shqiptarë të diasporës”

Lehman College – Bronx New York: Mes një ceremonie festive, nxënës, prindër, mësimdhëns, veprimtarë të komunitetit, dhe përfaqësuesve të Shtetit Shqiptarë dhe Republikës së Kosovës në Nju Jork, të cilët, kanë dhënë ndihmën e tyre në libra dhe bazë materiale, Shkolla Shqipe në Bronx- Nju Jork, në klasat e ndërtesës së kolegjit “Lehman College”, ka hapur të dielën në mesdrekë, dyert për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, që dëshirojnë të mësojnë gjuhën e ëmbël dhe të bukur shqipe – gjuhën tonë amëtare.

Hapja e Shkollës Shqipe në Bronx, konçidon me 3 – vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

I pranishëm në ceremoninë hapëse të ditës së parë të shkollës shqipe, ishte Konsulli i Përgjithëshëm i Shqipërisë në Nju Jork, zoti Dritan Mishto, i cili përshëndeti fëmijët dhe prindërit e tyre, së bashku me Konsullën e Kosovës në Nju Jork, zonjën Arta Rama.

Shkolla Shqipe në Bronx – Nju Jork, një lagje, kjo, e predominuar nga emigrantët shqiptarë, sidomos, nga mbipopullimi që ka ndodhur këto dy dekadat e fundit, është një iniciativë private e disa biznesmenve dhe veprimtarve të dalluar të komunitetit shqiptar. Dhe të asaj ndihmës që u realizua me ndërmjetësimin e aktivistit Mithat Gashi, mësimdhënës në këtë kolegj, që për mësonjtoret, ku do të zhvillohet mësimi, Kolegji “Lehman”, nuk kërkon asnjë pagesë, për fëmijët shqiptarë.

Në ditën e parë të shkollës, nëpër klasa filluan mësimet mbi 100 fëmijë, por edhe të rritur filluan këtu mësimin e gjuhës shqipe dhe sipas Gjergj Dedvukajt, një nga nisiatorët për hapjen e kësaj shkolle, numri do të shtohet në ditët e ardhshme.

“Ka një interesim të madh për të sjellë fëmijët në këtë shkollë”, tha Dedvukaj.
Gjergj Dedvukaj, i cili ka punuar edhe në të shkuarën si mësimdhënës në shkollën shqipe të New York-ut, tha për gazetën “Dielli”, se ka qenë dëshira e shumë prindërve, për hapjen e një shkolle shqipe. “Në koncertet që kam dhënë me Asamblin ”Bashkimi Kombëtar” në Shqipëri, Malësi, Kosovë, në Gjermani, në Festivalet Kombëtare si në Gjirokastër, e gjetkë , thotë ai, prindërit, më janë lutur që t’u mësoj shqip fëmijëve. Tani që kjo nismë po konkretizohet, numri i atyre që do të sjellin fëmijët jam i bindur se do të rritet.” Për këtë ka thënë Dedvukaj se vetëm, nga fisi i tij këtu, janë bërë gati mbi 20 veta që janë treguar të gatshëm për t’u regjistruar në shkollën shqipe.”

Duke përuruar këtë shkollë, Konsulli i Përgjithëshëm i Shqipërisë në Nju Jork, zoti Dritan Mishto, tha “Sot ne ndjejmë një emocion të veçantë, që arritëm të gjithë së bashku të hapim këtë fole të gjuhës së bukur shqipe. Jo vetëm mësimi i gjuhës dhe kulturës, por ajo ç’ka kjo ditë shënon më së tepërmi është mbajtja e premtimit përpara historisë, së atyre burrave të kombit që dhanë gjithë sa kishin për përjetësimin e gjuhës sonë në altarin e gjuhëve të bukura dhe të rralla.”

Më tej zoti Mishto shprehu edhe emocionet e të gjithë pjesëmarrësve, duke nënvizuar se ” kur them se kjo shkollë është amaneti i mbajtur nga brezat për të shkrimin dhe këndimin shqip.”

Ndërkohë, përfaqësuesi i shtetit shqiptarë nuk la pa permendur edhe ndihmën dhe kujdesin e qeverisë shqiptare, për shkollën shqipe në SHBA-ës. ” Konsullata e Përgjithshme, tha zoti Mishto, si bashkeiniciatore e këtij projekti, duke ofruar tekset mësimore dhe fletoret e punës, nuk do t’a kufizojë ndihmën e saj, përkundrazi, theksojë ai do të përmbushë edhe detyra të tjera, duke treguar kësisoj përkujdesjen dhe interesimin e madh të qeverise shqiptare dhe personalisht interesimin e Kryeministrit Berisha për fëmijët shqiptarë të diasporës”.

Në një takim organizimi, është miratuar Komisioni edhe stafi pedagogjik i shkollës. Komisioni ka në përbërje: Professor Ymer Ahmetaj, Dr.Hasan Ademaj, Gjergj Dedvukaj dhe Flamur Husaj. Ky Komision i cili quhet nismëtarë, përzgjodhi pesë mësuesë nga 12 kërkesa të paraqitura. Katër janë mësuese dhe një mësues.

Profesori Ymer Ahmetaj, i ka deklaruar gazetës Dielli se stafi është profesionalisht i përgatitur; ka nivel të lartë pedagogjik, kanë përvojë dhe një pjesë janë mësimdhënës në shkollat amerikane. Në shkollën shqipe do të jepen lëndët : gjuhë dhe letërsi shqipe, histori e kombit shqiptar, Gjeografi për trojet shqiptare, kulturë muzikore dhe folklor shqiptar etj.

Arsimtarët që do të punojnë me nxënësit kanë përvojë të gjatë në arsim në Shqipëri, Kosovë, Luginën e Preshevës, viset shqiptare në Mal të Zi dhe Maqedoni.

Ndërsa, koordinatori i Shkollës dhe anëtari i brodit, Mustaf Qosja, thotë se përkrah kritereve formale të kualifikimit shkollor, mësuesëve u kërkohet: njohje e shkëlqyeshme e gjuhës shqipe(Gjuha standarte; gramatika, drejtshkrimi, stilistika); përgatitje dhe aftësi solide në të gjitha veprimtaritë themelore gjuhësore (të folurit, të dëgjuarit, të shkruarit, të lexuarit ekspresiv etj.); njohje e mirë e kulturës kombëtare, njohje e historisë dhe gjeografisë së Atdheut, njohje e artit të muzikës, edukim i mjaftushëm artistik, muzikor dhe figurativ; aftësi dhe shkathtësi interpretuse në këndim, vallëzim, instrumente muzikor etj.Të gjitha këto kritere garantojnë një trupë mësimore serioze e të kualifikuar dhe do të përcjellin besushmeri tek prindërit, që fëmijët të mbushin klasat e gjuhës shqipe dhe shkolla të ketë jetëgjatësi.”

Dr. Hasan Ademaj, një tjetër pjestar aktiv i grupit nismëtar, thotë se ky është një hap i duhur që duhet të gëzojë përkrahjen e komunitetit shqiptar.

“Ka ardhur koha që të heqim dorë nga folklorizmi i veprimatrive, theksonë Dr Hasan Ademaj, dhe të bëhemi më institucionalë, më të orientuar, në veprimtaritë kombëtare. Shkolla shqipe është një hap në drejtimin e duhur, edhe pse e vonuar në kohë. Ai ka afruar përkrahjen e tij, duke qenë pjesë e Bordit.”

Për gazetën më të vjetër të diasporës Diellin, ka folur edhe Shkumbin Tetaj, ish professor i Gjuhës angleze në Kosovë, i cili ka dhënë përkrahjen e tij, ashtu si dhe Agim Cavdërbasha, Tom Gjergji, Nikollë Juncaj, avokati Sabri Gjoni e të tjetërë.

Mësuesja Violeta Ducellari, me përvojë pedagogjike dhe mësimdhënse në shkollat amerikane, e përzgjedhur në trupën mësimdhënse, thotë se e shihte serioze nismën dhe se nuk do të kursejë asgjë për të mësuar fëmijët shqiptarë. Në grupin e mësuesëve të përzgjedhur janë edhe Ikbale Tetaj, Lirie Rexhmataj, Lumturi Porja si dhe Tom Gjergji për instrumenet muzikor.

Në përurimin e shkollës, përveç nxënësve, mësuesve, prindërve e aktivistëve që ndërmorën këtë nisiativë, merrnin pjesë edhe konsulli i Shqipërisë në New York, Dritan Mishto dhe konsullja e Kosovës në New York, Arta Rama, të cilët pos që prenë shiritin e përurimit, vizituan të gjitha klasat ku mbahej mësimi, dhe biseduan me nxënës e arsimtarë dhe premtuan ndihmën e dy shteteve, Shqipërisë e Kosovës për mbarëvajtjen e shkollës me abetare e libra të tjerë
mësimorë.

Në njoftim thuhet se janë disa shoqata që i janë bashkëngjitur Bashkimit Kombëtar, përfshirë dhe Federatën Vatra. Shoqatat kanë pranuar që të kontribuojnë në regjistrimin e fëmijëve, në sigurimin e ushqimit të drekës për fëmijët si dhe të një pagese simbolike .

Ata që e nisën këtë aksion kombëtar dhe ju bashkëngjitën Gjergj Devukajt janë një grup atdhetarësh nga të gjitha trojet etnike, që po marrin të gjitha masat në mënyrë që shkolla të vazhdojë normalisht. Në takimet e përjavshme ata kanë diskutuar për të gjitha hallkat që do të çojnë në suksesin e nismës së marrë.

Kështu, të paktën Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë, ka premtuar të sjellë 100 abetaret e para këto ditë, ndërsa Konsullata e Kosovës do të ndihmojë me plan-programe dhe ndihma të tjera që do t’i nevojiten stafit të shkollës. Nga ana tjetër Profesori i Lehman College, Mithat Gashi, anëtar i Bordit të Federatës ”Vatra” ka ndërmjetësuar dhe ka siguruar tri klasa mësimore në mjediset e Kolegjit, të cilat do të vihen në dispozicion të shkollës shqipe në Bronx.

Ishin pikërisht veprat e mrekullueshme në dobi të çështjes kombëtare – shqiptare që bënë që këta nismëtarë të zgjidhnin shkollën shqipe, si vendin ku filizat e njomë, fëmijët e shqiptarëve të Nju Jorkut të mësonin gjuhën e tyre amtare dhe jo vetëm atë por edhe traditën e mrekullueshme të shqiptarëve të Amerikës, të cilët në çastet më të vështira që kaloi vendi ynë, i’a zbardhën faqen atij. Qëllimi ka qenë që të mësojnë nga përvoja e mrekullueshme e kollosëve të kulturës tonë kombëtare, Fan Nolit e Faik Konicës si dhe korifejve të tjerë pasardhës.

Ideja për një shkollë të tillë lindi nga nevoja që breznitë shqiptare të Amerikës të vijojnë të ruajnë lidhjet shpirtërore me atdheun e tyre. Një ndër veprimtaritë më me efekt në këtë drejtim ishte mësimi i gjuhës shqipe. Vetëm në këtë mënyrë fëmijët shqiptarë, të rinjtë, studentë, e kuptojnë fare mirë se edhe pse janë me trup larg vendlindjes së tyre apo vendlindjes së prindërve të tyre, detyrimet për atdheun nuk sosen kurrë. Prandaj edhe iu dhanë me mish e me shpirt kësaj detyre që i vunë vetes, për të rihapur shkollën shqipe në Bronx – Nju Jork, ku mendohet se jeton edhe komuniteti më i madh shqiptarë. /Beqir Sina/

KOMENTOJE