Shoqata “Martin Dreshaj” mbajti protestë artistike në Pejë

Evropë, mos lejo të shkelet mbi lirinë dhe gjakun e shqiptarëve

Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” ka organizuar të shtunën në ambientet e Kino-teatrit “Jusuf Gëravlla” protestën artistike duke e konceptuar në pjesën foljore, filmike e skenike. Protesta, si u tha në hapje të saj, është zë i ngritur kundër shpifjeve të Dik Martit , gjithë atyre që duan të shkelin mbi lirinë e gjakun e shqiptarëve dhe atyre që ishin të obliguar e nuk kanë bërë sa duhet për zbardhjen e fatit të shqiptarëve të zhdukur në kohët e viteve të vrara të Kosovës.

Në hapje të kësaj proteste, Rrahman Jasharaj,koordinator për trojet etnike i Shoqatës “Martin Dreshaj” ka falënderuar pjesëmarrësit nga qytetet e Dukagjinit, delegacionin nga Medvegja e Kosovës Lindore dhe përfaqësuesit e Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së. “Shoqata e Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” mijëra herë ka ngritur zërin në Manifestime protesta duke kërkuar që shqiptarët të jenë tok në një valle, në një këngë e një sofër. Kemi kërkuar të jemi bashkë e për t’u bërë zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave dhe lirive që po i nëpërkëmbën vëllezërve tonë kudo janë në trojet e administruara nga Mali i Zi dhe Serbia. Edhe sot e gjithë ditën po Ju drejtohemi që të gjithëve që të jemi bashkë në mbrojtjen e gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës. Që të jemi në mbrojtje të së vërtetës, të lotit të mijërave fëmijëve, motrave e nënave për eshtrat që nuk janë kthyer ende nga toka e pistë e kriminelëve, pra, nga toka e hijeve të zeza të Karpateve”, ka thënë ai.

Veprimtari nga Medvegja, prof. Rexhep Abazi me emocione e lot në sy ka kujtuar se një ditë më parë në gjykatën serbe të Beogradit në akuzat plot shpifje e rrena u janë shqiptuar 101 vjet burg djelmoshave të pafajshëm nga Kosova Lindore. “Ata u dënuan aq rënd pa bërë as edhe një faj. U dënuan pse janë shqiptarë. E rëndë ishte për ne shqiptarët atje kjo ditë e më e rënd na u bë nga skenat trishtuese në rrugët e Tiranës. Shqiptarët duhet të bëhen tok për hir të zërit që u dërgohet nga trojet etnike, që ende nuk e gëzojnë lirinë”, ka thënë prof. Abazi.

Pren Marashi ka përgëzuar organizatorin për këtë angazhim dhe ka kujtuar se lufta e UÇK-së është zhvilluar për liri dhe ishte e pastër si loti. “Bota demokratike ishte admiruar me qëndresën dhe luftën e denjë të bijve të këtij trualli për liri. Të larta janë vlerat e kësaj lufte dhe as Dik Marti e as ndonjë tjetër nuk mund t’ia ul vlerën e ta njollos këtë sakrificë sublime në emër të lirisë”, ka thënë Marashi. Pas kësaj pjesëmarrësit e protestës artistike kanë përcjellë pjesën filmike , që ka kthyer kujtesën në vitet e vrara të Kosovës. Janë kujtuar momente plot tmerr të vrasjeve të fëmijëve, mësuesve, sulmeve mbi shkollat shqipe dhe dëbimi masiv i shqiptarëve nga forcat vrastare paramilitare, policore e ushtarake serbe. Pjesa e fundit ishte plot emocione sepse aktorët e Shoqatës kanë rikujtuar se ende në Kosovë ka varre të hapura dhe lot nënash e motrash për bijtë e tyre që ende , edhe pas 11 vitesh, nuk janë kthyer as të gjallë e as të vdekur. Aktorët fëmijë në skenë i kanë kujtuar Dik Martit se është mëkat të shkelet mbi gjakun e mijëra shqiptarëve dhe se loti i nënave e fëmijëve të Kosovës do ia ngacmojë ndërgjegjen dhe do ia prish gjumin dhe ëndrrat e pleqërisë Dik Martit. /Rrahman Jasharaj/

KOMENTOJE