Protestë e qetë, por debati vazhdon

Tiranë, 28 janar – Ndryshe nga demonstrata e 21 janarit që degjeneroi në akte dhune, sot demonstrata opozitare u zhvillua e qetë, siç u paralajmërua në formën e një marshimi homazh, në nderim të tri viktimave të një jave më parë.

Marshimi i heshtur i qytetarëve përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit, këtë herë, u udhëhoq nga drejtuesit e partive opozitare. Demonstruesit u ndalën te vendet ku u vranë tre qytetarët, pak metra larg godinës së qeverisë, duke vendosur lule dhe ndezur qirinj.

Në një konferencë për mediat pas demonstratës, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se homazhet nuk janë luftë për pushtet në mes të dy partive, por kundër një qeverie që, siç tha, vodhi votat dhe kërkon të rikthejë regjimin e frikës.

“Sot, populli shqiptar foli me një zë, duke kërkuar t’i çojë botës një mesazh shumë të qartë lidhur me kërcënimin gjithmonë e më të madh të të jetuarit nën një regjim që kërkon të mbysë çdo zë përmes frikës”, tha Rama.

Më herët, rreth mesditës, kryeministri Sali Berisha bëri publik faktin se mazhoranca disponon informacionin e nevojshëm për të zbardhur skenarin dhe organizatorët e asaj që e cilësoi si grusht shteti.

“Disponojmë të dhëna se ky puç u financua me së paku dy milionë dollarë”, tha Berisha.

Kryeministri shqiptar sulmoi sërish prokuroren e përgjithshme, Ina Rama. Këtë herë, ai foli për një marrëveshje të shkelur nga zonja Rama, e negociuar nga ndërkombëtarët.

“Miq të shquar të këtij vendi, pas një angazhimi shumë të fortë arritën nëmarrëveshje pardje pasdite, që secili nga oficerët e gardës të paraqitej para prokurorit dhe në këtë paraqitje të bënte deklarata dhe do të anulohej urdhri i arrestit, por kjo marrëveshje u shkel me urdhrin që mori zonja Rama”, tha Berisha.

Kryeministri paralajmëroi se pjesë e hetimit parlamentar do të jetë edhe pozicioni i presidentit të Repunlikës, Bamir Topi.

Por, kryesocialisti Edi Rama bëri këtë koment lidhur me akuzat që kryeministri Berisha bëri në adresë të prokurores së përgjithshme dhe të presidentit të Repunlikës:

“I gjithë përshkallëzimi i hapave nga ana e të ashtuquajturit kryeministër për të vënë nën kontrollin e dhunës dhe të frikës edhe institucionin e presidentit dhe të prokurorisë së përgjithshme, duke u bazuar te dhuna e 21 janarit, tregon shumë qartë se kush e ka dashur, kush e ka provokuar dhe kush ka arritur ta shpërthejë dhunën e 21 janarit – Sali Berisha”, u shpreh Rama.

Në këtë atmosferë të tensionuar politike, zgjidhja duket e vështirë, pavarësisht pranisë së rritur ndjeshëm të ndërkombëtarëve. Opozita thotë se do t’i shkojë në fund opsionit për zgjedhje të parakohshme, ndërsa mazhoranca thotë se zgjedhjet e radhës janë ato të vitit 2013. /REL/

KOMENTOJE