Kumtesë për opinion lidhur me takimet që janë zhvilluar për shënimin e një qind vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe në vitin 1911

Me rastin e një qind vjetorit të Kryengritjes së Malësisë dhe ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar në këto troje me 6. Prill të vitit 1911, për të parën herë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbe, Komuna urbane e Tuzit ka marrë iniciativë për shënimin e kësaj date të rëndësishme historike.
Lidhur me këtë, kemi vendosur që të drejtojmë një shkresë ku kemi kërkuar takim me kryetaret e Komunave dhe autoritet tjera në Shqipëri që shënimi i kësaj ngjarje të jetë i përbashkët.
Me këtë rast, të ënjtën me 27.01.2011. Kryetari i Komunës urbane të Tuzit Z. Nikollë Gegaj dhe Kryetari i kuvendit të Komunës urbane Z. Fadil Kajoshaj kanë zhvilluar disa takime në Koplik dhe Bajzë.
Takimi së pari është zhvillua me Z. Ramadan Lika, Kryetar i Bashkisë së Koplikut, pastaj Z. Sytki Ndreca, Nënprefekt i Malësisë së Madhe si dhe Kryetarin e Komunës së Kastratit Z. Gjovalin Vështaj.
Nga ky takim kanë dalë idetë se si do duhej të organizohej kjo ngjarje historike dhe kemi dal me qëndrimet tonë për atë se si do duhej të zhvilloheshin ngjarjet ato dit festive, duke u nisur nga organizimet në Hot dhe Kastrat, pastaj në Tuz etj.
Ne nga ky takim kemi mësuar se ata veç u janë drejtuar autoriteteve më të larta shtetërore të Shqipërisë dhe pritet pjesëmarrja e tyre në manifestimet që kanë të bëjnë me këto ngjarje.
Në Tuz pritet të mbahet një akademi solemne ku gjithashtu do të marrin pjesë autoritete shtetërore, akademike dhe shkencore, dhe me këtë rast ftojmë të gjithë që mundë dhe dëshirojnë të japin kontributin e vetë që shënimi i kësaj date të dal në nivelin që pritet nga të gjithë ne.
Me respekt,
KRYETARI
Nikollë Gegaj

KOMENTOJE