Suedia i vlerëson pakicat si pasuri
Sot mund të thuhet se shqiptarët të cilët kanë ardhur në Suedi gjatë viteve të 90-ta janë të kyçur plotësisht në shoqërinë suedeze. Janë shkolluar, kanë zënë vende të mira pune, kanë blerë shtëpi të veta. Ata kanë arritur të kenë standard dhe ekonomi të barabartë me popullin suedez.
Aktivitetet në Lëvizjen Studentore e bënë Sadik Gjokajn të njohur në botën shqiptare, si në Kosovë ashtu edhe në vendlindje. Në atë kohë, ai personifikonte qëndresën dhe vullnetin e pamposhtur të studentëve shqiptarë nga Mali i Zi, që dhanë kontributin e vet historik për lirinë e Kosovës. Por edhe personin e etiketuar si iredentist, i cili duhej kontrolluar, gjë që e bënte regjimi i asaj kohe. Për shkaqe të mirënjohura, ai ishte i detyruar të lëshojë vendlindjen dhe të niset drejt fatit që e ka ndjekur popullin shqiptar ndër shekuj. Ai mori rrugët e kurbetit. Sot, pas kaq viteve, me krenari i kujton çastet e ditëve të qëndresës si dhe ditët e bukura studentore në Universitetin e Prishtinës.
Koha javore: Z. Gjokaj, na tregoni për jetën dhe shkollimin Tuaj?
S. Gjokaj: Unë jam nga Dinosha, ku e kreva shkollën fillore, kurse gjimnazin e mbarova në Tuz. Në vitin 1980 u regjistrova në Universitetin e Prishtinës, në degën Letërsi dhe gjuhë shqipe.
Koha javore: Çfarë Ju shtyu të lëshoni vendlindjen dhe të mos merreni me profesionin e mësimdhënësit këtu në vendlindje?
S. Gjokaj: Isha student i vitit të parë të studimeve kur filluan demonstratat e vitit 1981, në të cilat mora pjesë edhe pse s’kisha ndonjë rol në organizminin e tyre. Por pjesëmarrja në demostrata ishte e mjaftueshme në atë kohë që të kualifikohesh si iredentist. Ky fakt ishte shkak i mjaftueshëm që të humbasësh të drejtën e kredisë studentore. Sepse, nga ana e regjimit të atëhershëm, isha etiketuar si njëri prej njëmbëdhjetëshit në listën e zezë në Malësi. Për çudi, të drejtën e studimit nuk ma morën dhe i përfundova studimet. Por gjasat për të punuar në profesionin e profesorit ishin të vogla apo të them të pamundura.
Koha javore: Si rrodhi shpërngulja juaj në Suedi dhe jeta juaj atje?
S. Gjokaj: Në verën e vitit 1987 u shpërngula në Suedi dhe prita për lejeqëndrim një vit. Gjatë kohës së pritjes për dokumente, mësova gjuhën suedeze dhe mora kompetencën e disa lëndëve mësimore gjatë dy vitetve, deri më 1990. Në atë kohë, shkollat në Suedi kërkonin arsimtarë të gjuhës shqipe, ku edhe më pranuan. Këtë detyrë e kam ushtruar gjatë tërë kohës në Suedi. Kam dhënë mësim në shkolllat fillore dhe ato të mesme në gjashtë komuna të Suedisë, gjithsej në 33 shkolla të ndryshme. Përafërsisht, u kam dhënë mësim rreth njëmijë nxënësve shqiptarë. Por numri i shkollave ku isha aktiv si mësimdhënës ka lëvizur si dhe numri i nxënësve, nga 50 apo 60 deri në 140 dhe 150 nxënës, si dhe prej 5 apo 6 shkolla deri në 14 shkolla. Për pesë vite kam udhëtuar për në punë nga 120 kilometra në ditë. Kurse jashtë këtij orari si mësimëdhënës, kam ushtruar edhe profesionin e përkthyesit.
Koha javore: Cili është statusi i shqiptarëve në Suedi dhe çfarë procedure duhet ndjekur për shkollimin e tyre?
S. Gjokaj: Si shqiptarët, ashtu edhe të gjitha kombet e tjera që vijnë në Suedi për të kërkuar strehim, gjatë pritjes së përgjigjjes për lejeqëndrim, kanë të drejtë të vijojnë mësimin e gjuhës suedeze. Kur u lëshohet lejeqendrimi, atëherë ata kanë të drejta të barabarta sikur të gjithë qytetarët e tjerë suedezë, si në shkollimin e tyre, punësim, shëndetësi etj. Bile, në shkollim u bëhet lehtësim për shkak të vështirësive gjuhësore.
Koha javore: Çfarë planprogramesh keni përdorur në lëndën e gjuhës shqipe?
S. Gjokaj: Pasi që numri i nxënësve shqiptarë në Suedi ishin mbi 90 për qind nga Kosova, kam përdorur librat e shkollës fillore të Kosovës.
Koha javore: Cilat janë manifestimet që keni organizuar në diasporë me rastin e festave kombëtare?
S. Gjokaj: Në shkollat ku është mbajtur mësim në gjuhën amtare shqipe janë organizuar programe muzikore si dhe recitime me rastet e 28 Nëntorit, 2 Korrikut, 17 Shkurtit , 7 marsit, si dhe me rastin e përfundimit të viteve shkollore. Gjithashtu janë organizuar edhe konkurse vjetore në histori, gjeografi dhe gjuhë e letërsi shqipe.
Koha javore: Si është gjendja e përgjithshme e shqiptarëve në Suedi?
S. Gjokaj: Sot mund të thuhet se shqiptarët të cilët kanë ardhur në Suedi gjatë viteve të 90-ta janë të kyçur plotësisht në shoqërinë suedeze. Janë shkolluar, kanë zënë vende të mira pune, kanë blerë shtëpi të veta. Ata kanë arritur të kenë standard dhe ekonomi të barabartë me popullin suedez.
Koha javore: A mendoni se brezat e rinj do të ruajnë dhe trashëgojnë gjuhën dhe kulturën shqiptare?
S. Gjokaj: Fjala disi po më lidhet në fyt që ta them të vertetën, por me rëndësi është të them se kjo varet nga përkushtimi që bëjnë prindërit për ruajtjen dhe trashëgimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Kryesisht nga vizitat që ata bëjnë me fëmijet e tyre në vendlidje. Unë personalisht, si mësues e prindër, kam dhënë kontributin tim modest, të mos them maksimal. Dua të them edhe këtë, se shteti suedez investon në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhëve dhe kulturave të pjesëtarëve të pakicave të cilët vijnë në Suedi dhe shoqëria suedeze i konsideron ato si pasuri për kulturën e tyre.
Koha javore: Sa mendoni se do të bëhet realitet ëndrra Juaj për t’u kthyer në vendlindje?
S. Gjokaj: Unë e di se kthimi për të jetuar në vendlindje është ëndërr dhe shpresë e shumë shqiptarëve që jetojnë në diasporë, e po kështu edhe e imja. Për t’u bërë realitet sa i përket anës sime, unë jam i mishëruar me këtë vend dhe kam menduar dhe punuar në atë drejtim duke ndërtuar shtëpinë. Prandaj, dhashtë Zoti të bëhet realitet. /Bisedoi: M. Gjokaj/