Nuk ka nevojë për referendum – Nikollë Camaj

Funksionari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi dhe ish-kryetari i Kuvendit të KU të Tuzit, z. Nikollë Camaj ka deklaruar për të përditshmen DAN, se deri te referendumi në Malësi do të vihet vetëm nëse do të kenë vullnet nënshkruesit e Marrëveshjes.

-Por, ne në Lidhjen Demokratike konsiderojmë se nuk ka asfare nevoje për referendum. Pikë së pari për faktin se asnjë komunë në Malin e Zi nuk është themeluar me referendum. Përpos kësaj edhe për faktin se vullneti i qytetarëve (të Malësisë) për komunë, tashmë është dëshmuar në disa raste. Në zgjedhjet e mëparshme, ne fituam përkrahjen, mu për shkak të angazhimit tonë për komunë të plotë. Edhe këta që sot janë në pushtet, zgjedhjet i fituan në llogari të një paralajmërimi të tillë. Kjo zvarritje bëhet vetëm për të fituar në kohë, jo për të qeverisur me Malësinë në dëm të buxhetit të Kryeqytetit, siç thotë kryebashkiaku, por mu për të kundërtën, për të mbushur buxhetin e kryeqytetit nga të ardhurat e komunave urbane. Nga Malësia merret më tepër se çka investohet në të. Mendoj se këtë gjë e kemi dëshmuar gjatë mandatit katërvjeçar- ka deklaruar Camaj.

Ai, megjithatë shprehet se LD do të përkrahin referendumin, nëse do të vihet deri tek ai. Camaj është i mendimit se edhe Tuzi edhe Gollubovci i plotësojnë të gjitha kushtet për të qenë komuna të plota si të gjitha komunat e tjera në Malin e Zi.

-Ato, madje, sipas të gjithë parametrave, do të ishin në pozitë më të mirë se gjysma e komunave ekzistuese, në Malin e Zi të sotëm, thotë ai. /Përktheu nga DAN Albert Camaj/

KOMENTOJE