Në ditëlindjen e tretë si shtet i pavarur, Kosova njihet nga 75 vende të botës dhe shtetësia e saj është bekuar edhe nga mendimi i dhënë vitin e kaluar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND).
Por, edhe në këtë përvjetor, Kosova po shënon jo më pak sfida se më pare – në mos më shumë.
Shtetit të ri, të vogël, me ekonomi të dërmuar nga e kaluara, me shkallë të lartë të papunësisë, iu shtuan këtë vit edhe një sërë telashesh tjera.
Këtë vit Kosova ditëlindjen e feston me një ushtrues detyre të presidentit, qeveri në dorëheqje dhe Kuvend të shpërbërë, ndonëse java që vjen pritet t’i japë fund këtij ngërçi politik, i cili e ka kapluar vendin që nga 2 nëntori i vitit të kaluar.
Mbi të gjitha, është reputacioni ndërkombëtar ai që ka pësuar goditje, të paktën sipas përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë, nisur nga mashtrimet që kanë ndodhur në zgjedhjet e parakohshme të 12 dhjetorit dhe përpjekjet jo të mjaftueshme për të luftuar korrupsionin.
Shtet prej tre vjetësh, Kosova po hyn në këtë periudhë edhe me barrën e raportit të hartuar nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, i miratuar po nga ky institucion, për dyshimet mbi “trafikim organesh nga ish zyrtarë të lartë të UÇK-së”.
Me këtë “barrë”, Prishtina pritet të hyjë edhe në bisedime mbi çështje teknike me Beogradin, për të cilat një numër vëzhguesish vendorë e ndërkombëtarë, kanë tërhequr vërejtjen se nuk do të jenë edhe aq teknike sa proklamohen.
Por, për faktorin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, rëndësi të madhe ka fillimisht zhvillimi i demokracisë dhe i ekonomisë, si dy shtyllat kryesore që do të mund ta çonin Kosovën drejt përmirësimit të përditshmërisë për kosovarët dhe imazhit që shteti i ri ka në rrafshin ndërkombëtar.
Pritjet janë që institucionet e ardhshme të Kosovës, me gjithë skepticizmin që mund të ekzistojë mbi qëndrueshmërinë e tyre, ta çojnë shtetin e ri drejt përmbushjes së zotimeve për integrime evropiane, duke qenë se mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit duhet të kërkojnë leje për të lëvizur lirshëm. /Evropa e Lirë/ /Telegrafi/