Regjistrimi mund t’i pakësojë shqiptarët në Mal të Zi

Ndonëse ka mbetur edhe një muaj e më shumë kur duhet të fillojë regjistrimi i popullsisë në Malin e Zi, proces i cili do të realizohet nga data 1 deri më 15 prill, shqiptarët duhet të sensibilizohen me kohë për të mos pasur mëdyshje me rastin e deklarimit të përkatësisë kombëtare, edhe pse ata e kanë të qartë se cilit komb i takojnë.

Kështu deklaroi ditën e enjte për KosovaLive Nail Draga, funksionar i lartë i Forcës së Re Demokratike, njëri ndër njohësit më të spikatur të çështjeve demografike shqiptare në Malin e Zi.

“Problemi më i madh do të jetë me banorët e Krajës së Sipërme, përkatësisht të Shestanit ku jeton popullata shqiptare e besimit katolik. Në disa katunde të kësaj zone, ose të shpërngulur, sidomos në Tivar, vetën e quajnë kroatë ose malazez. Ky është rezultat i pushteteve të kohës së monizmit dhe i grupeve të ndryshme të interesit për të asimiluar shqiptarët e këtyre mjediseve të Krajës së Sipme nën Rumi”, shprehet Draga.

Ai po ashtu apelon shqiptarët, të cilët kanë të afërmit e tyre në vendet perëndimore, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që t’i regjistrojnë.

Dihet mirëfilli se çdo i treti shqiptar me origjinë nga Mali i Zi është në mërgim, familjarët e tyre në vendlindje gëzojnë të drejtën për t’i regjistruar ata.

“Nëse anashkalohen mërgimtarët, atëherë do të zvogëlohet numri i përqindjes së shqiptarëve në Malin e Zi. Kjo do të reflektohet negativisht në përfaqësimin autentik në Parlament, në ndarjen e mjeteve financiare nga Fondi i pakicave, në punësim në nivelet e organeve shtetërore dhe lokale”, nënvizon studiuesi dhe analisti, Nail Draga. /Koha.Net/

KOMENTOJE