Një takim vëllazëror në Shkodër

100 vjetori i Kryengritjes në Malësi datë krenarie për të gjithë shqiptarët

Me qëllim që 100 vjetori i Kryengritjes në Malësinë e Madhe dhe duke u nisur nga angazhimi që lartësimi i kujtimit për trimin Dedë Gjo Luli dhe trimat e tjerë të atdheut e kombit të jetë sa më madhështor, në mirëkuptim mes Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, të Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” të Shkodrës, veprimtarëve nga Kosova Lindore, të përfaqësuesve të institucioneve të pushtetit lokal të Koplikut , është zhvilluar një takim i përbashkët me qëllim që të në një bashkëbisedë vëllazërore të mbështeten ide që janë në shërbim të kremtimit sa më madhështor të njërës prej datave të mëdha të kombit tonë. Pjesëmarrësit janë pajtuar në fillim se 100 vjetori i Kryengritjes në Malësi është datë krenarie për të gjithë shqiptarët kudo janë ata. Këtë takim e kanë përcjellë edhe Albert Camaj e Rrahman Jasharaj ,në cilësinë e përfaqësuesve të www.malësia.org, dhe janë munduar të japin kontributin e tyre edhe si pjesëmarrës në takimit në shërbim të organizimit sa më të bukur të këtij aktiviteti. Në fjalën përshëndetëse të Ndue Sanajt, kryetar i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” nga Shkodra është parë vullneti për një angazhim të plotë e vëllazëror në ecjen e mbarë të Manifestimit “Zëri i Vëllazërisë” dhe në organizimin madhështor të këtij aktiviteti në Shkodër, i cili i dedikohet plotësisht madhështisë së Kryengritjes në Malësi në 100 vjetorin e kësaj date të madhe kombëtare. Sanaj ka shprehur gatishmërinë e anëtarëve të Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” që të japin kontributin e tyre në gjithë këtë aktivitet dhe kështu këta njerëz, që janë dëshmuar me sakrifica e angazhime, kanë marrë detyra e obligime konkrete për t’i dhënë bukuri e forcë madhështie këtij Manifestimi, pjesë e të cilët do të jenë gjatë tri ditëve kudo në Shqipëri dhe pjesë të tjera të trojeve etnike.
Nënprefekti i KOPLIKUT – MALËSI E MADHE, Sytki Ndrecaj ka lavdëruar angazhimet e Shoqatës “Martin Dreshaj” të asaj “Dukagjini” dhe punën e madhe që ka bërë e po bën portali www.malesia.org në shërbim të çështjeve që unifikojnë kombin tonë. Ai është shprehur i gatshëm në emër të institucioneve të pushtetit lokal të Koplikut që të japin kontribut në mirëvajtjen e këtij aktiviteti përkujtues e lartësues për Kryengritjen e madhe të Malësisë. Nënprefekti Ndrecaj ka shprehur përkushtimin dhe angazhimin e tij dhe të institucione të pushtetit që ky përvjetor të bëj bashkë Shoqatat dhe veprimtarët në mënyrë që festa të jetë vlerë e përkushtimit të përbashkët dhe që të jetë mesazh i të përbashkëtës. Ndrecaj ka paralajmëruar se në mars me iniciativën e tij do të mbahet një takim me Shoqatat, Ansamblet dhe me veprimtarë e njerëz të artit e politikës në mënyrë që kjo datë e rëndësishme kombëtare të organizohet e shënohet në mënyrën më madhështore të mundshme. Ai në këtë takim , edhe një herë , ka cekur se di dhe respekton angazhimet edhe të Shoqatës “Martin Dreshaj” edhe të asaj “Dukagjini” dhe do të jetë ndihmesë në aktivitetet e tyre . Ndrecaj ka premtuar edhe se do të jetë pjesë e Manifestimit “Zëri i Vëllazërisë” . Veprimtarët nga Kosova Lindore , Shefki Halimi dhe Kadri Abazi kanë sjellë në këtë takim përshëndetjet e kryetarit të Ansamblit “Shpëtimi”, Rexhep Abazit dhe gjithë anëtarëve e veprimtarëve të tjerë nga ky truall shqiptar. Ata janë shprehur të gatshëm të marrin pjesë në Manifestimin “Zëri i Vëllazërisë” dhe në gjithë aktivitetin në shërbim të kujtesës për përvjetorin e Kryengritjes në Malësinë e Madhe. Ukshin Jashari, Frashër Rraci e Rrahman Jasharaj nga Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” kanë shpalosur edhe një herë pjesë nga skenari i Manifestimit dhe kanë kërkuar vëllazërisht që Malësia e Madhe dhe Shkodra të bëhen pjesë e ditës së parë të kësaj feste kombëtare për të përcjellë mesazhin e unitetit nga Malësi nëpër gjithë trojet tjera. “Në Shkodër do të nisim Manifestimin tonë tradicional dhe bashkë të gjithë ne do të marrin një hise të krenarisë dhe gëzimit për këtë ngjarje të madhe dhe do t’i bartim ato nëpër gjithë qendrat e njohura të kulturës dhe historisë sonë. Na ndihmoni që Manifestimi ynë të jetë sa më madhështor sepse kështu e bashkërisht do ta lartësojmë kujtimin për Kryengritjen e Malësisë , për Dedë Gjo Lulin dhe për gjithë atdhetarët tjerë në përvjetorin e kësaj ngjarje të shënuar, që i takon gjithë kombit tonë dhe është faqe e ndritur e historisë shqiptare”, kanë apeluar ata për të shtuar se madhështia e gjithë Manifestimit do të varet, pa tjetër, edhe nga përkrahja e njerëzve të vullnetit të mirë, kudo janë ata. Shoqata “Martin Dreshaj” është në pritje të kësaj përkrahje , ndërsa takimin në Shkodër e vlerëson si shumë të rëndësishëm dhe është krenare për pritjen dhe përkrahjen që i ka hasur nga Shoqata Atdhetare “Dukagjini” dhe nga nënprefekti Sytki Ndrecaj.

Rrahman Jasharaj e Albert Camaj

KOMENTOJE