Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911 – Ngritja e flamurit shqiptar në Bratilë të Deçiqit (4)

Pjesë nga libri i studiuesit Romeo Gurakuqi, “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911”.

Kryengritja e Malësisë së Madhe, mars – gusht 1911

Ngritja e flamurit shqiptar në Bratilë të Deçiqit

Malësorët gjatë kryengritjes luftuan për një ideal, luftuan vetëm për pavarësinë e Shqipërisë.
Momenti më kulmor, që simbolizon karakterin e saj dhe është tregues i shkallës nacionale të ndërgjegjësimit të malësorit, është ngritja për herë të parë pas 500 vjetëve robëri e Flamurit Kombëtar më 6 prill në Bratilë të Deçiqit. Paraprakisht, duhet të themi, se logjikën vërtetuese të ngjarjes, përkundrejt përpjekjeve joserioze dhe dashakeqe, që mundohen ta errësojnë, na e ka dhënë të plotë studiuesi Tefë Krroqi. Në këtë punim, duke ecur paralelisht me linjën logjike të ngjarjes së dhënë në studimin e tij, do të përpiqemi të veçojmë momente që lidhen me objektin e temës dhe që e përforcojnë atë.
Pikësëpari duhet të thuhet se, për një popullsi me vetëdije të qartë dhe të përcaktuar patriotike, sikurse ishin shqiptarët e këtij rajoni, flamuri kombëtar, d.m.th. edhe zotërimi i tij, nuk përbënte një gjë jo të zakonshme, përkundrazi, ai flamur përbënte simbolin e domosdoshëm dhe normal të traditës së tyre, të të qenit shqiptar të pastër etnikisht, që kishin ditur në shekuj të ruanin karakteristikat e mirëfillta shekullore të racës arbnore.
Nuk ishte e rastit prandaj, që në vitin 1906, Dedë Gjo’ Luli, kërkon një flamur kombëtar, të cilin ia sjell Aladro Kastrioti me anë të Preloç Prenkës. Flamuri kishte qenë i gjatë dy metra dhe me shirita anash. Më tej, në vitin 1907, te Prajsi Brija Tuzit, me porosi të Dedës, Prelë Keri nguli flamurin shqiptar, ndërsa vetë Deda e nguli atë në Triepsh. Kur shpërtheu kryengritja e Malësisë shumë nga
malësorët kishin flamuj të vegjël kombëtarë dhe meqë ata sulmonin nga toka e Malit të Zi, i mbanin të fshehur në brez, ose të palosur në gji.
Rëndësi të posaçme dokumentare paraqet në këtë përcaktim ditari i françeskanit At Pal Dodaj, në gjuhën italiane, që e disponon redaksia e sotme e “Hyllit të Dritës”. Në disa shënime të datës 2 prill 1911 të këtij ditari, lexohet: “Sot kemi dërgue dy kuaj për të marrë Provincialin, i cili do të vinte për vizitë kanonike, por në gjysëm të rrugës i kishte dalë përpara një korrier për ta lajmërue që të kthehej mbrapa, mbasi qyteti i Shkodrës asht në rrëmujë të madhe për shkak të luftimeve.
Qysh në fillim të javës së kalueme malësorët e Mbishkodrës kishin pushtue Tuzin tue ngritun
flamurin kombëtar…” Kjo dëshmi përbën një përforcim, që luftimet nën udhëheqjen e flamurit kombëtar, ishin tashmë në rendin e ditës dhe se ngritja në vijim e këtij flamuri në Bratilë të Deçiqit,
ishte vetëm një akt simbolik i burrërisë shqiptare të malësorit dhe një kundërvënie sinjifikative
ndaj pushtuesit dhe veglave të tij.
Studiuesi shqiptar nga Podgorica, Gjergj Nikprelaj, ka botuar kohët e fundit një dokument me rëndësi të posaçme vërtetuese për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar në majen e Deçiqit, të marrë në arkivat e Malit të Zi. Dokumenti është një informacion i komandantit të batalionit të Kuçit për gjeneralin Janko Vukotiq, i cili ka qenë në atë kohë përfaqësues special i qeverisë malazeze në
Podgoricë, për ruajtjen e qetësisë në kufirin turko-malazez. Detyra e tij kryesore ka qenë koordinimi dhe ndihma ushtarake kryengritjes, të cilën e ka kryer me sukses.
Telegrami është dërguar në kohën e zaptimit të Deçiqit, nga Fundnat 3-5 km larg majës në fjalë. Në këtë dokument thuhet: “Ne prej këndej nuk shohim mirë, por kaçakët (kryengritësit – vërejtja jonë) e kanë pasë një flamur. Na mendojmë që ai është i tyre, pse në anën e sipërme të Deçiqit, në Shpije (duhet të jetë Spije – vërejtja jonë) nuk dëgjohet asnjë pushkë. Prandaj, unë nuk e di pse do të shtinin ata, kur Deçiqi është në duart e tyre.
Unë shpresoj shumë se është në duart e kaçakëve”. Por megjithatë le të ndjekim rrjedhën e ngjarjeve.
Më 6 prill malësorët filluan në stil të gjerë luftimet me turqit. Ata sulmuan në shtatë vende, prej Vranes përmbi Kastrat e deri në Dinoshë, duke mos lejuar t’i shkonin ndihma nga Shkodra, Tuzit të rrethuar. Momenti më i rëndësishëm i këtyre luftimeve, ka qenë marrja e fortifikimit të Deçiqit (ose Suk Kokotit), ngritja e flamurit kombëtar shqiptar në majën e Bratilës dhe detyrimi i trupave turke të
marrin strehim në fortesën e Shipshanikut.
Ideja e ngritjes së flamurit lindi në kushtet e fitoreve të njëpasnjëshme të korrura nga kryengritësit, me qëllim që të mbahej lart morali i kryengritjes dhe të shpallej qartë karakteri i saj nacional.
Pasi u kërkua gjithandej, u njoftua nga Cetina se Gjon Gjo’ Kola, terzibashi i Krajl Nikollës me punëtorët e vet, Kolë Jozën, Rrok Pultin, dhe Gegë Gurakuqin, ishin duke qëndisur një flamur të tillë shumë të çmueshëm. Flamuri, pasi u ruajt për disa ditë në shtëpinë e Zef Jak Dajçit, duke u shpëtuar ndjekjeve të autoriteteve malazeze, kaloi në duart e anëtarëve të Komitetit të Podgoricës.

Nik Gjelosh Luli, sipas urdhërit të marrë nga Dedë Gjo’ Luli, ngriti flamurin shqiptar në majë të Bratilës, mbi shtizen ku më përpara valonte flamuri i Turkisë. Nën hijen e këtij flamuri, 70 malësorë
luftuan heroikisht kundër 350 ushtarëve turq derisa i detyruan të tërhiqeshin, duke lënë 30 nizamë të vdekur. Për mbrojtjen e flamurit të ngritur ranë 7 dëshmorë shqiptarë.
Për krah Nish Gjelosh Lulit, që ngriti flamurin, luftoi me pushkë në krah i biri 14 vjeçar Luca.
Pushkët e kryengritësve, që përshëndetën flamurin e çpalosun shqiptar, i shoqnuen edhe topat e kalasë së Shipshanikut që për 4 orë rresht bombarduan Deçiqin, si të donin të përshëndesnin flamurin shqiptar.
Në aksionin për marrjen e Deçiqit dhe ngritjen e flamurit kombëtar morën pjesë malësorët e Hotit, Grudës dhe të Kastratit. Pas 4 orësh bombardimi të rreptë, malësorët u detyruan të lëshojnë Deçiqin.
Lajmi i parë mbi luftimet e malësorëve me flamurin e Skënderbeut është dhënë nga “Liridashësi” në Nr. 4, datë 13 prill të Gazetës “Liri e Shqipërisë”, që botohej nga Kristo Luarasi në Sofje. Ja si e përshkruante ai një lajm të tillë: “Nji pun’ e bukur shihet ndër kta burra qi leshi i kresë t’qohet përpjet prej gzimit qi kto fatoza luftojn me flamur t’kuq me shqiponjen e zezë me dy krena due me thanë me
bajrakun e Skenderbeut”.
Kjo gazetë do të japë edhe në vijim të kryengritjes përshkrime të kryengritjes dhe të idealit nacional të malësorëve tanë. Në numrin e saj të datës 10 maj 1911, “Liri e Shqipërisë” tregon, se malësorët luftojnë “nën hijen e flamurit kombëtar”. Më taj ajo shton se Turqit e Rinj, po mundeshin “përpara fuqisë së popullit shqiptar, përpara idealit të tij, të cilin puna po e tregon me hapjen (shpalosjen R.G.) e flamurit, që po valon ndër malet e Shqipërisë”.
Dëshmi materiale është vetë flamuri, i cili ka qenë i ruejtun në Muzeun e Kuvendit të Françeskanëve, më pas në Muzeun Historik në Shkodër dhe sot mjerisht nuk i dihet fundi, sepse kështu u interesonte forcave antishqiptare, pushtetplotë deri dje në Shkodër.

Flamuri ka qenë i ruajtur në Muzeun e Shkodrës për më tepër se 20 vjet, deri në vitin 1968, derisa vdiqen të gjithë pjesëmarrësit e kryengritjes së vitit 1911.
Mbi ekzistencën e flamurit që u ngrit në Deçiq në Muzeun e Kuvendit të Françeskanëve, dëshmuan dhe dëshmojnë edhe etërit françeskanë Leon Kabashi, Viktor Volaj, Daniel Gjeçaj dhe Zef Pllumbi, të cilët për një kohë të gjatë janë kujdesur për këtë institucion.
Rreth flamurit dhe veprës madhore të ngritjes së tij, kanë lënë të shkruara kujtimet e tyre edhe veteranët: Zef Marash Doka, Martin Ujk Traboini, Nore Kola (bashkëshortja e djalit të Dedë Gjo’ Lulit, Gjeto Luli) etj. Ata japin hollësi autentike, për shkak se disa nga ata kanë marrë pjesë në ngritjen e flamurit, ose kanë qenë afër udhëheqjes së kryengritjes.