Shoqata “Martin Dreshaj” lartësoi kujtimin për Dedë Gjo Lulin dhe trimat e tjerë
Kosovë (16/17 prill)- Me qëllim që mesazhi për unitet dhe dashuri ndaj kombit të përcillet nga Malësia, me qëllim që edhe Kosova të kujtojë më respekt heroin e kombit tonë Dedë Gjo Lulin dhe trimat e tjerë në 100 vjetorin e kryengritjes në Malësinë e Madhe, Shoqata e Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” ka organizuar Manifestimin “Zëri i Vëllazërisë për 100 vjetorin e Kryengritjes në Malësi”. Festa ka filluar në Prizrenin e historisë sonë krenare, për të vazhduar pastaj në Gllogjan, Deçan, Istog e në shumë pjesë të tjera të Kosovës. I bukur ishte ky Manifestim sepse e nderuan me pjesëmarrje artistë, veprimtarë, këngëtarë e valltarë nga Shkodra, nga diaspora, Plava e Gucia, Malësia e Madhe, Medvegja e Kosovës Lindore dhe nga shumë trojet tjera shqiptare.
Festë në Prizren
Veprimtari Besnik Krasniqi dhe institucionet komunale të Prizrenit kishin pranuar me kënaqësi propozimin e Shoqatës “Martin Dreshaj” që Manifestimi të fillonte pikërisht te Kompleksi i Lidhjes Shqiptare. Ansambli “Lidhja e Prizrenit” me valle të bukura dhe Nijazi Krasniqi, drejtues i Kuvendit Komunal të Prizrenit kishin përshëndetur ngrohtësisht pjesëmarrësit nga trojet etnike në këtë festë.
“Prizreni është një fragment i bukur e krenar i historisë sonë. Në Lidhjen Shqiptare kishin marrë pjesë atdhetarë nga të gjitha trojet etnike. Edhe sot këtu po shoh pjesëmarrës nga këto troje dhe për ne kjo është një ndjenjë e veçantë. Zërin e Vëllazërisë vazhdoni ta shtrini kudo ka shqiptarë”, është shprehur në fjalën përshëndetëse Krasniqi në emër të kryetarit Ramadan Muja dhe gjithë institucioneve e qytetarëve të Prizrenit.
“Përgjatë shekujsh, në trojet e Nënës Shqipëri, kushtrimi për liri u pri nga Flamuri ynë Nacional, legjendarët e të cilit, u përkulen para tij dhe e bënë jetën fli për të. Jo rastësisht organizatorët e filluan pikërisht këtë manifestim ne qendrën e lavdisë nacionale, në Prizren.
Kanë kaluar më tepër se 130 vjet që nga dita e Lidhjes se Prizrenit, por themelet e kësaj shtëpie qe ndodhet pranë nesh, qëndrojnë të forta idealet e Filozofit Avdyl Frashri; atdhetarizmi i Sulejman Vokshit; vendosmëria e Ymer Prizrenit; urtësia e Mark Lules se Shalës e baruti i thate i Gjek Geges së Shllakut, si dhe shume e shume burrave te tjerë me gjen shqiptari. Përkulemi sot para veprës se tyre, përkulemi sot para këtyre korifenjve të Nacionalitetit tonë, para këtyre legjendareve të përjetshëm, të cilët ndonëse ndodheshin nën thundrën e Perandorisë Osmane, bënë çmos për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare.
Flaka e ndezur në Prizren, ndonëse nuk e ngrohu kombin tonë për momentin, por ajo nuk u shua. Ajo qëndroi si shkëndijë shprese për 33 vite radhazi, derisa me 6 prill 1911 flakëroi në qiellin e Shqipërisë si një Fanar ndriçues nga Mali i Deçiqit. Kjo ishte ngjarje shumë e rëndësishme ne historinë e kombit tonë, pasi kishin kaluar 432 vjet robërie otomane pa Flamurin e Gjergj Kastriotit, dhe atë ditë nga kujtesa e thellë e brezave te këtij vendi u shpërfaq emblema e identitetit shqiptar, Flamuri Kuq e Zi, dhe njëkohësisht u piketua kahja evropiane e shqiptarëve si një nder nacionalitete me të vjetra të saj me pozicion kulturor e gjeografik thellësisht të trungut te saj”, ka thënë veprimtari Ndue Sanaj teksa po përshëndeste në emër të pjesëmarrësve nga trojet etnike.
Shoqata e Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” ka falënderuar mikpritësit dhe pjesëmarrësit në fillimet e Manifestimit. Pas programit të bukur artistik pjesëmarrësit bashkë me mikpritësit janë gjendur në një sofër të përbashkët dhe kanë vazhduar me bisedat vëllazërore. “Duke parë këtë pritje të Ju dhe në gjithë qytetet tjera po marrim forcë që ta mbajmë premtimin dhënë Malësisë se do ta bartim këtë zë në gjithë qytetet dhe trojet etnike”, ka thënë duke u falënderuar për pritjen e ngrohtë, Ukshin Jashari, kryetar i Shoqatës “Martin Dreshaj”.
Në Gllogjan lartësohet kujtimi për Shkëlzen Haradinaj e trimat e tjerë
Kanë vazhduar rrugëtimin pjesëmarrësit e “Zërit të Vëllazërisë” për t’u gjendur në Gllogjanin e historisë e për të lartësuar kujtimin për heroin e kombit Shkëlzen Haradinaj pikërisht në 12 vjetorin e rënies së tij heroike për të mos vdekur kurrë. Pas homazheve dhe fjalëve përkujtuese që u thanë me aq krenari nga veprimtari Naim Martini, pjesëmarrësit janë ndalur në një bisedë të lirë me gjeneralin Daut Haradinaj. Ai ka shprehur respekt të lartë për këtë Manifestim ngase, si tha edhe ai, kështu po bëhen bashkë vëllezërit nga trojet etnike për t’i falënderuar pastaj që po lartësojnë kujtimin për Shkëlezenin dhe trimat tjerë të lirisë. Nga ky vend i lavdisë kombëtare “Zëri i Vëllazërisë” është gjendur mes qytetarëve të Deçanit. Janë hedhur valle të bukura e të përbashkëta në rrugët e këtij qyteti për të vazhduar pastaj festa me shpalosjen e një programi të pasur artistik me këngë e valle nga të gjitha trojet etnike.
Befasi e bukur e kësaj feste ishte edhe pjesëmarrja e duetit të njohur Hana e Kolë Nikprelaj, të cilët kanë ngritur në këmbë publikun e paraqitjet e tyre të shkëlqyera. Ishin të shkëlqyer në këtë mbrëmje feste edhe këngëtarët nga Shkodra Ndue Shytani, Bardhok Prebibaj, Avgustin Preka, Petrit Gjinaj dhe Ansambli i valleve i udhëhequr nga koreografi i njohur Aldo Nika. Bukur janë paraqitur edhe Ismajl Balidemaj dhe Ansambli i Valleve “Majat e Karanfilave” nga Plava e Gucuia, Mhill Krasniqi dhe Grupi “Bijtë e Marash Krasniqit, Ismet Demaj Faton Bytyri e Islam Haskaj nga Ansambli “Selman Kadria, Grupi “Shpëtimi “ nga Medvegja e Kosovës Lindore, po edhe Ansambli i Valleve “Flutura” nga Gjilani nën përkujdesjen artistike të Xhemajli Berishës. Veprimtari Ali Geci ka lavdëruar veprimtarët e Shoqatës “Martin Dreshaj” dhe gjithë pjesëmarrësit duke cilësuar se me angazhime të tilla bëjmë që shqiptarët të jenë bashkë dhe t’u këndojnë trimave e ta lartësojnë kujtimin për ta. Kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj ka pritur pastaj në sofrën e mikpritjes dukagjinase pjesëmarrësit e Manifestimit.
Edhe në Istog mikpritje e ngrohtë vëllazërore
Dita e dytë e Manifestimit “Zëri i Vëllazërisë për 100 vjetorin e Kryengritjes në Malësi” ka kaluar bukur e me aktivitete në qytetin e Istogut. Qytetarët atje ishin mbledhur buzë rrugëve për të përshëndetur vëllezërit nga trojet etnike e për t’u bërë pjesë e festës dhe valles së përbashkët. Atmosferën festës ia ka shtuar Ansambli “Rugova” duke prezantuar me mjeshtri të rrallë ato vallet e bukura e epike të bjeshkëve të Rugovës.
“Ardhjen Tuaj mes nesh Istogu e konsideron si festë të bukur dhe ndjehuni si në shtëpinë tuaj sepse në shtëpinë tuaj edhe jeni. Ngjarje të tilla kulturore kur shqiptarët janë bashkë në një këngë, valle e në një sofër duhet të ketë edhe në të ardhmen. Ky Manifestim për ne është tradicional dhe do ta ndihmojnë organizimin e tij edhe në të ardhmen “, ka thënë kryetari i Istogut, Haki Rugova. Pas kësaj është shpalosur një program i pasur artistik me prezantimin e vlerave të mirëfillta të
kulturës sonë. Pjesëmarrësit janë gjendur në ditën e dytë edhe në sofrën e mikpritjes shtruar nga kryetari i këtij qyteti, Haki Rugova.
Në përmbyllje të kësaj feste organizatori ka ndarë edhe tituj, çmime e mirënjohje. Me titullin e lartë “Pishtar të Unitetit Kombëtar” janë nderuar shkodrani Ndue Sanaj e malësori në SHBA, Gjon Pashk Dedvukaj. Me titullin “Martin Dreshaj” janë nderuar Ramadan Muja, Rasim Selmanaj, Haki Rugova, Avdyl Mushkolaj, Rexhep Abazi, Naim Martini, Shoqata “Dedë Gjo Luli“ nga New York-u dhe dueti Kolë e Hana Nikprelaj. Janë ndarë mirënjohje të veçanta nga Kuvendi komunal i Istogut dhe Shoqata organizatore e festës edhe për Malësia.org dhe Radio “Fontana” për kontribut të lartë në prezantimin e aktiviteteve të gjithë “Zërit të Vëllazërisë”. Shoqata “Martin Dreshaj” shpreh mirënjohje të veçantë për institucionet komunale të Prizrenit, Deçanit, Istogut, për Shoqatën “Dedë Gjo Luli” (New York), veprimtarin Gjon Pashk Dedvukaj, Besnik Krasniqi, Avdyl Mushkolaj, Faton Bytyqi e ca të tjerë, që e ndihmuan në këtë apo atë mënyrë, por nga zemra, organizimin e mbarë të kësaj feste të madhe. /Malesia.Org/
FOTOGRAFITË – VIDEO – Prizren
FOTOGRAFITË – VIDEO – Gllogjan
FOTOGRAFITË – VIDEO 1 – VIDEO 2 – Deçan
VIDEO – Istog