Orë përkujtimore në 1-vjetorin e vdekjes të Tomë Bojaj

Tuz, Malësi (1 maj 2011) – Nën organizimin e OJQ “Illyricum” dhe klubit të Taekwondos-së “Besa”, dje në QIK “Malësia” në Tuz, u zhvillua orë përkujtimore për 1-vjetorin e vdekjes së themeluesit të TV Boin, Tomë Bojaj.
Tomë Bojaj, themeluesi i televizionit të parë në gjuhën shqipe në Mal të Zi, lindi me 25.04.1967 në Dushiq, Malësi dhe vdiq me 01.05.2010.
Në emër të OJQ Illyricum foli Nikollë Berishaj, në emër të K.T. Besa Verë Berishaj, kurse në emër të stafit të TV Boin foli Noc Camaj.

(fjalimet)

Nikollë Berishaj, kryetar i Shoqatës “Illyricumi” Tuz
Që të të jetojë emri pas vdekjes sate ose mbjelle një pemë, ose punoje një shtëpi, ose të lind një djalë, ose shkruaje një libër, thotë një fjalë e urtë kineze. Njeriu, jetën dhe veprën e të cilit po e përkujtojmë sot, ka bërë edhe më shumë se kaq.

Humbja e njerëzve të mëdhenj është si humbja e shëndetit apo lirisë, nuk jemi i vetëdijshëm për rëndësinë e tyre deri sa të mos mbetemi pa to. Pikërisht para një viti Malësia mbeti pa një madhështi të përulur, pa një birë të shtrenjtë, që herë pas here ia falim shqiptarizmit. U nda nga njeriu që, ta pranojmë a jo, ia vuri vulën kohës në të cilën jetoi, nga njeriu që emrin Malësi e çoi shumë më larg, edhe përtej të gjitha ëndrrave të tij – edhe përtej Atlantikut.

Po e përkujtoj sot Tomë Bojajn, në përvjetorin e parë të ndarjes fizike të tij prej nesh, si anëtarin e Shoqatës Illyricumi, në njërën anë, dhe si bashkëpunëtorin e ngushtë i kësaj shoqatë që nga koha kur vetëm kishte filluar të mendonte dhe të vepronte për themelimin e televizionit të tij.
Një bashkëpunim i tillë i frytshëm është i mundshëm vetëm nëse janë qëndrimet gati identike për veprimtarinë dhe vizionet tepër të afërta për të ardhmen.

Nuk ishte e rastit që Toma u bë pjesë e të gjitha veprimtarive të Shoqatës sonë më së shpeshti si sponsor media. Fal kësaj veprimtarie, sot e kemi shënimin në celuloid të të gjitha veprimtarive, kulturore, shkencore dhe shoqërore të shoqatës sonë.

Por, Toma ishte me të gjithë ata dhe gjithkund, ku flitej a veprohej për të mirën e Malësisë. Ishte aty edhe atëherë kur Malësia ua hapi dyert kosovarëve, duke mos ia lejuar vetes të bëhet shënues pasiv i ngjarjeve, por duke u bërë pjesëmarrës i gjallë në strehimin dhe ndihmën që ua ofroi Malësia vëllezërve të vet.

Kush prej nesh nuk e kujton koncertin madhështor “Yjet u ngritën për Kosovën”, kush prej nesh nuk i ka përcjellë dokumentarët kushtuar tragjikes njerëzore të të dëbuarve nga plëngu i vet.

Ishte edhe aty ku, edhe pse rrallë, dëgjohej zëri i revoltës së malësorëve. Cili prej nesh nuk i ka të gjalla xhirimet nga veprimtaria e prindërve për ndërtimin e shkollës fillore, apo demonstratat e malësorëve për një Komunë krejtësisht tjetër nga ajo që e kemi sot.

Cili prej nesh nuk i kujton demonstratat për kthimin e pronave që na i solli Toma me ekipin dhe TV e tij. Apo, raportet nga procesi i montuar gjyqësor për “terrorizmin” malësor, të cilin, sipas mendimit të organeve represive të këtij shteti, ne duhet ta pranonim pa kurrfarë dyshimi.

Parimin kryesor të paanësisë gazetareske Toma diti ta ruaj, i bindur se ashtu do të kontribuojë shumë më shumë çështjes malësore e të mos ngurroj të them edhe çështjes shqiptare, që ato vite po jepte provimet më të vështira të vetat. Por, duhet thënë se ai nuk e njihte autocensurën, armikun më të madh të objektivitetit gazetaresk, e aq më pak imponimin nga kushdo qoftë.

Ishte njeri me zemër tejet fisnike, me durim të paparë, gjithmonë i gatshëm për ta dëgjuar bashkëbiseduesit, edhe nëse nuk pajtohej me të. Njeri që tentonte ta bashkonte edhe të pabashkueshmën, ta pajtonte edhe të papajtueshmen, por që asnjëherë nuk lejonte, që shkeleshim virtytet për të cilat luftonte aq me këmbëngulje.

E çka është jeta mbas vdekjes, nëse nuk është ajo që po e përjetojmë të gjithë ne sot këtu: një vazhdimësi e prezencës së veprës dhe jetës së tij në çdo hap, jo vetëm te njerëzit dhe miqtë e tij më të afërt, por edhe prezenca e jetës dhe veprës së tij në Malësi dhe shumë më gjerë – në rrafshin gjithëshqiptar.

Vërtetë, me plot kuptimin e fjalës mund të themi se Malësinë e pesëdhjetë vjetëve të fundit e përcaktuan tri ngjarje: Besëlidhja e Malësisë e vitit 1970, Heshtja e armëve e vitit 1994 si dhe Themelimi dhe veprimi e Televizioni Boin në vitin 2001, vepër kjo jetësore e Tomë Bojajt.

Gjithsesi, secila prej këtyre veprimtarive ishte e lidhur jo vetëm vizionin për të mirën, jo vetëm me entuziazmin personal dhe të grupeve të vogla, por ishte edhe trimëri tejet e rrallë. Këtë e shohim më së miri në rastin e Telvizionit Boin, si projekt individual për të mirën e përgjithshme, jo vetëm të Malësisë, por edhe të krejt indit kombëtar shqiptar. Në kohën kur Toma mendonte seriozisht për hapjen e dritares së vet mediatike, shumë njerëz të Malësisë i kishin valixhet e gatshme për ta lëshuar vendin dhe për të ikur nga rrebeshi nazishovinist i Millosheviqit, i pranuar krahë të hapur edhe nga bashkëpunëtorën më të ngushtë të tij, që udhëhiqnin atëbotë edhe shtetin e Malit të Zi.

Toma me veprimtarinë e vet e bëri të mundshme ndërrimin e njërës nga karakteristikat që ishte bërë pjesë e mentalitetit tonë, kujtesës së shkurtër. Bile e bëri këtë në kohën kur për ngjarjen më makabër flitej vetëm tri ditë, ngase e mbulonte ngjarja tjetër. Falë veprimtarisë së tij, Toma me kamerë në krah, u bë kronikani i Malësisë i fundshekullit të njëzetë. E zgjati kujtesën tonë të përbashkët, pasi që sot nuk ka asnjë ngjarje, sado e vogël qoftë, që nuk gjendet diku në arkivin e tij të pasur.

Një jetë aq e pasur duket sikur është jetuar në shumë më shumë vite seç u jetua në realitet. Mirëpo, Toma i arriti të gjitha këto vetëm në 42 vjetët e tij. Ai jetoi shumë shpejt, sikur ta ndjente se aq ishte e përcaktuar për të, por jetoi një jetë tejet të frytshme.

E nderuar Familje Bojaj, E nderuar Sandra dhe ju Borë, Kolë, Lule dhe Hënë bëhuni krenar për Tomën tuaj. Ruajini emrin e tij si gjënë më të çmuar dhe vazhdoni rrugën e tij.

Verë Berishaj, në emër të klubit Taekwondo BESA
Familje e nderuar, miq te nderuar te Tomës, nxënës të Tomës si dhe te pranishëm te tjerë. Ndihem shumë e emocionuar kur me duhet të foli për trajnerin tim të parë si dhe për nje njeri kaq te madh sikur ishte Toma. Me hapjen e klubit te Taekwondosë ne Tuz ishte ai i cili me qindra te rinjë malësor i largoi nga rruga dhe i mishëroi me sport. Ishte gjithmonë i buzëqeshur, ishte mbrojtësi i të gjithëve. Na mësoi te jemi vetvetja, duke çmuar së pari veten tonë, e pastaj edhe të tjerët. Na mësoi te jemi luftarakë, dhe kurrë mos të dorëzohemi, jo vetëm ne arenën e sportit, por edhe atë jetësore.

Ishte i vendosur, mendjemprehtë, gjithherë i gatshëm të na këshillonte. Ishte aktivist i palodhshëm i sportit. Po sa krenar ishte me arritjet tona sportive, gjithherë duke i konsideruar ato si personale, si mësues i mirë i cili kënaqej me trofetë tona të përbashkëta. Të rinjtë e donin, e adhuronin, e në të shumtën e rasteve ishte idhull për shumë prej neve.

Në momentin kur hynte në palestër të gjithë e rrethonin, të gjithë donin t’i afroheshin dhe të flasin më të për më të ndryshmet. Durumi dhe qetësia ishin vlerat që e pasuronin Tomën në mënyrë të veçantë. Me këshillat e shumta dhe fjalët qe edhe sot na kujtohen mundem lirshëm të them se ishte prindër i dytë për të gjithë ne.

Po sa atdhedashës ishte. Me kujtohet shumë mirë udhëtimi nëpër qendrat e Serbisë në kohën kur lufta vlonte në Kosovë, organizoi që të gjithë te kemi uniformën kuq e zi si dhe mbishkrimin në gjuhën shqipe. Na shikonin me urrejtje, e Toma gjithherë na u drejtonte më fjalë “janë kundërshtarët tonë të përbetuar, edhe këtu do ti fitojmë”. Duke ju falënderuar këtij frymëzimi, disa prej tyre sot mbrojnë ngjyrat e kombëtares shqiptare.

Ishte
mësues i përkryer, shembull për ne të rinjtë e tjerë që sot ndoshta provojnë ta praktikojmë një profesion të tillë. Ishte aq i afertë më nxënësit e tij, shembull për krejt se si duhet të punohet me rininë, dhe të largohen nga rruga e të këqës. I fortë si një fortifikatë lufte dhe i paluhatshëm në furtunat e shumta që ju vërsuleshin. Shembull për krejt neve edhe sot. Punëtor dhe aktivist i palodhshëm. Refer i ndarjes së drejtësisë, i përpiktë dhe i drejtë. Medaljet dhe kupat e shumta ishin arritje e drejtpërdrejtë të Tomës qe janë, dhe do të mbeten në vitrinat e klubit, kurse kujtimet përcjellje në çdo seancë stërvitore dhe gara sportive.
Familje e Tomës të jeni krenar për njeriun që posedonit, për njeriun që e njihnit ju por qe edhe ne u mishëruam me të. Fëmijë të Tomës do të jemi më se të privilegjuar sikur njëri nga ju do të behët pjesë e klubit tonë të përbashkët.

Ai nuk ka vdekur por jeton me ne në çdo hap dhe me kujtimet tona.

Noc Camaj, në emër të TV Boin
Të nderuar vëllezër e motra, e nderuara familje e Tomë Bojaj, të nderuar kolegë. Kam nderin por njëkohësisht edhe pikëllimin e madh që sot para jush të flas për të ndjerin Tomë, figurën e madhe të tij, e në veçanti për njeriun i cili gjithë potencialin e tij njerëzor e krijues ja kushtoi Malësisë, çështjes kombëtare e familjes, pikërisht ashtu siç me shekuj mbrapa ishte traditë e malësorit. Askush nga ne nuk e besonte se vdekja e zezë do të trokiste në derën e jetës së këtij njeriu aq herët. Sa do të doja të kisha fuqi dhe këtë realitet ta ktheja në një ëndërr të keqe, por ja që nganjëherë jeta është aq e pamëshirshme dhe na i merr më të dashurit, ata që askurrë nuk e besonim. Sot u mbush plot një vit që kur Toma u nda nga jeta, nga familja, nga ne… e të gjithë ne prisnim edhe shumë e shumë nga ai, sepse ishim mësuar ashtu, që ai gjithmonë veç të na jepte. Edhe pas një viti pa të është e vështirë të flasësh për Tomën e mos të flasësh me të, sepse ky boshllëk që krijoj mungesa e tij sa ngulfate zemrat – na përlotë sytë.Toma ishte por edhe është dhe do të mbetet, një nga ata shqiptaret, malësorët e vërtetë, simbol i rezistencës, burrërisë dhe i nderit të familjes. Sa herë që më bien ndërmend Toma dhe jeta e tij, kamë emocione të thella. Sepse, me kujtohen shumë çaste që ndava me të.Ai ishte patjetër një nder ata që megjithëse luftoj në kushte problematike, e më të cilat u ndesh shpesh.Me që e njihja nga afër dhe më shumë ishim shokë se sa kolegë sepse ai kështu donte, mund tu them se Toma ishte ai djali e burri energjik e i guximshëm i cili edhe pse mbeti jetim shumë i ri, që nga ajo moshë shfaqi ide e qëndrime të shkëlqyeshme, i njoh dhe i di edhe nga afër shumë përpjekje të tij, e nder to edhe atë për hapjen e televizionit Boin me qellim që sinjali i tij të ofroje e përhap informacione për vendasit e bashkatdhetarët jashtë vendit. Me qellim që ai të jetë jo veç një dritare drejt zhvillimit por të jetë njëkohësisht edhe një arkiv i paçmueshëm i dijes, kulturës, njohurive të reja e përparimit të mjedisit ku jetonte, por gjithsesi edhe më gjërë. Toma si shok ishte i hareshëm e i këndshëm -gjithmonë i buzëqeshur dhe asnjëherë i vrenjtur, si mik ishte tejet i kujdeshem dhe besnik, si kolegë idealist i perfeksionimit e si njeri e familjar thjesht ishte i përkryere. Ne sot pas një viti, nxjerrim disa përfundime tepër të vlefshme, që shembull i tij që kurrë nuk vuri interesat personale mbi ato të Malësisë e kombit, por luftoj vetëm për interesat madhore.
Me televizionin Boin Toma krijoj një ushqim shpirtëror për të gjithë ata që e ndjejnë veten shqiptar. Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë asnjeri nga ne sepse të gjithë e dimë mirë se në çfarë kushtesh ndërmori këtë hap që shumë kujt i dukej si kërcim vetëvrasës.
Por jo Toma ja arriti të shendrojë atë në atë që vetë ai deshi dhe që ishte vizion i tij.
Hyri në çdo familje malësore, krajane e ulqinake, por edhe në çdo familje të bashkatdhetarëve tanë. Kjo na bën që edhe ne të mobilizohemi dhe të jemi ne të njëjtën linje me te dhe veprën e tij, mos ta devijojmë atë për çka Toma shpesh na thoshte vetëm ashtu siç dinte ai: Ju jeni ata që e mbani Boinin gjallë, ju duhet të sidhni e të grumbulloni lajmet e emisionet e unë jam pas jush.

– Thonë që koha shëron të gjitha plagët. Ndoshta është kështu por jo kur është ne pyetje Toma, sepse ai iku madje pa na thëne gjë. Në të vërtet na la kujtime të mira, por gjithashtu na la edhe me lot në sy edhe sot e kësaj ditë, një vit më vonë. Ç’të themi sot? Iku në qetësi ashtu siç i ka hije një burri siç ishte ai, na la kujtime, çaste e momente që nuk harrohen kurrë, por Toma ishte ai që për ne kishte domethënie të veçantë, ishte gjithçka na nxite, na trimëronte e çka është më e rëndësishmja na jepte ide dhe na përkrahte duke qëndruar gjithmonë aty ku e kishte vendin. E sfidat ishin të mëdha si për të ashtu edhe për ne .Iku parakohe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetët tona e të gjithë atyre që e njohin. Sot një vit mbrapa ende shpresojmë se do të kthehet edhe pse jemi të vetëdijshem se kjo s’do të ndodhë. Besojmë se një ditë do ta shohim si gjithmonë e pamë, të qeshur. Kështu na mbete të besojmë, me lotë në sy e dhimbje në shpirt se ai është diku atje lart, diku atje ku bota është më e mirë, ku nuk ka vuajtje. Besojmë se na pret atje lart edhe neve për të na përqafuar dhe për të na gëzuar. Por gjithsesi na la të gjithë neve. Vërtet vendin e tij të zbraztë por të plotë. Të plotë me besimin se do të arrijmë të realizojmë jo ëndrrën por amanetin që kishte e nuk na e tha kurrë. E ai është që Televizioni Boin të mbetet gjithmonë dritare e pasqyrë e Malësisë dhe shqiptarizmit. Edhe ne besojmë se do të ja arrijmë, jo vetëm për hir të tij por për hir të tij e të brezave që vijnë e do të vijnë. Na la me lot ne sy që nuk shteren dhe as që duhet të shteren, sepse të kujtosh, të mendosh, e të lotosh për njeriun siç ishte ai është nderë. E dimë, e përjetuam dhe e vuajtëm edhe ne si staf sëmundjen e tij, por vjen dita kur duhet të mendojmë se dhembjet e tij pushuan dhe dita kur duhet të themi se dhimbja jonë për të nuk do të ndalet kurrë. Ai do të kujtohet nga ne, ndoshta edhe në heshtje, o të qajmë për të përsëri në heshtje, dhe do të ruajmë por dritarja që ai na la në duar nuk do të heshtë kurrë.

– D o të jemi gjithmonë krenar kur të dëgjojmë emrin e tij sepse ishim krenar gjithmonë sa qe ai. Do ta kujtojmë përjetë me madh e do ta bëjmë këtë në nder të tij por edhe në nderin tonë. Do ta bëjmë edhe për një fakt tjetër, e ai është fakti se patëm rastin të njohim një njeri të tillë e të jemi bashkëpunëtorë të ngushtë me të.

Unë me gjithë zemër falënderoj zotin që më dhuroi fatin ta njoh nga afër, ta kem mik dhe të bashkëpunoj me një njeri siç ishte Toma. Njëkohësisht dua të uroj me gjithë shpirt që vepra e tij të mos harrohet dhe njerëz të tillë të kemi sa më shumë në mesin tonë. E nderuara familje e Tomës, thonë njeriu vdes, por gjithashtu thonë se disa njerëz nuk vdesin por ndërrojnë jetë. Toma pra ta dini, nuk ka vdekur, ai veç ka ndërruar jetë dhe jam i bindur se edhe ai nga atje diku lart ju sheh çdo ditë, ju kujton dhe mendjen e shpirtin i ka tek ju. Toma nuk ka vdekur, ai jeton edhe në zemrën e shpirtin tonë. Andaj ndihuni krenar , edhepse humbja e tij është e madhe, ndihuni dhe jini krenar që në gjirin tuaj patet një djalë, burrë, prind vëlla, një njeri kaq të madh, kaq të guximshëm, kaq dinjitoz. Tomes le ti dërgojmë një porosinë tonë, do
ta vazhdojmë rrugën tende aty ku e le ti, me shpresën se edhe krahas mungesës së ideve e forcës tënde do tja arrijmë të bëjmë më të mirën, atë që dëshiroje edhe ti. Tomës i qoftë i lehtë dheu i tokë të cilën e deshti aq shumë dhe për të cilën kontribuoj deri në momentet e fundit të jetës së tij. Shpirti ju preftë në paqen e amshueshme, Faleminderit. /Malesia.Org/

FOTOGRAFITË KOMENTOJE