In memoriam: Palokë Nou Junçaj – Njeri i veçantë me respekt të veçantë

Ditë më parë, në Los Anxhelos të Kalifornisë së largët, u nda nga jeta një bashkëvendës yni i nderuar, një bir i këtij trualli, i cili, shkrimet për të, nuk i meritoi me pozitat që pati, as me titujt e gradat shkencore ose të pushtetit, por faqet e gazetave, e edhe të librave, i meritoi me atributet që i kanë hije malësorit, si mikpritja, bujaria, besnikëria e bamirësia. Fjala është për Palokë Nua Junçaj, i lindur e i rritur në Malësinë e Madhe, para më se shtatë dekadave dhe i mërguar në SHBA, në vitet 70-të.

Paloka u rrit në një kullë, që matej me majën e Rumisë e të Veleçikut, e që në oborr kishte të muruar kazermën e ushtrisë serbe e jugosllave, sepse donin t’a mbanin nën kontroll këtë familje që agonte me shikim nga Shkodër locja e merrte frymë nga era që sillte murrlani i Rapshës e shiroku i Shkodrës. Në pamundësi që jetën ta krijonte në Hot, ku familja e tij mbijetoi me shekuj, si e para dhe më e vjetra, si edhe shumë të tjerë, ai u shpërngul në Amerikë, e cila premtonte një jetë të lumtur dhe begati. Ai zhvendoset atje ku dheu të bën për vete dhe s’të lëshon më, por kërkon nga Ti që të shkrihesh në tokën e saj. Nga Malësia e tij, Paloka mori me vete ato që nuk mbahen as nuk transportohen mbi supe, as me anije e aeroplan, por që barten në zemër, shpirt e mendje, thjesht barten me gjenin e malësorit. Mori me vete besën, burrërinë, mikpritjen, bujarinë, ndershmërinë, guximin, trimërinë dhe përkushtimin ndaj familjes dhe vendit. Ai mori me vete memorien e një familje malësore dhe hotjane, aty nga Bozhajt e vjetër të Hotit të lashtë.

Paloka ishte mësuar me liqenin e me malet, ashtu siç është mësuar malësori, me shekujt e pafund, që prej krijimit të kësaj toke. Ai mbajti barrën e cila nuk ulet sa herë ulet njeriu, por që përcjell tërë jetën dhe, këtë kemi pasur mundësi ta ndiejmë ne, miqtë e tij, të afërmit e në veçanti vëllezërit, motrat dhe më të dashurit e tij, bashkëshortja, prindërit dhe fëmijët. Pinjollët e familjeve të mëdha nuk e kanë fort të lehtë të nxënë famën e të parëve te vet dhe t’ua lënë trashëgim breznive që vijnë pas. Por Paloka e kultivoi shume mirë atë dhe, me përgjegjësi, mund të them se edhe i trashëgoi këto vlera, se la mbrapa tre djem, Nonin, Donin, Lekën dhe vajzën Dritën, si dhe nipërinë.

Ashtu siç qe dikur, në rini, në Malësi, që hijeshonte çdo tubim, me hijeshinë e një të riu tipik malësor, edhe në SHBA, me qëndrimet dhe pamjen e tij markante, të një burri me tiparet e maleve tona, fitonte admirimin e të gjitha moshave. Tryeza ku ai ulej gjithherë ishte plot. Tryeza, si tryezë, por edhe si sofër. E admironin të rinjtë, artistët, kalimtarët, por, mbi të gjithë e kishin idhull fëmijët e tij, të cilët edhe pse rriteshin në Amerikë, kultivonin vlerat e njohura për këtë shtëpi, ndër ma të vjetrat të Hotit.

Unë pata fatin ta njoh nga afër këtë burrë dhe jemi miqësuar e dashur si të afërm. Tek ai gjeta burrin në të cilin kushdo mund të mbështetej, si u mbështet Hoti në oxhakun e tij; gjeta njeriun e besës e të fjalës që këshillon plot mençuri e urtësi, ashtu siç e pat zakon dera e madhe e Junçit. Në oborrin e tij, në shtëpinë e tij, në familjen e tij, në sofrën e tij, në fjalën e tij, gjithherë shihje një Malësi të vogël!

Nuk besoj të ketë pasur malësorë, e jo vetëm malësorë, por edhe shqiptarë të tjera nga të gjitha viset shqiptare, e të kenë vizituar Kaliforninë e të mos kenë pasur rast të jenë të pritur në shtëpinë e në sofrën bujare të Palokë Nout. Në shtëpinë e tij, njëlloj u priten, priftërinj e hoxhallarë, politikanë e këngëtarë, intelektualë e katundarë, azilantë e turistë… “ Edhe muret e shtëpisë i gëzohen mikut” – e kishte adet të thoshte! Këto tipare të kësaj familjeje pata rastin t’i përjetoja personalisht. Njëlloj si edhe rastin e veçantë, kur një miku të tij, vizitori të rastit në Kaliforni, të ikur nga rrethanat e krijuara në Malësi, në vitet e 90, i lindi një djalë, e Paloka, për nder e gëzim të tij, edhe pse nuk e kishte mik në shtëpinë e vet, organizoi një pritje madhështore, kishte ftuar miq e kumbarë, i kishte pritur sikur t’i kishte lindur nipi i tij, kurse foshnjën e sapolindur e kishte peshqeshuar, sikur ta kishte famull.

Po ashtu, nuk besoj të ketë pasur ndonjë aktivitet humanitar ose mbledhje fondesh për ndërtime të ndryshme në Malësi, në të dy anët e kufirit, rrugë, asfalte, ujë, shtëpi kulture, kisha, xhamia, etj. e të mos ketë qenë i pranishëm kontributi i Palokës.
Palokë Nou u nda nga jeta atëherë kur duhej të kënaqej e të shijonte pleqërinë dhe gjyshërinë së bashku me bashkëshorten Macen. Prehet në paqe, në varrezat Rowland Heights të Los Angjelosit. U përcjell nga shumë shqiptarë, jo vetëm të Kalifornisë, por edhe nga mbarë SHBA-të dhe nga Evropa e vendlindja, me respekt e nderime, ashtu siç e meritoi dhe siç i takon një burri të traditës.

Në pamundësi të hedh një grusht dhe mbi kufomën e vëllait tonë dhe të mikut tim, e të jem aty të ngushëllohemi se bashku me familjen e tij, po bëj këtë “in memoriam” të shkurtër, si sakrificën më të vogël që mund ta bëjë personi që pati rastin e fatin të provojë mikpritjen e këtij burri, i cili nga Malësia mori të gjitha virtytet që ia kishte kultivuar i ati, Nua Vuksani, i njohur si personi që vulosi Besëlidhjen e Malësisë.

Nikollë Camaj,
Malësi e Madhe
05. 05. 2011