Pas deklaratave të fundit të ish-presidentit Alfred Moisiu se ‘Kosova është thjesht krahinë e Shqipërisë’, ai është bërë një figurë interesante për mediat shqiptare. Në një intervistë dhënë për agjencinë ‘Kosovapress’, ai e ka shtyrë edhe më tej idenë e tij duke u shprehur se “bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës është thjesht çështje kohe”. Po botojmë një pjesë të intervistës së tij dhënë për këtë agjenci.
Zoti presidenti ç’mendim keni për politikën e Tiranës e Prishtinës, a po u përgjigjen rrethanave të kohës?
Tani, sigurisht mes Tiranës e Prishtinës në radhë të parë ka një lidhje shpirtërore, sepse si Tirana e Prishtina janë dy kryeqendra të të njëjtit komb e të njëjtit popull, pavarësisht se si historia na ka ndarë. Megjithatë, unë mendoj që këtu ka vend për të përmirësuar punën dhe disa gjëra duhet të bashkërendohen më mirë për të zgjidhur më mirë problemet tona, sepse sido që të jetë, ka shumë gjëra që mund të bëhen ende më mirë.
Zoti president, deklaratat tuaja se Kosova është krahinë e Shqipërisë kanë nxitur debat. Si i komentoni reagimet?
Kam thënë një gjë që është realitet. Nuk shpika gjë, vetëm fola për një problem që të gjithë jemi dakord dhe e dimë që kështu është, sepse në fund të fundit Kosova është një krahinë e Shqipërisë, siç janë edhe pjesët e tjera. Por flas për Kosovën, sepse Kosova e ka fituar pavarësinë e saj dhe le të kuptohet se Shqipëria është copëtuar dy herë, një herë pas Kongresit të Berlinit dhe në mënyrë të veçantë është copëtuar shumë më 1913-ën nga vendimi që mori Konferenca e Londrës. Bile është e njohur që sekretari i Shtetit të Britanisë së Madhe në atë kohë, kur shkoi të raportonte në Dhomën e Komunave pse u mor ai vendim nga Fuqitë e Mëdha, tha se ishin të detyruar të bënin padrejtësi për të kënaqur aleatët, se ndryshe nuk do të kishte zgjidhje. Në fakt unë thashë edhe në akademinë e 5 Majit se Europa me këtë rast, për rastin e Kosovës e kam fjalën, që mbështeti dhe ndihmoi luftën dhe pavarësinë e Kosovës, shleu një detyrim e gabim që ka bërë ndaj kombit shqiptar më 1913-ën.
Do të thotë se duhet bashkuar. Mund të na thoni se kur, e si?
E thash edhe në Prekaz që, si dhe kur – kjo është çështje kohe, sepse nuk mund të bëhet menjëherë. Por në fakt elementet e bashkimit kanë filluar. Ato fillojnë nga ekonomia, fillojnë nga vendimet ndërkombëtare të përbashkëta, por ende Kosova është një vend që nuk është njohur tërësisht dhe nuk është pjesë e organizatave ndërkombëtare, si OKB-së, etj. Pra kur Kosova të arrijë të bëhet pjesë e OKB-së dhe pjesë e NATO-së dhe Bashkimit Evropian, ku synojmë edhe ne të anëtarësohemi, sigurisht atëherë do të jetë më lehtë për të koordinuar veprimet dhe për të bashkëpunuar. Këto forma bashkëpunimi qojnë drejt një bashkimi, në fillim kulturor, mandej ekonomik, por në të ardhmen mund të bëhen edhe bashkime tjera, në një mënyrë të konfederatës. Këtë punë koha sigurisht se do ta mësojë, por që ne duhet të shkojmë drejt asaj, sepse është vërtetë një diçka e pakuptimtë, sepse kemi qenë dhe jemi një komb dhe zhvillimet e ndryshe historike e vendimet e gabuara të tjerëve na copëtuan. Pra ne nuk kërkojmë dhe nuk ngremë zërin për një diçka të padrejtë, por për një padrejtësi që i është bërë kombit dikur.
Politikanët thonë se bashkimi do të ndodhë në Bashkimin Europian…
Mbase ky është hapi i parë. Pra integrimi në Bashkimin Europian do të jetë hapi i parë sigurisht, pastaj vijnë veprimet e tjera.
A ka rrezik që deklaratat për bashkim të shqiptarëve të nxisin edhe idenë për ndarje të veriut të Kosovës?
Mendoj se ky rrezik nuk ekziston. Pse nuk ekziston? Për faktin se kur kam pasur kontakte ndërkombëtare në nivelet më të larta, edhe pasi jam larguar nga detyra e kryetarit të shtetit dhe u kam thënë atyre se nëse do të vijë një situatë që duhet ndarë veriu i Mitrovicës, atëherë ngrihet edhe problemi i jugut të Serbisë. Pra ajo pjesë duhet të bashkohet me Kosovën. Mirëpo ne dimë që edhe në Maqedoni ka 800 deri 900 mijë shqiptarë. Atëherë nuk e di se çdo të ndodhte me Maqedoninë, pa folur për vendet e tjera të rajonit. Unë them se nuk është në interesin e askujt që të bëhen këto copëtime. Nëse bëjmë fjalë për bashkim, ne kemi fjalën për gjërat që janë tani. Shqipëria është dhe ka kufijtë e saj edhe Kosova ka kufijtë e saj. Nuk bëjmë fjalë tani për të ndërhyrë tek të tjerët. /BalkanWeb/