Gjon Lucaj, i burgosuri i ndërgjegjes kombëtare! – Nikollë Camaj

Javën që lamë pas, policia shqiptare, në bazë të kërkesës së Malit të Zi, arrestoi Gjon Lucaj, përndryshe njëri prej të akuzuarëve në procesin “Fluturimi shqiponjës”, i cili ishte i dënuar, në mungesë, dhe gjatë gjithë kohës ishte i shpallur “në ikje”. Ky arrestim dhe mënyra e dhunshme se si është bërë, ka hapur një seri pyetjesh dhe dilemash dhe, me këtë shkrim nuk po tentoj t’i zgjidhi ato. Nuk e shoh të nevojës që të përfitoj nga rasti e të pozicionohem pro apo kontra, pasi që qëndrimet e mia lidhur me këtë proces të montuar politik i kam paraqitur sa e sa herë, në medie e në tryeza të ndryshme në Mal të Zi. Qëllimi është që përmes këtij autoriali të shkurtër dëshiroj të tërheq një paralele në mes të këtij arrestimit dhe sjelljes së pushtetarëve malazias ndaja njerëzve në kërkim. Sa herë që në Malin e Zi , në të kaluarën, (nuk e besoj se do të mund ta bëjnë edhe në të ardhmen), duhej burgosur dikush nga ata të cilët, pushtetit, si të burgosur, mund t’i kushtonin, montoheshin ikje, apo krijoheshin kushte për të “humbura pa shenjë”. Kështu, ata shpalleshin në kërkim vetëm pasi që ishin të sigurt e të strehuar larg dorës së pushtetit. Nga një sjellje e këtillë e pushtetarëve malazias mund të mësojnë edhe pushtetarët shqiptar, sidomos për rastin konkret. Gjon Lucaj, sot është i burgosuri i ndërgjegjes, i shtetit shqiptar! Me ekstradimin e tij, shteti shqiptar do t’i jepte legjitimitet të plotë aksionit “Fluturimi i shqiponjës”, i cili edhe nga vëzhgues të huaj, u përjetua si i montuar e politik. Unë këtu nuk dëshirojë të akuzoj askënd, dhe kuptoj situatën në të cilën ndodhet regjioni, ku nga të gjitha anët kërkohet bashkëpunim, por a thue u deshtë të fillohet nga ky rast bashkëpunimi apo për mesë tij të thellohet ai. Sado që mund të duket ashtu, qëllimi i kësaj shkrese nuk është të apelojë te instancat shtetërore shqiptare, sepse jam i bindur se shteti shqiptar do të di të shfrytëzojë këtë rast për të treguar qëndrimin dhe mendimin e vet lidhur me krejt operacionin famëkeq, dhe se nuk mund ta besoj se do të bëjë një të padrejtë të tillë, e të ekstradojë Gjonin Lucajn. Duke mos e ekstraduar Gjon Lucajn, Shqipëria do t’i tregonte Malit të Zi se nuk pajtohet me atë që ka bërë gjatë edhe pas operacionit famëkeq dhe do të solidarizohej me shqiptarët jashtë atdheut. Ashtu siç u solidarizuam ne tash një shekull me Shqipërinë edhe kur lulëzonte por besa edhe kur hapte kampe për popullin e vet dhe tonin, ishte ky një solidarizim prind-bir të prirë nga ajo se nëna nuk gabon kurrë, se shqiponja nuk i vret zogjtë e vetë. Pra, duke mos e ekstraduar, shpëtohet, jo vetëm Gjon Lucaj, por shteti dhe kombit nga një hipotekë e mundshme e inferioritetit ndaj pushtetit malazias. Pra ky s’është apel, sepse për të s’ka nevojë, njëlloj sikur nuk ka nevojë as për të publikuar qëndrimet që janë shpalosur në dhjetëra reagime deri më tani, ku janë denoncuar, si aksioni famëkeq, i trajtuar si terror shtetëror mbi pleq, gra e fëmijë, ashtu edhe procesi i montuar politik në Gjyqin e Lartë në Podgoricë, por edhe procesi i montuar e hileqar, e i improvizuar, kundrejt policëve që torturuan edhe plakun 80 vjeçar. Ky shkrim pra, ka të vetmin qëllim, që të paraqesë rastin e arrestimit të Gjon Lucaj, si moment të mirë për shtetin Shqiptar, për të treguar qëndrimin e vet ndaj procesit “Fluturimi i shqiponjës” dhe për t’u çjerrë maskat false pushtetarëve malazias dhe pohimeve të tyre se edhe arrestimin e 9 shtatorit 2006 e paskan bërë në bashkëpunim me SHIKU—un. Kjo mënyrë e të sjellurit të shtetit mëmë nuk duhet të flasë se nëna nuk i beson të birit, dhe Shqipëria s’ka kuj t’i frikohet, aq më pak të vërtetës, sepse ne as në të kaluarën më të largët, as me 9 shtator, kurrë në kujtesën tonë nuk ja nximë fytyrën asaj por tentuam të jemi bijë model të “zonjës mëmë”, edhe kur kishim fuqi por edhe kur na vrisnin. Përfundimisht duhet pasur para sysh se ekstradimi eventual, do t’i bënte dëm të pakthyeshëm pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi dhe veçanërisht luftës së tyre për të realizuar të drejtat e veta. Në rend të parë për faktin se ne këtu “Fluturimin e shqiponjës” nuk e përjetuam si atak ndaj disa personave ”të rrezikshëm, por raste të izoluara”, siç i paraqiti policia e gjyqësia malazeze, por si atak mbi shqiptarët dhe kërkesat e tyre legjitime, për të drejtat e veta në këtë shtet.

Nikollë Camaj
Kryetarë i LDnëMZ, dega e Malësisë

KOMENTOJE