Figurë komplekse e letërsisë sonë – Gjekë Gjonaj

Të nderuar shkrimtarë, dashamirë të fjalës artistike!

Të nderuar të pranishëm!

Të nderuar ju që keni shprehur vullnetin dhe keni ndarë kohën të jeni në këtë takim të veçantë, ku për herë të parë kemi nderin dhe kënaqësinë të takohemi më për së afërmi me malësorin Gjekë Marinaj dhe të njoftohemi sadopak me jetën dhe aktivitetin letrar, publicistik e shkencor të poetit tonë të spikatur në mërgim. Kjo mbrëmje me këtë figurë komplekse e të rrallë në letërsinë tonë nga Brruti i Malësisë së Madhe andej kufirit me shtetin amë, u realizua falë ftesës së sinqertë të autorit të kësaj mbrëmjeje për një takim të përbashkët, me nipin e tij dr. Lukë Gjokaj, me mua dhe me mr. Anton Gojçaj, në ,siç thekson Marinaj në ftesë, “ shenjë falënderimi për korrospodencën që kemi pasë dhe për dashamiresinë e miqësinë që kemi treguar ndaj tij në të kaluarën”. Prezencën e këtij personaliteti të madh shqiptar në mesin tonë, s’kam si e vlerësoj ndryshe përveç se një akt i cili na nderon të gjithëve , një privilegj, ndërsa praninë tuaj në këtë mbrëmje si një nderim që i bëjmë këtij krijuesi, me të cilin krenohet Malësia. Ardhja e tij këtu është edhe dëshmi se mërgimi sado i ndanë njerëzit, nuk arrinë t’i ndaj zemrat. Zemra e Gjekës dhe poezia e tij e afruan këtë largësi dhe bashkuan sonte zemrat tona në një kënaqësi të përbashkët.

Takimi im i parë sy në sy me Gjekë Marinaj erdhi me shumë vonesë, vetëm disa minuta para fpak orë më parë, kur me mjaft emocion u përqafuam dhe ngrohtësisht ia shtrënguam dorën njëri-tjetrit, si vëllezër të një gjuhe, të një gjaku dhe të një tradite. Por njoftimi im me emrin e tij fatmirësisht ka ndodhur para dy dekadash në Shkodër, ku një mik imi më dhuroi poezinë e tij me titull “ Kuajt”,e njohur për frymën disidente, ku ai guximshëm shpreh kundërshtimin e tij ndaj regjimit të kohës në Shqipëri. Më vonë pasi kam pasur fatin t’ia përcjell disa nga zhvillimet letrare, intelektuale dhe akademike, mësova se pikërisht botimi i kësaj poezie në gazetën “ Drita” u bë “ mollë sherri” e këtij poeti të ri atëherë 25 vjeçar, i cili në shtator të vitit 1990 , vetëm pak ditë para se shqiptarët në Shqipëri sulmonin ambasadat e huaja, u detyrua të largohet nga Shqipëria për arsye politke dhe të gjejë strehim në tokën e premtuar, në Amerikë. Ky largim i detyrueshëm i poetit të ri nga vendlindja e tij e dashur, ku si shumë bashkëmoshatarë të tij u rritë me shumë brenga e halle, vuajtje, e mejrim, pa e shijuar lirinë e kuifizuar, nuk e mposhti shpirtin e çlirët e plot ndjenjë të tij në SHtete të Bashkuara të Amerikës. Ai në Amerikën e lirë filloi nga asgjëja një jetë të re krejt ndryshe nga ajo në Shqipëri, duke punuar për shumë vite në turnin e natës. Netët pa gjumë nuk ishin “ mur” i pakapërcyeshëm që ai të provojë një mundësi tjetër në kërkim të një jete më të lumtur. Duke vlerësuar alternativat në jetë, Gjeka u përcaktua për fushën e studimeve që nuk kishte asgjë të përbashkët me profesionin e tij të preferuar- letërsinë. Përcaktimi jetësor për këtë dritare të dijes i riktheu Gjekës shpresën e lëkundur dhe i mundësoi realizimin e ëndrrave të tij fëmijënore, për të ecur përprara, për t’u kompletuar si njeri dhe si intelektual. Falë mbi të gjitha pasionit për dije dhe dashurisë jashtëzakoniosht të madhe për poezinë, për të cilën ka thënë se “në një farë mënyre, unë jetoj për të lexuar e krijuar poezi”, mbaroi disa shkolla, botoi disa libra me poezi, prozë, kritikë letrare e përkthime. Në vitin 2001 ka mbaruar Fakultetin e Shkencave të Përgjithshme (Associate in Science) në Brookhaven College. Katër vjet më vonë, mbaroi Shkollën e Arteve dhe Humanizmit (Bachelor of Arts in Literary Studies: Magna Cum Laude) në Universitetin e Teksasit në Dallas. Shkollën e Arteve dhe Humanizmit (Master of Arts in Humanities – Studies in Literature) e mbaroi në vitin 2008 në UT Dallas. Aktualisht është në përfundim e sipër të doktoraturës: ku është Kandidat për Ph.D (Doktor i Filozofisë) po në Universitetin e Teksasit në Dallas. Në vitin 2003 është nderuar me Çmimin Pena e Artë nga SHSHSHA. Çmimin e Parë në poezi, akorduar nga revista letrare amerikane Sojourn, e pranoi në vitin 2006. QNK (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës) e nderoi me çmimin Pjetër Arbnori në Letërsi në vitin 2008. Marinaj është pedagog i gjuhës dhe komunikimeve Angleze dhe i lëndës së Letërsisë Botërore në Richland College në Dallas të Teksasit ku jeton me gruan e tij Dusita. Është nismëtari, themeluesi dhe presidenti i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë.

Për vlerat artistike të krijimtarisë poetike të Gjekë Marinaj kanë shkruar shumë pena të njohura të letërsisë shqipe dhe të huaj. Shkrimtari ynë i mirënjohur Ismail Kadare, kandidat për Çmimin Nobël në letërsi, duke folur për vlerat e poezisë së Marinajt, pohon se Marinaj dallohet ndër poetët më të mirë shqiptarë të kohës dhe shton se: “Kjo do të thotë se ai zë vend midis poetëve më të mirë europianë.” Ndërkaq Frederick Turner, një emër i madh në letërsinë anglo-amerikane, po ashtu kandidat për Çmimin Nobël në letërsi ndër të tjera ka thënë: “Në një botë ku poezia tingëllon si një mplakje, e rraskapitur, Gjekë Marinaj shpërthen në skenë me tërë shkëlqimin e rinisë, me energjinë erotike dhe maturinë e një poeti të pjekur. “Ai na tregon në mënyrë që ta shohim botën përtej realizmit magjik, përtej mendjemadhësisë metafizike, madje dhe përtej surealizmit ngjyrëplotë të Europës Lindore, që tregon akoma agun shpresëplotë të civilizimit human”, është shprehur shkrimtari Turner.

Vlerësime për Gjekën ka bërë edhe Wole Soyinka, fitues i Çmimit Nobël në letërsi. Ai për veprën e Marinjat ndër të tjera shprehet se nëse Marinaj vazhdon të shkruajë kështu, ka gjasa se një ditë jo të largët e gjithë bota letrare do ta kuptojë domethënien e fjalëve vlerësuese të prof. Kuye-s për Gjekën. Kritika bashkëkohore, vlerat ideo-artistike të vargut të Marinajt i vë në të njëjtën nivel me të Martin Camajt, Dritëro Agollit, e shumë lirikëve të tjerë, që tashmë kanë krijuar emër në letrat shqipe dhe më gjerë.

Nga këto vlerësime meritore e kemi të qartë se Gjekë Marinaj vërtetë është poet modern në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, i cili tashmë i ka kaluar kufijtë kombëtar dhe vazhdon me hapa të sigurtë të ngjitet drejt majave të poezisë. Dhe jo vetëm kaq. Ai njëherazi është edhe erudit, përkthyes, pedagog, gazetar, publicist dhe studiues. Rruga e tij aspak e lehtë e suksesit duhet të jetë udhërrëfyes për secilin krijues shqiptarë, i cili dëshiron të krijojë vlera të qëndruseshme në letërsinë tonë. Gjekë Marinaj për mua është inspirim dhe shembull model i një shqiptari të suksesshëm në mërgim, i cili u bë emër i njohur dhe ambasador i kulturës dhe letërsisë shqiptare në shumë shtete të botës. Në mbyllje të kësaj fjale në emrin tim dhe tuajin e përgëzojmë shkrimtarin dhe urojmë që të ketë shëndet dhe vepra të tjera! Faleminderit.

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin

*Fjala e lexuar në takimin e parë promovues të veprave të Gjekë Marinajt nga Bajza e Kastratit dhe Frederich Turner, shkrimtar anglo-amerikan kandidat per Cmimin Nobel ne letersi, më 19 maj 20
11, në Tuz.

KOMENTOJE