Sh.K.A “Ded Gjo Luli nga Hoti, mori pjesë në Festivalin “I Këndojmë Lirisë” në Klinë – Kosovë.

Festivali folklorik “I këndojmë Lirisë” i cili është themeluar në vitin 2000, tashmë ka marrë karakter mbarëkombëtar dhe, nga viti në vit, në të marrin pjesë artistë nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Kësaj radhe, nga Malësia, pjesëmarrëse në këtë festival ishte : Sh.K.A “Ded Gjo Luli nga Hoti”.

Festivali folklorik “ I këndojmë Lirisë” është festival i cili mbahet nën motivacionin për nderë dhe respekt të luftëtarëve të lirisë, të veprës luftarake dhe të flijimit heroik të dëshmorit të kombit, Komandantit të Brigadës 113 të UÇK-së, Mujë Krasniqi, i cili konsiderohej si njëri ndër rapsodët më të mirë që ka pasur Kosova, ndërkohë që edhe çmimi kryesor i këtij Festivali mban emrin e Mujë Krasniqit.

Organizator i këtij festivali është Komuna e Klinës.

Përballë, grupeve artistike që kanë vallëzuar e kënduar plotë 4 orë në skenën e festivalit, kanë qëndruar, kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, përfaqësuesit e familjes Jashari, Murat dhe Musë Jashari, nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Ilir Banushi, gjeneral – lejtant Sylejman Selimi, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të luftës Muharem Qemajli, nënkryetari i Vidisë Halim Halili, si dhe Halil Krasniqi, babai i dëshmorit të kombit Mujë Krasniqi, si dhe personalitete të tjera të jetës politike e kulturore.

Moderatorja e Festivalit, ikona e televizionit shqiptar, Silvana Braçe, duke prezantuar, në nivelin më të lartë grupin që vjen nga Tuzi-Malësia e Madhe, Sh.K.A “Ded Gjo Luli” u shpreh: “me qenë se artistët vetëm do të këndojnë dhe vallëzojnë, unë do përcjellë një mesazh në emër të tyre. Ata janë aq krenar për historinë e tyre, vijnë nga një tjetër festë, ku me 6 prill të këtij viti festuan 100 Vjetorin e Kryengritjes së Malësisë, të ngritjes së flamurit në Deçiq, në vitit 1911, që është ngritur për herë të parë mbas Gjergj Kastriotit Skenderbeut dhe malësorët krenohen shumë për historinë e tyre dhe për Kryengritjen e malësoreve të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, emrin e të cilit, me krenari e mban edhe Shoqëria kulturore Artistike e Tuzit – Malësisë së madhe”.

Ata u prezentuan me Këngën “ZAKON BURRI E KA PAS”, që e interpretuan LLesh e Marash Dushaj dhe Pjetër Nicaj. Më pas ishte melodi dyshe nga Ilir Gojçaj dhe Marash Dushaj. Një këngë me çifteli “Mujë Krasniqi” ( teksti Marash Gojçaj) e interpretuar nga LLesh Dushaj. Vallja e Grupit dhe kënga e Grupit “O FLAMUR” Ndërkaq, kolona të gjata të qytetarëve në këmbë dhe ulur, i kanë duartrokitur paraqitjet skenike të folkloristëve të Sh.K.A “Ded Gjo Luli nga Hoti “, ndërsa juria ka përcjellë me vëmendje çdo interpretim.

Mes të tjerash vlen të ceket se që nga mbërritja në Kosovë e deri në kthim, antarët e Sh.K.A “Ded Gjo Luli “ i shoqëruan, mbështetën dhe sponsorizuan, kyçur këtu edhe darkën e begatshme fjetjen dhe ushqimet në Hotelin Luksoz “Guri Zi”, bashkëvendësit nga Malësia, me banim në Klinë, Lekë Gjetja Camaj me të birin Arturin , vëllezërit tonë nga Kosova , pronarët e Hotelit “Guri Zi”, “City Park” me pronarët Metë Berisha dhe Fitim Kalludra me shokët e tyre, për ç’gjë i falënderojmë përzemërsisht.

Të nesërmen, mbas festivalit, Sh.K.A “Ded Gjo Luli, bëri vizitë edhe në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Po ashtu Sh.K.A “Ded Gjo Luli” falënderon Gjon Pashkun, Rrok Gjergjin dhe Pashko Martinin Dedvukaj që i mbuluan shpenzimet e rrugëtimit.

Festivalin “I Këndojmë Lirisë” në Klinë – Kosovë e përcollën me fotografi dhe videoinçizime Albert Camaj si dhe Mark dhe Tiana Dedvukaj. /Albert Camaj/

FOTOGRAFITË KOMENTOJE

VIDEO 123456