Shqiptari mund të shkojë e jetojë gjithkah, por ai asnjëherë nuk mund të shkëputet prej vendlindjes prej kah vjen.

Gjekë Gjonaj

Erdhi korriku. Koha e pushimeve verore. Temperaturat janë eskrtreme. Në disa qytete zhiva në thermometër këto ditë në fllad ka shënuar 39 gradë celzius. Gjatë këtij muaji ka filluar ardhja e mërgimtarëve tanë në vendlindje, e cila do të vazhdojë edhe në muajin gusht. Një numër i vogël i mërgimtarëve nga Ulqini, Kraja, Ana e Malit dhe Malësia të cilët jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të Evropës, Shtete të Bashkuara të Amerikës e gjetiu, kanë ardhur për t’i kaluar pushimet verore në vendlindjen e tyre të dashur. Rrugën e gjatë një mijë e më shumë kilometra, varësisht ku punojnë,e kanë kaluar me aeroplan, disa me autobusë e disa me vetura private, vetëm për t`i takuar të afërmit, dhe për ta parë vendin e tyre Ata duken të qeshur e të gëzuar se kanë ardhur shëndosh e mirë në vendlindjen e vet, në vendin ku guri rëndon më shumë, ku balta është më e ëmbël se mjalta siç thotë Naimi.
Ejll Zagreda me bashkëshorten e tij Gjysten të cilët aktualisht jetojnë në Nju-Jork kanë ardhur para tri javësh në vendlindjen e tyre në fshatin Reç, komuna e Ulqinit., ku në majë të një kodrine kanë ndërtuar një shtëpi moderne trikatëshe, në të cilën gjatë gjithë vitit valvitet flamuri kombëtar shqiptar. Ata po çmallen me kushërinjtë, të afërmit miqtë dhe dashamirët e tyre. Edhe pse u janë afruar të nëntëdhjetave shëndeti po i mbanë akoma të fortë, e vital. Kënaqesh kur e sheh këtë çift në këtë mnoshë të thyer se me çfarë elegance të shërben me të gjitha të mirat në shtëpinë e tyre, të qëndron në këmbë , të rrëfen ngjarje interesante nga e kaluara e jetës në kurbet. Thonë se kënaqen kur vijnë në Reç. “ Askund ajri nuk është më i pastër së këtu. Askund dielli nuk ndriçon me shumë se sa në vendin e të parëve. Jemi të lumtur që ndodhemi për pushime këtu. Edhe pse vijmë dy her në vjet në Reç, prapë se prapë, malli nuk na shuhet. Kemi dëshirë të jemi në kontakt me njerëzit tonë, me bashkëfshatarët në vendlinje , me të cilët bisedojmë për fshatin e lënë në harresë, pothuaj të zbrazët dhe për jetën tashmë të vetmuar këtu”, shprehen çifti Zagreda, i cili do të qëndrojë këtu edhe disa muaj dhe shtojnë se nuk kursejnë dot, por do të shpenzojnë tërë atë që e kanë planifikuar për aq sa do të qëndrojnë në vendlindje. Një tjetër mërgimtar, Zef Gjokaj e takuam në Ulqin. Me kërkesën e tij u ulëm për të pirë kafen e mëngjesit në kafenenë “ Piano” bashkë me dajën e tij Zef Kovaçin. Më tregoi se nga Nju-Jorku kishte mbërrijtur ditën e shtunë në aeroportin e Podgoricës dhe se gjatë udhës me aeroplan nuk kishte pasur asnjë problem, përves pritjes së rëndomtë, me të cilën tashmë është mësuar dhe nuk e shqetëson aq shumë. “ Sa e hareshme është rruga drejt atdheut, me gjithë lodhjet që i shkakton rruga dhe pritjet e gjata nëpër kufij”, pohon Gjokaj. Ai regullisht vjen për çdo vjet në shtëpinë e tij luksoze në Pinjesh, brendinë e së cilës e zbukurojnë dhe e madhështojnë piktura e madhe sa një faqe muri e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, fotgrafia e Nënë Terezës, Ibrahim Rugovës, Dedë Gjo’ Lulit, Adem Jasharit, Bill Klintonit , bashkë me to edhe Flamuri i Amerikës dhe Flamuri i Shqipërisë. Zefi kur vjen në vendlindje gjithmonë me vete sjellë edhe ndihma familjeve në nevojë në komunën e Ulqinit, krijuesve dhe shoqatave që objekt trajtimi kanë tema të ndryshme nga etnia jonë. Kështu ka vepruar edhe kësaj herë, jo, siç thotë ai, për krenarinë( mendjemadhaësinë ) e tyre, por për të dëshmuar se mergimtarët edhe pse larg vendlindjes gjithmonë dhe gjithëherë janë me ne dhe pranë nesh. Se sa e duan vendlindjen mërgimtarët tanë që jetojnë dhe punojnë në Amerikë dëshmon edhe rasti i trieshjanit Kolë Prëkës Cacaj dhe bashkëshortes së tij Taze, të cilët prej më se katër dekadash jetojnë në Nju-Jork. Ata sivjet kanë ardhur në vendlindje për një rast tepër të veçantë – përurimin dhe shugurimin e Kishës së Shën Nikollës në fshatin Rudinë të Trieshit, të cilën e kanë ndërtuar me paratë e veta të fituara me shumë mund e djersë në mëgrim. “ Ky tempull i lavdisë së Krishtit do të përurohet më 27 gusht” thotë Cacaj dhe shton se kjo shenjtore do të jetë vatër shpirtërore e cila do të ngrohë Rudinën, respektivisht Trieshin dhe të gjithë ata që kanë origjinën prej kësaj treve të lashtë shqiptare dhe të tjerët kudo që jetojnë në botën e jashtme. Këto dhe rastet e tjera forcojnë thënien e vjetër se shqiptari mund të shkojë e jetojë gjithkah, por ai asnjëherë nuk mund të shkëputet prej vendlindjes prej kah vjen.