KNSH i drejtohet Ministrisë së Arsimit Malit të Zi më kërkesa konkrete – Një ABETARE për të gjithë shqitarët

Njoftim për kërkesat e KNSH-së për çështje të arsimit në shkollat më mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi
Këshilli Nacional i Shqiptarëve (në vazhdim, KNSH) si përfaqësues dhe prezantues i shqiptarëve në Malin e Zi, lidhur me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në fushën e arsimit, Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit të Malit të Zi i drejtohet me këto kërkesa:
1.Kërkojmë që në lidhje me çështjet nga fusha e arsimit në shkollat më mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi të konsultohet Këshilli Nacional i Shqiptarëve, dhe mendimi i ynë të respektohet, sepse ky është obligim Ligjor. Ndonëse, ka filluar një bashkëpunim sa i përket kërkimit të mendimit me rastin e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave më mësim në gjuhën shqipe, ne jemi të pakënaqur sepse mendimi ynë në disa raste nuk është përfillur, nga del se përparësi kanë kuadrat më mbeshtetje politike, e jo vlerat pedagogjike e profesionale të tyre.
2. Lidhur me formimin e Këshillit Nacional të Arsimit (Nacionalni savjet za obrazovanje) KNSH nuk është konsultuar fare, andaj shqiptarët në këtë institucion të lartë të arsimit janë pa përfaqësuesin e tyre legjitim. Poashtu, në të njëjtën mënyrë janë anashkaluar edhe Këshillat nacionale të popujve të tjerë. Një veprim i tillë është centralizim absolut, që nuk është në favor të një shoqërie multinacionale e multikulturore sikurse është Mali i Zi, i cili pretendon të jetë pjesë e Europës. Ju kujtojmë se për çështje të tilla të përfaqësimit të shqiptarëve ekziston adresa, e ky është KNSH.
3.Kërkojmë që, në përgatitjen e të gjitha plan-programeve mësimore, e sidomos në lëndet e identitetit nacional gjithsesi të marrin pjesë edhe autorët shqiptar, e jo si deri më tash ku kemi injorim të plotë nga ana e subjekteve përkatëse. Në këtë aspekt përjashtim bën vetëm Programi mësimor i Gjuhës shqipe dhe letërsisë, që është një shembull pozitiv, i cili duhet të ndiqet edhe për lëndët tjera të identitetit kombëtarë të shqiptarëve.

4.Tekstet shkollore për lëndën e Kulturës muzikore,për shkollat fillore e të mesme, për shqiptarët janë tekste diskriminuese dhe të dëmshme prandaj, si të tilla kerkojmë që të tërhiqen nga përdorimi, që nga viti i ardhshëm shkollor. Propozojmë që në vend të tyre të përdorën tekstet të botuara në Prishtinë, duke iu shtuar një numër i këngëve sllave nga Mali i Zi.
5.Problem të veçantë , paraqet edhe Plan-programi dhe teksti për lëndën e Historisë. Ai patjetër duhet të pësojë ndryshime përmbajtësore duke shtuar njësitë e veçanta mësimore për historinë nacionale të shqiptarëve. Sepse, nxënësit shqiptarë janë të detyruar të mësojnë më shumë për historinë e të tjerëve e shumë më pak për historinë e tyre kombëtare, e që është paradoks i llojit të vet për shek.XXI.
6.Përkthimi i teksteve shkollore, është shumë i dobët, e kjo ka të bëj sidomos me Lëndët e shkencave natyrore. Kërkojmë që tekstet e tilla mësimore duhet të përkthehen nga kuadro profesionistë, që e njohin lëndën përkatëse, e jo të jenë përkthyes formal e të zgjedhur partiak, sa për të përfituar nga honorari e asgjë më shumë.
7.Prezantimi i toponimeve në harta të ndryshme dhe në tekstet shkollore duhet të jetë sipas traditës popullore të shqiptarëve si popull autokton, e jo sipas dëshirës së ndonjë indvidi, e që nuk përkon me emertimet reale të toponimeve që i përdorin shqiptarët brez pas brezi. Në tekstet e përkthyera në shqip kemi plot deformime të tilla, e që vazhdojnë pa ndërprerë edhe sot, që nga viti 1991 e që paraqet akt tejet iritues dhe fyes për shqiptarët në Malin e Zi.
8.Ilustrimi i teksteve shkollore, nuk është në harmoni me përmbajtjën sepse ka plot raste ku përdoruesi i saj, në rastin konkret nxënësi apo prindi shqiptarë, iritohet e madje edhe fyhet. Përgjegjësia kryesore në ketë rast nuk bie mbi autorin e tekstit apo përkthyesin e tij por, te redaktori i botimit. Duke marrë parasysh se në Entin e Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore në Podgoricë ,nuk kemi të punësuar asnjë redaktor shqiptarë, jep për të kuptuar qasjen subjektive të individëve përgjegjës në këtë shtëpi botuese.
9.Tekstet e përkthyera në gjuhën shqipe duhet të kenë patjetër një recenzent shqiptar, apo në cilësinë e konsulentit, i cili duhet të jetë profesionist i dëshmuar në lëndën përkatëse. Vetëm kur të merret mendimi pozitiv nga ana e tij, atëherë teksti në shqip, mund të shkojë në botim.
10.Këshilli Nacional i Shqiptarëve inicon dhe kërkon që teksti i ABETARE-s ,të jetë i njëjtë për të gjithë shqiptarët. Në këtë drejtim mendojmë se duhet punuar edhe për tekstet e tjera të lëndëve të identitetit kombëtar.
11.KNSH, propozon që të nënshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së arsimit dhe sportit të Malit të Zi dhe Ministrisë së arsimit të Shqipërisë e po ashtu edhe me ate të Kosovës. Një bashkëpunim i tillë i ndërsjellë do të ishte në favor të avancimit të të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me arsimin në gjuhën shqipe për shqiptarët në Malin e Zi.

12.KNSH mendon se, duhet të vazhdojë bashkëpunimi i nisur me Ministrinë e Arsimit e Sportit (MAS) duke respektuar parimet Kushtetuese në fuqi dhe normat demokratike ndërkombëtare. Bashkëpunimi dhe krijimi i partneritetit për çështjet përkatëse të lartëpërmendura e që janë në favor të avansimit të arsimit shqip në Mal të Zi duhet të mbështeten si nga nga Min. Arsimit e Sportit, ashtu dhe institucionet e tjera relevante në Mal të Zi.
13. KNSH vlerëson se qasja unitare në fushën e arsimit është koncept i tejkaluar dhe jo pozitiv për mjediset multinacionale dhe multikulturore sikurse është Mali i Zi. Prandaj rekomandojmë që të konsultohen modelet analoge të vendeve demokratike multinacionale sikurse është Zvicra apo Belgjika dhe ato të harmonizohen sipas kërkesave të popujve përkatës pakicë, e në këtë rast të shqiptarëve si popull autokton në Mal të Zi dhe specifik për nga gjuha dhe kultura, kundrejt popujve tjerë sllav në këtë shtet.
14.Pasi që këto çështje janë trajtuar edhe në takimin e zhvilluar në Ministrinë e arsimit dhe të sportit në Podgoricë, me datën 09.06.2011, KNSH, përkatësisht Komisioni për arsim është në gadishmëri për të dhënë mbështeje kadrovike dhe profesionale, për të eliminuar çështjet të cilat janë kontestuese në fushën e arsimit në shqip për popullin shqiptar në Mal të Zi.

Dërguar për dijeni:
• Qeverisë së Malit të Zi- kryeministrit z.Igor Luksiq
• Kuvendit të Malit të Zi- kryetarit z.Ranko Krivokapiq
• Presidentit të Malit të Zi- z.Filip Vujanoviq
• Partive Parlamentare
• Partive politike shqiptare
• Përfaqësive Diplomatike në Mal të Zi

Kryetari
Tahir Tahiri

KOMENTOJE