Ministri Makolli priti vëllezërit Ivezaj nga Detroiti

Prishtinë, 17 tetor – Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, priti sot vëllezërit Pjetër e Fran Ivezajn, shqiptaro-amerikanët, të cilët para 25 vjetësh patën ndikim të madh në ndryshimin e opinionit amerikan për Kosovën. Ata vinin për herë të parë në Kosovë, ndonëse Pjetri kishte qenë njëri nga organizatorët e demonstratave për Kosovën në Detroit pas viti 1981. Ministri Makolli i shprehi Pjetrit dhe familjes Ivezaj falënderimet për sakrificat në favor të çlirimit të Kosovës, duke shtuar se pa diasporën liria dhe pavarësia e vendit do të ishte shumë më e vështirë dhe ndoshta më e vonshme. Shembulli i Pjetër Ivezajt, tha ministri, meriton respekt nga ne që tash gëzojmë frytet e sakrificës së tij e të tjerëve.

Pjetër Ivezaj qe arrestuar më 1986 në vendlindjen e tij, në Malësi të Tuzit, dhe në Podgoricë u dënua më 7 vjet burgim, për organizim të demonstratave në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Dënimi i tij më shtatë vjet burgim për demonstrim të padhunshëm dhe në përputhje me ligjet amerikane, çoi në këmbë jo vetëm opinionin, por edhe institucionet e SHBA. Jugosllavisë së atëhershme iu dha ultimatumi: o lirimi i Pjetër Ivezajt, o humbja e privilegjeve ekonomike që kishte ky vend në SHBA.

Ky rast ndryshoi opinionet në SHBA se gjoja në Kosovë bëhej fjalë për probleme fetare islamiste, duke e bërë të qartë se në fakt problem ishte shovinizmi dhe antishqiptarizmi i sëmurë serb.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, duke rikujtuar borxhin që Kosova ndien ndaj diasporës sonë kudo në botë, bëri të ditur se kjo ministri planifikon organizimin e një tryeze shkencore ku do të valorizohet kontributi i diasporës për pavarësinë e Kosovës, si dhe veprimtari të tjera që do ta afrojnë atë me vendin e origjinës.

Vëllezërit Ivezaj po zhvillojnë takime me personalitete të skenës politike e të kulturës në Kosovë dhe kudo janë të mirëpritur. /Koha Net/

KOMENTOJE