Ismail Kadare pritet nga kryeministri i Malit të Zi

Kryeministri i Malit të Zi Igor Llukshiq priti të ënjten në një takim shkrimtarin e njohur shqiptar Ismail Kadare i cili po qendron në Mal të Zi për promovimin e librit të tij ”Darka e humbur” në kuadër të projektit ‘’Dy gjuhë – një libër’’, thuhet në një dekalratë të qeverisë së Malit të Zi.

“Kryeministri i Malit të Zi shprehu kënaqësinë e tij me vizitën dhe pjesëmarrjen e shkrimtarit të shquar shqiptar në një projekt që bashkon dy popujtë dhe dy kulturat”, thuhet në deklaratë.

Kryeministri Llukshiq vuri në dukje marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë.
“Dhe takimi i sotëm është një mesazh i mirë dhe kontribut në këtë drejtim”, shtoi ai.

Kadare tha se ai është i gëzuar që Mali i Zi dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të mira e aq më shumë që një gjë e tillë në Ballkan nuk është e lehtë.

“Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se duhet të vazhdohet me bashkëpunim në të gjitha fushat dhe në këtë mënyrë të shfrytëzohet potenciali që njerëzit në Ballkan e kanë”, thuhet në deklaratë.