Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi, bazuar në njoftimin e Redaksisë së Programit në gjuhën shqipe të Radio Televizionit të Malit të Zi, për reduktimin e emisionit javor në gjuhën shqipe- MOZAIKU dhe ndërrimit të orarit të emitimit të tij, vlerëson se ky veprim i Radio Televizionit të Malit të Zi është edhe një akt tjetër i radhës, në drejtim të diskriminimit dhe mohimit të të drejtave të shqiptarëve për tu informuar në gjuhën amtare, ashtu siç parashihet me Kushtetutë, Ligjin për të Drejat e Pakicave dhe Standardet ndërkombëtare të shoqërive multietnike.
Në momentin kur shqiptarët në Mal të Zi, me të drejtë prisnin se informimi shqip do të pasurohej dhe zgjerohej, duke shtuar dhe kualitetin e emisioneve në gjuhën shqipe, fatkeqësisht ndodhi e kundërta. U bë reduktimi i emisionit të vetëm javor për shqiptarët, ndërrimi i terminit të emitimit të këtij emisioni si dhe emisionit të përditshëm të Lajmeve, në një kohë- termin, shumë të papërshtatshëm për tu ndjekur nga shikuesit, e që padyshim do të ndikoje negativisht në informimin në gjuhen e vet amtare të shqiptarëve në Malin e Zi.
Për Këshillin Nacional të Shqiptarëve, e drejta e informimit në gjuhën amtare, krahas të drejtave për arsimimim, ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës dhe të përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip, është një nga të drejtat elementare të shqiptarëve, si popull autokton në Malin e Zi.
Prandaj, Këshilli Nacional i Shqiptarëve apelon te Organet Drejtuese të Servisit Publik të Radio Televizionit të Malit të Zi , (për funcionimin e të cilit ndajnë mjete dhe taksa paguesit shqiptarë), Institucionet relevante shtetrore- kompetente për informim, Ministria për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave – ministri Dinosha si anëtarë i KNSH-së, Qeveria dhe Presidenti, që vendimi në fjalë, diskriminues dhe mohues për shqiptarët, i Radio Televizionit të Malit të Zi, të anulohet sa ma parë .
Këshilli Nacional i Shqiptarëve për këtë veprim diskriminues për shqiptarët në Malin e Zi, do të kërkojë takim te Kryeministri i Malit të Zi, si dhe do të njoftojë Institucionet relevante ndërkombëtare që veprojnë në Malin e Zi.