Këshilltarët e PDS, UDSH, Partisë Boshnjake, Listës për Tuz si dhe PSD miratuan planin financiarë për vitin 2012
Nuk ka para për Referendum
Sipas medieve malazeze, Këshilltaret e PDS (DPS), UDSH, Partisë Boshnjake, Listës për Tuz si dhe PSD (SDP), miratuan planin financiar për vitin 2012, me vlerë prej 2.793.800 euro. Ndërsa gjatë kohës së votimit këshilltaret opozitar u larguan nga salla e kuvendit.
Opozita ka akuzuar këshilltaret e pozitës se heshtin kur bëhet pastrimi i parave nëpërmjet planit financiar të KU të Tuzit për vitin 2012, dhe asgjë nuk ndërmarrin për ketë gjë. Plani përndryshe në raport me propozimin ka pësuar ndryshim përmes amendamentit dhe fryrë edhe rreth 90.000 €.
Janë bërë ndryshime në linjat e shpenzimeve kapitale ashtu që për vazhdimin e ndërtimit të rrjetit sekondar të ujësjellësit janë parashikuar dy milion në vend të 1,7. U përjashtua nga plani ura në Dinoshë, prej të cilës hoqën dorë në llogari të ndërtimit të një shtëpi rinie, po ashtu në Dinoshë, por shifra u zbrit nga 200.000 të parapara për urë, në 100.000. Për rrugën Dinoshë – Pikal –Triesh, kan qenë planifikuar 100.000 euro, e tani është zbritur në 50.000
Këshilltari i Alternatives Shqiptare, Gjergj Camaj, ka thëne se me planin financiar pushteti nuk ka përmbushur premtimet e saj zgjedhore, dhe se plani është i imponuar nga Podgorica. ‘’Në vend që të punësoni persona tjerë ju largoni edhe këta pak punëtorë që kemi. Rruga Dinoshë -Pikal –Triesh, ndërtohet si Shkodra në Buon, sepse deri tani në plane keni ndarë 750 mijë euro për këtë rrugë. Përderisa ju parashikoni renovimin e rrugëve, specifikoni cilat janë ato. Të njëjtat fonde janë të caktuara për varreza dhe për ndërtimin e një parkut të vogël pran Komunës. A kemi nevojë për një kapele apo ende kemi nevojë për të mbajtur të vdekurit në livadhe’’ – deklaroi Camaj.
Këshilltari i Listës për Tuz, Muhamed Gjokaj, ka thënë se Plani e dëmton Dinoshën me 100.000 euro. ‘’Për urën e këmbësorëve në Dinoshë kanë qenë të planifikuara 200.000 €, dhe tani ajo nuk ndodhet në plan financiarë, por është ndërtimi i Shtëpisë Kulturës, e cila është dy herë më e lirë. Unë mendoj se 100.000 €, e mbetura do duhet të investohen në ndërtimin e një kopshti për fëmijë në Dinoshë, e që edhe fëmijët e këtij vendi do të kenë arsim para-shkollor’’, ka deklaruar Gjokaj.
Këshilltari i Iniciativës Qytetare, Rexhep Gjokaj, ka thëne se me planin financiar është neglizhuar plotësisht pjesa rurale e Malësisë.
Këshillëtari i LDnëMZ, Nikollë Camaj, thotë se nuk është serioze kur Kryetari i komunës urbane flet për milionët të cilat të tjerët i investojnë.
‘’Unë nuk dua të besoj se ju e keni krijuar këtë plan financiar, por se edhe këtë herë adresa është në rrugën Njegosheva. Malësoret janë të mashtruar. Bini një plan i cili degradon Malësinë. Komuna urbane e Tuzit nuk ndërmerr asgjë për të plotësuar kushtet për të formuar Komunën e plotë të Malësisë.
I largoni njerëzit nga vendet e punës dhe nuk parashikoni punësime të reja. Nikollë Gegaj dhe Fadil Kajoshaj do të jenë kurbanë se nënshkruajnë këto dokumente, por nuk e di se deri kur. Vetëm të përkujtojnë Budvën. Unë nuk do të jap votën time për milionat e ekzagjeruar, për qëllim manipulimi me malësorë”, deklaroi Camaj.
Në fund Camaj shtoi, “kjo administratë, gjatë këtij viti ka pas “suksese” dhe dua të ju “përgëzojë” që keni arritur të boshnjakizoni administratën, dhe të përjashtoni gjuhën shqipe nga përdorimi i përditshëm. Ju dje përjashtuat flamurin shqiptar nga manifestimi i vetëm qe bëni si komunë. Aferim! E boshnjakëve urime qe po arrijnë ata që s’kanë arritur të bëjnë shekuj administrim dhe okupim të shumëllojshëm. Unë kisha pas një urim për urimin e fund vitit… Ruaje zotë Malësinë nga ju, dhe faleminderit zotit nëse e ruan, kurse Planin miratojeni, besoj pa opozitën”.
Sipas Camaj Kryetari i Komunës urbane Nikollë Gegaj e nënvlerëson vetveten dhe Malësinë duke mos na u drejtuar në gjuhën shqipe dhe kërkoi nga Kryetari Gegaj, që në të ardhmen, së paku ti përshëndes në gjuhën e nënës, dhe më pas të flas në gjuhën që i fle më mirë, pra anë atë malazeze.
‘’Ju keni shpenzuar kaq shumë fonde për të pajisur ndërtesën e Parlamentit , teknikë përkthimi simultan, kini siguruar përkthyesin, kështu që nuk ka asnjë pengesë që të flisni në gjuhën shqipe. Me ketë nënvlerësoni vetëm veten, pasi që flisni vetëm në gjuhe malazeze’’ përfundoi Camaj.
Këshilltari i Partisë Boshnjake Nexhad Dresevic, duke replikuar Camajt, deklaroi se flamuri boshnjak është aty, për arsye se edhe ata ndodhen aty, e njësoj është edhe me gjuhën. Ai shtoi se ‘’nuk e di gjuhën shqipe, nuk e din as Radovan Nikcevic, e as sekretari i Komunës dhe nuk e din as Naser Krkanovic. Ne kemi tani sekretarin, dhe në zgjedhjet e ardhshme ne do të kemi Kryetarin‘’, deklaroi Dresevic.
Këshilltari i Iniciativës Qytetare, Vasel Sinishtaj, ka deklaruar se në planin financiar, nuk ka para për referendum.
‘’Nuk ka fonde për elaborat, as për studimin dhe arsyetimin e referendumit. Plani financiar është fryrë për arsye të tjera. Nuk ndani fonde për media në Malësi, as për një televizor dhe një Kohë javore që kemi‘’deklaroi Sinishtaj.
Këshilltari i Iniciativës Qytetare, Smail-Maliq Çunmulaj, ka thëne se me planin financiarë bëhet pastrimi i parave, kështu që asnjë këshilltar i qeverisjes nuk guxon të ngrehi zërin kundër
‘’Parat paralajmërohen, e kurrkund nuk janë. Kundër kësaj ngrehim zërin‘’, deklaroi Çunmulaj.
Albert Camaj