Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi, po ndjekë me vëmendje situatën e krijuar me paralajmërimin e shitjes së Kripores në Ulqinit dhe kundërshton ashpër skenarin e hidhur që po i përgatitet kësaj ndërmarrje, simbol i Komunës së Ulqinit dhe më gjerë.
KNSH-ja, vlerëson se kemi të bëjmë edhe me një tentative të radhës me qëllim të rrënimit në tërësi të ekonomisë së Ulqinit dhe resurseve natyror të sajë si dhe devastimit e tjetërsimit përfundimtarë të pasurisë së paçmueshme të Kripores së Ulqinit .
Dihet mirë se që 70 vite kjo ndërmarrje ishte padyshim burim jetese dhe egzistence materiale i shumë e shumë familjeve të komunës së Ulqinit e poashtu edhe simbol i zhvillimit të kësaj komune, bashkë me shumë ndërmarrje të tjera të cilat gjatë 20 viteve të fundit, u shkatërruan sistematikisht.
Sot fatkeqsisht, Kriporja e Ulqinit sipas një plani shumë mirë të inskenuar, duke filluar prej shitjes së sipërfaqes prej 15 milion m2, me një çmim absurd prej 800 000 Eura, procedurës së falimentimit, largimit të punëtorëve nga puna, borxheve të grumbulluara në vite, mungesës së qëllimshme të investimeve në prodhimtarinë bazë të sajë- kripës, humbjes së qëllimshme të licencës apo lejes për prodhimin e kripës, etj. etj, është në prag të shkatërrimit.
Nëse kësaj i shtojmë edhe ndryshimin e destinacionit (në bazë të Planit Hapsinorë të aprovuar në vitin 2008) të sipërfaqes prodhuese të kripores-bazeneve për grumbullimin e kripës dhe kthimit të saj , nga tokë industriale dhe monument i natyrës, në tokë ndërtimore apo lokacion për ndërtimin e kapaciteteve turistike, atëherë, është ma se e qartë se Kriporja e Ulqinit si një pasuri me rëndësi të madhe ekonomike, sociale, kulturore dhe ekologjike për komunën e Ulqinit, do të pushojë së ekzistuari.
Dhe e tërë kjo ndodhë për arsyen e vetme, të përfitimit dhe pasurimit në përmasa marramendëse të klaneve dhe individëve të caktuar të lidhur dhe të koordinuar edhe me Institucionet më të larta të shtetit.
Prandaj, duke pas parasysh dëmin e madh ekonomik që me këto veprime i bëhen komunës së Ulqinit dhe banorëve të saj, si dhe pasojave të tjera të dëmshme me përmasa diskriminuese për të ardhmen e këtij qyteti, i bëjmë thirje Qeverisë dhe Institucioneve të tjera të Malit të Zi , që sa më parë të ndalojë shitjen dhe grabitjen e Kripores së Ulqinit, betonimin dhe tharjen e bazeneve të saj duke e ruajtur atë si ndërmarrje për prodhimin e kripës dhe Monument natyrorë me destinacion të veçantë si Oazë e biodiversitetit siç ka qenë deri më tani.
Përndryshe, ne kemi arsye të madhe të dyshojmë se ky veprim bëhet me qëllime të caktuara, e më konkretisht me qëllim të ndryshimit të strukturës së popullsisë në komunën e Ulqinit ku siç dihet mbi 70% të popullsisë e përbëjnë shqiptarët si popull në trojet e veta etnike.
KRYETARI,
Tahir Tahiri