Shoqata “Martin Dreshaj” vazhdon të mbetet zë i Malësisë

Takim i suksesshëm në ambientet e Parlamentit të Kosovës

Në shërbim të angazhimeve për të qenë zë i Malësisë së Madhe në Kosovë, një delegacion i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “ Martin Dreshaj” ka zhvilluar në ambientet e Parlamentit të Kosovës një takim informues me nënkryetarin e Parlamentit, z. Glauk Konjufca, me deputetin Liburn Aliu dhe me sekretarin për Marrëdhënie em Jashtë të Lëvizjes “Vetëvendosja”,z. Xhelal Sveçla. Kryetari i Shoqatës “Martin Dreshaj”, z. Ukshin Jashari, sekretari i përgjithshëm ,z. Frashër Rraci, anëtari i kryesisë, z. Lekë Camaj dhe zëdhënësi e koordinatori i kësaj Shoqate, Rrahman Jasharaj , pasi kanë falënderuar zyrtarët e parlamentit për pritjen vëllazërore, u kanë ofruar atyre një dokumentacion të bollshëm që dëshmon për shkeljen e vazhdueshme të të drejtave elementare që Podgorica ushtron ndaj shqiptarëve autokton në trojet e tyre kudo në Hot, Grudë, Triesh, Kojë, Plavë, Guci e në Malësinë e Rozhajës. Ata kanë alarmuar se Mali i Zi me një politikë të programuar kundër shqiptarëve po angazhohet të krijojë klimë që do të ndikonte në zbrazjen e trojeve dhe në kolonizimin e tyre nga elementi boshnjak. Po ashtu ata kanë ofruar edhe një material të përgatitur nga veprimtarë politikë nga Ulqini dhe Malësia e që flet me argumente për gjithë veprimet e Podgoricës në dëm të të drejtave elementare të shqiptarëve e që janë të garantuara edhe me Kushtetutën e Malit të Zi, por edhe me Konventat Ndërkombëtare për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Ky delegacion ka përcjellë të parlamentarët e Kosovës edhe vlerësimin e saktë të përfaqësuesve shqiptarë të Malësisë se derisa në gjithë botën punohet për avancimin e të drejtave të pakicave. Është Mali i Zi ai që zvogëlon e mohon edhe të drejtat e garantuara e të fituara. Delegacioni i Shoqatës “Martin Dreshaj” ka kërkuar në këtë takim nga institucionet e Kosovës që të debatohet për situatën në Malësi dhe që në kontaktet zyrtare me përfaqurës të Podgoricës të kërkohet respektimi i të drejtave të shqiptarëve dhe që të vihet marrëdhënie reciprociteti mes këtyre dy shteteve në respektimin e të drejtave të pakicave. Shoqata ka kujtuar se 3000 malazezë në Kosovë, që janë pasardhës të malazezëve kolonizatorë , po kërkojnë faktorizim dhe privilegje të mëdha që krijon e garanton Kushtetuta e Kosovës për pakicat, duke filluar nga ulëset e garantuara , nga funksionet shumë të larta në Qeveri e deri të privilegjet tjera, që vetëm pakicat në Kosovë i gëzojnë. Delegacioni i Shoqatës ka kërkuar që Parlamenti i Kosovës dhe institucionet e Kosovës të bëhen zë i kërkesave të drejta të Malësisë. Zotërinjtë Glauk Konjufca, Liburn Aliu dhe. Xhelal Sveçla, janë shprehur se i kanë të ditura shumë nga afktet që delegacioni i Shoqatës “Martin Dreshaj “ ka ofruar dhe se janë zotuar për angazhime konkrete. Ata kanë përgëzuar Shoqatën për angazhimet dhe janë njoftuar edhe me skenarin artistik të Manifestimit Tradicional “Zëri i Vëllazërisë 2012” ME MOTON “100 VITE RRUGETIM DREJT BASHKIMIT KOMBËTAR” NË SHQIPËRI E KOSOVË, NË PRILLIN E MADH TË DEDË GJON LULIT DHE MEHMET SHPENDIT duke premtuar edhe ndihmë konkrete brenda mundësive të tyre.

Rrahman Jasharaj, Zëdhënës dhe koordinator për trojet etnike i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe Martin Dreshaj”
rraha_j@hotmail.com

KOMENTOJE