Shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë përkrahjen e duhur të shtetit të tyre amë

Realizimi i aspiratave të një pjese të popullit që jeton jashtë trungut të vet kombëtar,kërkon edhe angazhimin e shtetit amë!

Me 25 Janar të këtij viti kryeministri shqiptar z.Sali Berisha vizitoj Malin e Zi, me ç’rast zhvilloj takime me zyrtarët e Podgoricës.por gjithashtu ai u takua edhe me përfaqësuesit e shqiptarëve në Tuz dhe në Ulqin.

Shqiptarët në Mal të Zi, pritën shumë nga vizita e kryeministrit Berisha, në aspektin e paraqitjes së problemeve të tyre pranë autoriteteve malazeze dhe shfrytëzimin e të drejtës legjitime që shteti amë posedon,në këte rast Shqipëria ,lidhur me interesimin për të drejtat kombëtare të asaj pjese të popullit të vet që jetojnë jashtë atdheut,respektivisht për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi.Pra, vizita e kryeministrit shqiptar Malit të Zi ishte një mundësi e veçantë që me këte rast të shqyrtohet pozita apo statusi i shqiptarëve në Mal të Zi, apo më kokretisht që z Berisha të shpreh shqetësimet e tija dhe të qeverisë shqiptare për çështjet e pazgjidhura që preokupojnë shqiptarët tashmë një kohë të gjatë.
Megjithate, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij nga Mali i Zi, në Podgoricë,pra më 25 Janar të këtij viti,z,Berisha deklaron : “Shqipëria vlerëson progresin e ndjeshëm dhe real, që shqiptarët, me të drejtat dhe liritë e tyre minoritare e njerëzore, kanë bërë në Mal të Zi…” ?!

Një deklaratë e tillë nuk mund të jetë si rezulltat i painformimit të kryeministrit shqiptar për situatën e shqiptarëve në Mal të Zi sepse së pari, kryeministri shqiptar është informuar kohë pas kohe nga subjektet politike shqiptare dhe nga përfaqësuesit e tyre lidhur me çështjet diskutabile të shqiptarëve dhe së dyti, kohëve të fundit është shkruar mjaft në mjetet e informimit për diskriminimin që bëhet ndaj tyre e sidomos për Ligjin e shumë përfolur për rendin dhe qetësinë , i cili parasheh ndalimin e përdorimit të flamurit dhe simboleve kombëtare.Dhe jo vëtëm ky ligj por dhe shumë ligje të tjera si p.sh. Ligji zgjedhor, Ligji për planin hapësinor, Ligji për qeverisjen lokale etj. përmes të cilëve , shqiptarët në mënyrë institucionale vendosën në pozitë të disfavorshme në krahasim me shumicën sllave që jeton në këtë shtet.

Mirpo, kryeministri Berisha ,në takimet e tija me zyrtarët e Malit të Zi, zgjodhi që të hesht dhe të mos bisedojë për temat e “nxehta” apo për çështjet e vërteta që preokupojnë shqiptarët në shtetin “mik” të Berishës! Fitohet përshtypja se mu për këtë arsy kryeministri Berisha iu shmanget bisedave që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve ,pra vetëm për hir të mosprishjes së miqësisë që kryeministri shqiptar ka me zyrtarët malazez! Berisha në takimin e tij në Ulqin e quajti Millo Gjakanoviqin “ mik i vjetër” i tij?!

Millo Gjukanoviq mund të jetë mik i Sali Berishës por në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet mik i shqiptarëve në Mal të Zi, duke pasur parasysh trajtimin e pabarabartë dhe diskriminimin që ata po përjetojnë tash më shumë se dy dekada nën pushtetin e partisë që Gjukanoviqi drejton.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri Berisha bëri edhe një gabim tjetër. Me rastin e deklaratave të tija publike Ai disa herë i quajti shqiptarët “minoritet”, çka është një term shumë i gabuar sepse shqiptarët në Mal të Zi janë pjesë e popullit të ndarë shqiptar dhe autokton në trojet e veta stërgjyshore. Kurse “minoritet” mund të përdoret për malazezët apo grekët në Shqipëri dhe në asnjë mënyrë për shqiptarët në Mal të Zi dhe krahasimet janë të papranueshme. Ky është një dallim të cilin kryeministri shqiptar duhet t’a dinte.

Pas gjithë kësaj, është tepër absurd fakti që faktori politik shqiptar në Mal të Zi, në vend që fokusohet në ndërgegjësimin e çështjes së tyre pranë instancave ndërkombëtare, tani ata duhet të angazhohen në vetëdijësimin e qeverisë së shtetit të tyre amë lidhur me të drejtat e tyre legjitime!

Fatkeqësisht,sot për sot ,jo vetëm shqiptarët nën Mal të Zi, por edhe shqiptarët që jetojnë në trevat e tjera etnike, por jashtë kufijve shtetror, duke parë qendrimin e vazhdueshëm neglizhent të Qeverisë së Shqipërisë në këtë aspekt, mund të thuhet se kjo pjesë e popullit shqiptar , është lënë në mëshirën e fatit të vet dhe nuk po gëzon përkujdesjen e shtetit të vetë amë ,pra atë llojë përkujdesjeje që i takon një shteti për vëllezërit e vet të një gjaku dhe të një gjuhe.
Nëse nuk ndryshon qasja e tanishme inferiore e Tiranës zyrtare në aspektin e mbrotjes e të drejtave legjitime të shqiptarëve në Mal të Zi, dhe nëse kjo qeveri nuk angazhon burimet e veta shtetërore,në rend të parë, për ruajtjen e identitetit të një pjese të kombit të vet i cili është në asimilim e sipër, ka mundësi që në një të ardhme jo të largët,kryeministrit shqiptar.t’i nevojitet përkthyes, me rastin e vizitës në vendbanimet shqiptare në Mal të Zi.

Xheladin Zeneli

KOMENTOJE