Çka u bisedua me Kryeministrin Llukshiq – biseda me deputetin Vasel Sinishtaj

Në bisedën me deputetin Vasel Sinishtaj në lidhje me bisedimet dhe kërkesat e klubit parlamentarë shqiptarë me Kryeministrin Llukshiq, që u zhvilluan javën e kaluar, deputeti Sinishtaj për Malesia.Org tregon rrjedhën e bisedimeve dhe kërkesat që i paraqitën Kryeministrit.
Në klubin parlamentarë shqiptarë përpos Sinishtajt, janë edhe Mehmet Bardhi nga LDnëMZ dhe Genci Nimanbegu nga Forca.
Në klubin shqiptarë nuk është Mehmet Zenka nga UDSH parti e cila është pjesë e koalicionit qeveritarë.

Takimi i grupit parlamentar shqiptarë me kryeministrin Llukshiq dhe ministrin e drejtësisë Dushko Markoviq, u shfrytëzua për ti përkujtuar zotërit me problemet e shumta me të cilat po ballafaqohemi dhe se ne, si pakicë kombëtare autoktone në Malin e Zi të pavarur, po humbasin edhe ato të drejta që i gëzonim në bashkësinë Serbi Mal të Zi.
I përkujtuam edhe njëherë se për kushtetutën e shtetit të Malit të Zi s’ka votuar asnjë deputet shqiptarë, ngase ajo në vete nuk përmban dy normat më me rëndësi që kanë të bëjnë me garantimin e lirive dhe të drejtave të arritura dhe interpretimin e lirive dhe të drejtave të pakicave dhe nuk siguron barazi në mes popujve.
Me mos inkorporimin e këtyre dy normave në aktin më të lart të shtetit, shumica parlamentare nuk respektoi kërkesën e Këshillit të Evropës që kushtetuta në minimum duhej të përmbante në vete pikërisht edhe këto norma. Pra, dy normat e lartpërmendura dhe garantimi i përfaqësimit autentik në parlamentin shtetëror dhe kuvendet lokale, ku ne jemi numër i dukshëm i popullatës (Tivar, Podgoricë, Plavë dhe Rozhajë).
U fol edhe për anashkalimin e deputetëve shqiptarë në takimin e tij me opozitën, gjatë kohës së hartimit të ligjit zgjedhor dhe tregtisë politike të qeverisë me atë pjesë të opozitës që ishte dhe mbeti kundër pavarësimit, rreth përdorimit të gjuhës në procesin mësimor nëpër shkollat fillore dhe të mesme në Mal të Zi, por gjithsesi tregti politike në dëmin e shqiptarëve. Ishte momenti për t’ju thënë se pas pavarësimit të shtetit, për të cilin vendosi pikërisht vota shqiptare, me ligjin zgjedhor, shqiptarët humben pesë mandatet e garantuara dhe vendet e posaçme zgjedhore. Po ashtu gjatë vitit të kaluar, me ligjin për organizimin territorial Malësia edhe një herë u la pa komunë të plotë dhe se është koha që qeveria të heq dorë nga obligimi ligjor për organizimin e referendumit konsultativ, ngase në këtë mënyrë nuk është themeluar asnjë komunë në Mal të Zi deri më sot, dhe se referendumi i tillë është vetëm mekanizëm, që në minimum, polarizon votuesit në Malësi. Në këtë intervenoi kryeministri duke thënë se mendon se Malësia i plotëson të gjitha kushtet për komunë të plotë, mirëpo referendumi, gjoja është lënë si mundësi për ti anuluar kërkesat e mjediseve të tjera për komunë të plotë. Këtë, siç tha ai ja ka thënë edhe Berishës në takimin e mëparshëm.
E përkujtuam se po zvarrisin sjelljen e akteve nënligjore për hartimin e elaboratit për arësyetueshmërin ekonomiko/politike për komunë të plotë.
Problemi i tentimit për të parandaluar përdorimin e simbolit nacional shqiptar, pra flamurit, u potencua edhe në këtë takim, duke i njoftuar se shqiptarët kudo që gjinden në rruzullin tokësor, kanë vetëm një simbol nacional e që përdoret plot 560 vite me radhë. Në lidhje me këtë kryeministri tha se në qeveri ju paska “rrëshqit” ky problem nga moskujdesi dhe se në jetën shoqërore dhe politike në Mal të Zi shqiptaret nuk kanë dhe nuk do të kenë pasoja për përdorimin e lirë të flamurit.
Ngase votat tona nuk vendosin për fatin e sigurimit të shumicës parlamentare nga 2/3 për amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me problemin e gjyqësisë, ne kërkuam që Malësisë me kryeqendrën e saj Tuzin ti njihet e drejta në komunë të plotë; që të ndalohen proceset e privatizimeve në mjediset shqiptare dhe që të bëhet revidimi i privatizimeve të dyshimta që janë kryer deri më tani; që të kemi përfaqësim proporcional në organet shtetërore dhe ato të vetëqeverisjes lokale në punësim; të definohet çështja e praktikanteve dhe voluntarëve gjatë punësimit të shqiptarëve; që emërimi i drejtorëve të shkollave, ku mësimi kryekëput zhvillohet në gjuhen shqipe, të bëhet vetëm me pëlqimin e këshillit nacional dhe që kjo procedurë në të ardhmen të jetë kompetencë e komunës; Kuadrat në arsim të zgjidhen sipas nenit 18 të ligjit mbi liritë dhe të drejtat e pakicave, pra nga shqiptarët e jo të sjellën ata që nuk e njohin gjuhen shqipe; që të zgjidhet problemi i shërbimit publik (RT të Malit të Zi) ku duhet pasur program adekuat e jo lajme bajate dhe të titulluara dhe të rritet minutazha e jo të zvogëlohet dhe të jepen termine jokorrekte; që për “Kohen javore” të sigurohen mjetet financiare, qoftë përmes Këshillit nacional apo parlamentit e mos të lihet në fatin e dikujt që do të privatizoi “Pobjeden”; që të sigurohen mjetet financiare për stacionet private televizive që kanë program në gjuhen shqipe, siç janë TV Boin, TV Teuta e të tjera; që të ndërpritet praktika e fshirjes nga librat amëz të shtetësisë për shqiptarët që gjinden jashtë Malit të Zi; që të zgjidhet urgjentisht problemi i sigurimit social për ata shqiptarë që kanë punuar në Kosovë apo firmat nga Kosova në Mal të Zi dhe kosovarët që kanë punuar në Mal të Zi apo firmat malazeze në Kosovë; që të aprovohet ligji mbi përdorimin e gjuhëve në përdorim zyrtar dhe të respektohen normat kushtetuese të nenit 79 paragrafi 1 prej pikës 1 deri në 13 dhe që në tërësi të bëhet decentralizimi i pushtetit si kusht për demokratizim.

Ngase deri më sot, pushteti s’ka respektuar asnjë marrëveshje politike të arritur dhe të nënshkruar, unë pikërisht ju thaç se s’kemi gatishmëri për marrëveshje të ndryshme dhe premtime të thata. Nëse ju duhet vota e deputetëve shqiptarë, atëherë është koha që të veproni dhe të na njihni të drejtat që na takojnë e jo që ta na i jepni apo të na i falni. Deri atëherë mos llogaritni që me votën tonë mund të fitoni mundësinë për integrimet e mëtutjeshme evropiane apo euroatlantike.

Së fundi, ngase as amendamentet e qeverisë as ato të opozitës nuk përmirësojnë gjendjen e shqiptarëve në këtë shtet dhe se për neve ndërrimet në gjyqësi dhe gjoja sundimi i ligjit dhe paanësia dhe pavarësia e gjykatave, që propozon qeveria në rastin konkret me amendamentet e veta, vetëm përforcon pozitën dhe ndikimin e kryetarit të shtetit në të ardhmen, si në gjykatën kushtetuese, gjykatë supreme, këshill gjyqësor dhe prokurori e që për momentin kryetari i shtetit është edhe nënkryetar i subjektit politik më të fortë, atëherë për neve është i qartë qëllimi i kësaj “fasade” gjoja juridike. Si ilustrim u tha se në Podgoricë, prej gjykatës komunale e deri në atë kushtetuese, deri më sot s’kemi asnjë gjyqtar shqiptar dhe se nuk mund të flitet për kapitullin 23 dhe 24, si kusht i integrimeve të mëtutjeshme të Malit të Zi, e mos të flitet për liritë dhe të drejtat elementare njerëzore dhe qytetare, individuale dhe kolektive, të shqiptarëve në Mal të Zi dhe pjesëmarrjen tonë në organet policore (polici lokale ende nuk ka në këtë shtet), si dhe në prokurori dhe gjyqësi e të flitet për sundimin e ligjit. /Malesia.Org/

KOMENTOJE