BE konfirmon arritjen e marrëveshjes midis Kosovës e Serbisë

Edhe BE-ja ka konfirmuar se palët kanë arritur pajtim rreth mënyrës së pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale, njofton korrespondenti i “Kohës Ditore” nga Brukseli.
Deklarata e BE-së sqaron përmbajtjen e fusnotës për Kosovën e cila thotë se përmendja e Kosovës është “Pa paragjykim në qëndrimet për statusin, dhe është në përputhje me UNSC 1244 (Rezolutën e Këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara) dhe Mendimin e GJND-së për Deklaratën e Kosovës për pavarësi”.
Në deklaratën e BE-së, në cilësinë e “lehtësuesit të dialogut”, thuhet se të dyja palët kanë konfirmuar përkushtimin e tyre për vlerat themelore të BE-së për pjesëmarrje efektive dhe inkluzive në bashkëpunimin rajonal.
Palët kanë arritur edhe një protokol teknik për implementimin e Marrëveshjes IBM – menaxhimin e integruar të kufijve, të arritur me 2 dhjetor të vitit të shkuar.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, dhe komisari për Zgjerim, Stefan Fule, përshëndetën arritjen e marrëveshjes në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ashton dhe Fule thonë se marrëveshjet janë të rëndësishme jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për stabilitetin evropian. “Dua t’i përgëzoj të dyja palët për këto dy marrëveshje substanciale, atë për IBM-n dhe përfaqësimin rajonal të Kosovës”, ka deklaruar Ashton. Ndërsa komisari për Zgjerim, Stefan Fule ka thënë se marrëveshjet demonstruan përkushtimin e të dyja palëve për të ardhmen e tyre evropiane.

Kosova e Serbia merren vesh për përfaqësim rajonal e kufij
Bruksel, 24 shkurt – 12:51 – (E plotësuar) Ndërkohë merret vesh se formulimi i fusnotës, për të cilën palët janë pajtuar në Bruksel, është ky: “Pa paragjykim për pozicionin e palëve për statusin, në përputhje me 1244 dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.

Bruksel, 24 shkurt – 12:27 – (E plotësuar) – Delegacionet e Beogradit e të Prishtinës, njoftohet nga Brukseli, kanë arritur marrëveshje për përfaqësimin rajonal të Kosovës si dhe rreth menaxhimit të integruar të kufijve. Agjencia serbe e lajmeve Tanjug përmend vetëm Rezolutën 1244 dhe Mendimin e GJND-së, si elemente të marrëveshjes.
Kryeministri i Kosovës një natë më parë deklaroi se nuk do të ketë marrëveshje pa përmendjen edhe të Deklaratës Kushtetuese.

Bruksel, 24 shkurt – 11:20 – (E plotësuar) Arrihet marrëveshja ndërmjet Prishtinës e Beogradit për përfaqësimin rajonal të Kosovës. Kohavizioni mëson nga burimet e veta në Bruksel se marrëveshja është arritur, por ende nuk janë bërë publike hollësitë, se si është bërë renditja e shënimeve në fusnotë dhe a është përfshirë aty edhe Deklarata e Pavarësisë. Shumë shpejt pritet edhe konfirmimi i saj nga zyrtarët qeveritarë dhe ata të BE-së.

Bruksel, 24 shkurt – 09:12 – Burime nga BE-ja kanë konfirmuar të enjten në mesnatë se nuk është arritur ende marrëveshja për fusnotën, në raundin e ri të dialogut Kosovë-Serbi, që të premten (sot) hyn në ditën e tretë. Burimet thonë se takimi do të rifillojë të premten në mëngjes. Optimizmi vazhdon të jetë i pranishëm në mesin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian se në ditën e tretë do të mund të arrihej marrëveshja, pasi që, sipas tyre, palët janë afruar shumë me qëndrime.

Dita e dytë e këtij raundi të dialogut kishte zgjatur në mënyrë maratonike deri në orët e vona të mbrëmjes.

Gjatë ditës disa diplomatë evropianë thoshin se „ky dialog nuk po zhvillohet vetëm në Bruksel, por edhe në Beograd e Prishtinë dhe në kontakte të diplomatëve të huaj me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq. „Natyrisht se vendimet i marrin Tadiqi dhe Thaçi, ndërsa delegacionet që janë këtu në dialog janë vetëm të dërguar të tyre. Prandaj gjatë ditës është dashur të kishte më shumë konsultime”, ka thënë një diplomat evropian.

Ndonëse në dialog në dy ditët e fundit ishin diskutuar edhe shumë hollësi lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë, çështja më e ndjeshme politike ishte formula, sipas së cilës Kosova do të mund të merrte pjesë në nismat rajonale. Problem deri në momentin e fundit mbeti përmbajtja dhe renditja e fusnotës. Përderisa ishte tashmë e qartë se kërkesa e Serbisë që doemos të përmendet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe do të pranohej po ashtu edhe referimi në Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, problemi kyç u bë përmendja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Një zyrtar i BE-së ka pranuar në takim me gazetarë të enjten në Bruksel se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës,siç është shprehur ai „është shumë i ngarkuar me politikë dhe nuk është vetëm dialog teknik“.

Edhe në ditën e tretë të këtij raundi të dialogut tema kryesore rreth të cilave do të duhet të binin përfundimisht në dakord palët janë bashkëpunimi rajonal dhe zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin në BE e quajnë si „dialog mes Beogradit dhe Prishtinës“, kishte nisur më 8 mars të vitit të shkuar, ndërsa në vetëm disa pika palët kanë arritur pajtim, e edhe ato që janë arritur nuk janë zbatuar në masën e kënaqshme. /KohaNet/

KOMENTOJE