Djegia e flamurit shqiptar, protestë para ambasadës maqedonase

Pas incidentit të djeshëm në Maqedoni, ku në një video shfaqeshin dy persona të maskuar që digjnin një flamur shqiptar, priten reagime në shumta në formën e protestave përpara ambasadës maqedonase në Tiranë. Ngjarja në fjalë vjen pas aktit të dhunshëm ndaj të rinjve shqiptarë në Gostivar disa ditë më parë.

Grupimi i quajtur “Tifozët Kuq e Zi” ka paralajmëruar se do të tubohen të martën, rreth ores 12:00 përpara ambasadës maqedonase në Tiranë për të reaguar ndaj sjelljeve të njëpasnjëshme raciste dhe antishqiptare të ditëve të fundit në Maqedoni, të cilat i kanë acaruar edhe më tej konfliktet ndëretnike në këtë vend.

“Eshtë obligim patriotik dhe kombëtar, për të reaguar dhe për të treguar kush jemi ne, dhe për t’u thënë që NE ishim këtu kur ‘ata’ erdhën. ‘Tifozët Kuq e Zi’ do të jenë aty ku i thërret atdheu”, – thuhet në njoftimin e tyre.

“Thirrja jonë në këtë protestë do të jetë edhe për rikthimin e trevave shqiptare në Maqedoni në shtetin e tyre amë, Shqipërinë!”, – thuhet më tej në komunikatën e organizatorëve të kësaj proteste.

Maqedonasit djegin flamurin shqiptar

Anëtarët e së ashtuquajturës Organizata Kristiane në Maqedoni, duke kënduar tone raciste, kanë djegur flamurin kombëtar shqiptar.

Veprimi i ulët është xhiruar nga anëtarët e organizatës, të cilët nuk kanë vonuar ta transmetojnë atë në faqen e njohur të internetit Youtube.

Teksa djegin flamurin, anëtarët e organizatës bëjnë thirrje për bashkimin e krishterëve kundër shqiptarëve, me qëllim shfarrosjen e tyre.

Në video parullat anti-shqiptare janë shoqëruar me titra në gjuhën angleze për të përcjellë mesazhin e ekstremistëve.

Aleanca Kuqe e Zi ka reaguar ndaj djegies së flamurit shqiptar, duke paralajmëruar maqedonasit që të heqin dorë nga akte të tilla.

“Provokimet maqedonase po kalojnë çdo kufi. Maqedonasit të mos guxojnë të prekin më flamurin kombëtar”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Duke vlerësuar se, me këto sjellje Maqedonia po i vë zjarrin vetes, Aleanca i ka bërë apel qeverisë maqedonase që të distancohet nga zjarrvënësit.

Më tej grupimi i ka drejtuar një apel Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian: “Ndaloni çmendurinë sa nuk është vonë”.

Ngjarja ndodh pas një seri incidentesh ndëretnike të regjistruara së fundmi në Maqedoni, që kulmuan me rrahjen barbare të 15 nxënësve shqiptarë.

Ngjarja në fjalë u pasua nga sulme ndaj dyqaneve të komunitetit shqiptar në Shkup, si dhe ndaj objekteve të tjera shqiptare në zona të tjera të Maqedonisë.

Të gjitha këto ndodhën pasi më herët një polic maqedonas vrau në Gostivar dy shqiptarë, pas një debati për parkimin e automjetit. /TCH/

KOMENTOJE