Incidentet e fundit në Maqedoni kanë shkaktuar reagimin e ashpër të të rinjve në Burrel. Këta të fundit kanë protestuar paraditen e sotme kundër vrasjes së dy të rinjve në Gostivar, dhunës fizike ndaj 15 nxënësve shqiptarë dhe djegies së flamurit kuq e zi.
Të rinjtë në Burrel, siç njoftojnë mediet shqiptare, janë grumbulluar në qendër të qytetit ku në thirrjet ‘Duam Shqipëri etnike” dhe ‘Poshtë Maqedonia’ shkelën e më pas dogjën flamurin maqedonas.
Protesta në Tiranë: Faktori ndërkombëtar të ndërhyjë në Maqedoni
Në Tiranë sot u mbajt protesta kundër incidenteve dhe dhunës ndaj shqiptarëve në Maqedoni, duke bërë thirrje për ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.
Protesta e qetë u organizua pranë ambasadës së Maqedonisë në Tiranë nga ana e organizatës Kuvendi Civil, në bashkëpunim me UNIKOMB dhe Tifozat Kuq e Zi, informon INA.
Anëtari i Kryesisë së Kuvendit Civil, Taulant Capa, i bëri thirrje në emër të grupimit protestues, faktorit ndërkombëtar, që të reagojë sa më parë. /INA/