Vizita e fundit e Zv/kryeministrit të Republikës së Kosovës Hajredin Kuçi në Mal të Zi u shqoqërua me reagime të ashpëra si të faktorit politik ashtu edhe opinionit në tërësi pasi ai kishte anashkaluar Ulqinin dhe Tuzin gjatë asaj vizite.
Këto ditë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe njëherazi ministër i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, mori pjesë në konferencën “Bashkë kundër diskriminimit”, e cila u mbajt në Budva, nën patronatin e kryeministrit të Malit të Zi, Igor Llukshiq.
Në kuadër të kësaj vizite zëvendëskryeministri kosovar vizitoi edhe Ulqinin ku u takua me kryetarin e Komunës, Nazif Cungu, deputetët e partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, si dhe Këshillin Nacional të Shqiptarëve (KNSH).
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi përfitoi nga rasti për ta ftuar kryetarin Cungu për vizitë në Kosovë ndërsa Cungu siguroi se në komunën e Ulqinit së shpejti do miratohen planet urbanistike gjë që do të ishte favor edhe për investuesit potencial nga Kosova.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi përsëriti edhe një herë deshirën e qeverisë së Kosovës për ndihmë të shqiptarëve në Mal të Zi sidomos në drejtim të mbrojtjes së identitetit. Ai siguroi se qeveria e Kosovës do vazhdojë me lehtësira për studentët shqiptarë nga Mali i Zi /Ulqini Online/